Brenda rregullës të cilës i përmbahem me fanatizëm jo vetëm në shkrimet për shtyp, besoj thjesht se Strategjia kombëtare i përmbahet dy shtyllave. Së pari; Modernizohen resurset që të kanë lënë të parët e tu. Këta e kanë vijuar mbijetesën e tyre në shekuj në mënyrë manuale, pa dalë te Traktatet e ekonomisë apo partitë politike. Së dyti; shikohet pozicioni gjeografik i vendit tënd ndaj të tjerëve. Është periferik, tranzit apo qendror. Pas kësaj ligjet më të rëndësishme që hartohen respektojnë këto dy shtylla, e po në të njëjtën mënyrë operohet dhe me pjesën e arsimimit. Shkollat më të rëndësishme, janë ato që shkojnë nëpërmjet këtyre dy shtyllave.
Vendi ka provuar me shekuj se është vend blegtoral e bujqësor dhe që nga koha e ekzistencës së perandorive romake të lindjes dhe Perëndimit ka qenë vend transit mishëruar kjo nga rruga e atëhershme e përbotshme Apia e Egnatia që kalonte në pjesën tonë. Sa zbatohen rregullat e mësipërme në Labëri, që do ta quaja me qejf edhe për ato që ka si “Sofra ku shtrohen Perënditë”.
Ulur në një kafe përgjatë pedonales së gjatë të Vlorës që i thonë edhe Lungomare, e kupton se megjithë kuvertën e ngrohtë që ka hedhur Rama me ndërtimet në qeverisjen e tij, loja sapo ka filluar. Kaosi i lemerishëm i ndërtimeve në vite që me sy të lire, duket se duhet ta tejkalojë shifrën e miliardave,zor se mbushet me Lungomaren. Akoma më shumë ta shndërrojë Vlorën dhe zonat përreth, mirëfilli në qytet turistik.
Kryetari Bashkisë më thotë me trishtim se vjen vërdallë zonës së Dukatit për të ringjallur traditën e “Deles së Zezë të Dukatit”. Kanë mbetur pak ose fare aspak-thotë ai. Dhëntë Zoti ma kanë dëgjuar gabim veshët, por më thekson se në vend të 120 000 kokëve kanë ngelur nja njëzetë të tilla. Duket e njëjta histori me atë të të buallicave të Divjakës që nga 8 a 9 mijë në kohën e paraluftës, kanë ngelur nja 10 copë, për të cilët kujdeset Komunitetit europian.
E di mirë, dhe e kam përmendur në shkrime se në vitin 1936, kur Ducja donte të pushtonte Shqipërinë, Institutet e Romës pohonin se Shqipëria zinte vendin e parë në Europë, kaluar apo barabar me Zvicrën e kjo për çdo një mijë banorë për numrin e të imtave, pra dele e dhi dhe të trashave, pra lopë etj. Zvicra e ruan këtë monopol edhe sot dhe nëpërmjet gjigantit të saj, Nestle nxjerr nga loja e përpunimit nja 100 miliardë dollar në vit, apo ca herë më shumë se prodhimi ynë i përgjithshëm kombëtar.
E pastaj cfarë do të thoshte me të drejtë një skeptik?
Po të pyesje për rendimentin e një lope dhe dhie zvicerane do ta kuptoje se llogaria jote ka pak vlerë… Andaj të gjithë e kanë braktisur historinë, me dhi e dhën dhe e kanë harruar atë këngën e njohur “Bij çobanësh kemi qenë”. Diskutimin mendor më duhet ta mbaroj shumë më larg Vlorës në Nivicë, ku Auron Tare i ka hyrë një iniciative që në pamjen e parë kërkon të ngjallë këngën e sapo kënduar.
Në ca maja të larta ku gjendet Nivica, e ku njeriut i duket se vërtet mund të shohë, ku mund edhe të ulen edhe perënditë, kanë zbritur Kryeministri i vëndit, ish kryministri i Suedisë dhe një tufë ambasadorësh. Janë mbledhur në kuadrin e iniciativës për “100 fshatra”. Përballë ku mbahen fjalimet qëndron një baxho e mrekullueshme djathi, që edhe si ndërtesë duket e klasit të parë. Mua papritur më vjen ndërmend një pyetje, budallai që nuk e hedh aty po pak më vonë kur të gjithë po hanë bukë.
“Sikur unë të hedh duke rrokullisur një rrotë djathi nga kjo baxhua përballë, për sa kohë vete në Borsh që ta hanë turistët aty rrotull?
Është nja 8 kilometër si distance, kjo rrugë më thonë. Natyrisht pyetja kërkon të thotë tjetër gjë. A mundet në këto zoan të zjejë dot turizmi malor të ketë baxho dhe hotele dimërore a verore? Poshtë këtyre maleve të mahnitshëm shtrihet një nga zonat më të bukura turistike të Europës, që hera herës e ka me të kët e të dobët, apo të sjell nga jashtë ushqimin.
Auroni thotë që veç kullotave të jashtëzakonshme ku del një mish dhe djathë a bulmet i klasit të pare, ka dhe ca kafshë që nga, ariu i murmë e deri te Kali i qyqes, dreri etj. Ka dhe kanione të mrekullueshme etj. Po ta lësh Auronin në pasionin e tij historinë do të të thotë se këtej Cezari afër Nivicës ka ndenjur gjashtë muaj,kur ndiqte Pompeun (në Matohasanaj pranë Vjosës) të të tregojë Rrugën e normanëve që u printe Bohemundi, ku pret të ndërtojë muzeun e luftës italo greke dhe ku gjendet Kalaja e Vezirit të Janinës me të cilat kjo e fundit ndjell turistët.
Po pyetja ime është e thjeshtë. Ajo kërkon të dijë sa thjesht vehet në Borsh dhe si mund të arrihet nga deti mrekullueshëm poshtë të ngjitesh në mal për të bërë jo vetëm turizmin e detit, por edhe atë të malit?
Nëse ndonjë njeri gjëndet e të më thotë se ka parë ndonjë gjë në botë të ngjashme me Labërinë ku deti mund të puthet me malin në mënyrë kaq harmonike, e ku njerëzia të modernizojë ato që I kanë lënë të parët le të ma thotë. Unë vetë nuk kam parë. Thelbi fabulës është i thjeshtë. Rama duhet ta shohë me një kënd më të gjerë se historia me “100 fshatrat” këtë punë. A janë vërtet më efektivet planet e saj të zhvillimit për zonën? A e çojnë turistin më thjesht nga mali në det dhe anasjelltas? Atëherë merr fund historia me pyetjen “ Ku i ke dhitë a i vrarë”.
Vlora apo Porti më i madh i antikitetit
Straboni e quante të tillë Vlorën. Sot është një port i vogël që ndoshta do të duhen dylbitë ta vëresh. Kam shkruar shumë për të dhe natyrisht do të shkruaj. Në foton më poshtë janë ca të dhëna krahasuese të saj me Durrësin.
Ca të tjera po i përmbledh me fjalë. Me thellësi natyrale që shkon deri në 32 m, Vlora e kalon Roterdamin apo më të madhin e botës. Ky i fundit mund të arrijë një thellësi 14 deri 26 m, po gjithnjë nëpërmjet procesit të thellimit. Baseni i saj natyror është 4 herë më i madh se i Roterdamit.
Nuk do sasi kolosale investimesh për ta shndërruar në port, nga më të mëdhenjtë e botës. Po problem janë të tjerët përreth thonë. Çdo na bëjnë grekët apo italianët apo të tjerët. Nisur nga Vlora apo nga Durrësi, mund të bësh të njëjtën rrugë si romakët e vjetër. Të shkosh në Maqedoni në vijë të drejtë nëpërmjet Korridorit 8_të (as atë s’ta lënë ta bësh thonë). Prej Shkupit në Stamboll e më tutje në Europë apo drejt Rusisë nëpërmjet Ukrainës.
Turqit si Perandori e dobët në det e përdorën Vlorën si pika më e afërt për të parë Italinë, ndërsa sovjetikët si bazë. Unë kam qejf Strabonin . Po ca më shumë idenë se Atdheu i të parëve duhet zhvilluar sipas dy rregullave që i theksova që në fillim . Modernizo resurset që të kanë lënë ata dhe shiko pozicionin gjeografik ndaj të tjerëve. Kaq do të ishte një gjë e mirë. Labëria i ka këto kushte dhe besoj më shumë se shumë të tjerë në këtë botë. Mund ta kem dhe gabim, po ndoshta vlejnë ca më shumë se idetë ku hidhen miliarda për të ndërtuar pallate që në fakt në Romën e vjetër i përdornin vetëm me idenë për të sistemuar sa më thjesht skllevërit.