Zyrtarizohet kalendari i Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit. Sipas skemës, në këtë garë do të marrin pjesë 4 ekipet më të mira të sezonit të kaluar, të cilat për femra janë: Partizani, Tirana, Barleti dhe Teuta.
Në anën tjetër, për meshkuj, do të garojnë këto katër ekipe: Erzeni, Tirana, Partizani dhe Studenti. Të gjitha ballafaqimet do të luhen, sipas datave dhe orareve respektive, në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës.
Më konkretisht, më 21 shtator, në dy orare të ndryshme (17:00 dhe 19:00), do të sfidohen femrat me njëra-tjetrën, sipas këtij kalendari: Partizani-Teuta dhe Barleti-Tirana. Një ditë më pas është radha e meshkujve, me kalendar: Erzeni-Tirana dhe Partizani-Studenti.
Në të njëjtin impiant sportiv në kryeqytet janë përcaktuar të luhen edhe dy finalet e Kupës së FSHV, për meshkuj dhe femra, më 23 shtator.