Sektori i ndërtimit është ndër sektorët me marzhet më të larta të fitimit në ekonomi. Sipas Entit të Banesave, kosto e ndërtimit në Shqipëri është mes 32 dhe 33 mijë lekë për m2. Ndërkohë, sipas studimeve nga agjencitë imobiliare, çmimi mesatar i shitjes së banesave në kryeqytet është mbi 700 euro ose afërsisht 90 mijë lekë për m2. Pra, çmimi mesatar i shitjes, të paktën për Tiranën, është afërsisht sa tre herë kosto e ndërtimit.
Rritja e kostove në ndërtimin e banesave ngelet ende shumë e dobët për të ushtruar presione domethënëse në rritjen e çmimeve të shitjes. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e dytë të këtij viti kostot u rritën me ritme mjaft të ulëta. Krahasuar me tremujorin e dytë 2017, ndërtimi i banesave kushton 0.5% më shtrenjtë. E njëjta normë rritje ishte regjistruar edhe në tremujorin e parë. Rritja në tremujorin e dytë të këtij viti erdhi sidomos nga kostot më të larta të transportit, që ishin 2.3% më të larta krahasuar me një vit më parë. Kjo i detyrohet kryesisht shtrenjtimit të karburanteve. Ndërkohë, shpenzimet për paga në tremujorin e dytë u rritën me vetën 0.6%, nga 1.7% që kishte qenë rritja në tremujorin e parë. Rritja e kostove megjithatë u zbut ndjeshëm nga ulja e çmimeve të materialeve.
Për herë të parë që nga viti 2015, indeksi i kostove materiale pësoi rënie, me 0.8%. Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, sektori i ndërtimit përfshin afërsisht 3400 ndërmarrje dhe rreth 40 mijë të punësuar.