Menu

Nga Prof. Sami Repishti

“Larg duart nga Kosova e kosovarëve!”

04.09.2018

“Kosova i ka kufijtë e vet, me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendoj se duhet ndonji kreativitet i ri për rishikim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi.”( KM i Kosovës, Ramush Haradinaj)

Nga Prof. Sami Repishti

Ridgefield,CT.- Sot, Republika e Kosovës sime zien nga nji kercënim që synon coptimin e saj, rrjedhim i nii “fantazie” me perspektiva të pa parapame për të ardhmen e saj. Akoma e pa forcueme mirë si “shtet” në arenën ndërkombëtare, aksione që rrezikojnë të tashmen e brishtë dhe të ardhmen e pa sigurtë, në Kosovë kryhen me lehtësi adoleshenti, akte që sfidojnë nji rrezik të pa aftë me u kontrollue.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Thirrjet e fundit që kanë marrë tone histerike kanë hjedhë botën kosovare në qendër të nji stuhie që ka prekë edhe botën e jashtëme. E papranueme akoma në OKB-në si anëtare me të drejta të plota, as në Bashkimin Europian si kandidate për anëtarsim, kryesisht si rezultat i mosnjohjes si shtet i pavarun nga pesë anëtarë me të drejtë veto të BE-së, as në organizata tjera ndërkombëtare që plotësojnë mangësitë e pavarësisë së plotë, njeriu ka përshtypjen se Kosova sot vetë-lëkundet pa llogaritë përfundimin e aksionit të saj: ndryshim, modifikim, korrigjim kufijsh me Republikën e Serbisë, nji fenomen negativ që nga viti 1877 me përfundime gjithmonë në dam të hapësinës tokësore të Kosovës! Kryministri Haradinaj ka të drejtë. Deklarata e masipërme tregon përgjegjsi politike!

Megjithate, nji takim në mes të dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, që promovojnë idenë e ndryshimeve kufitare ashtë planifikue të mbahet me 7 shtator 2018, në Bruksel, Belgjikë. Para se të gjindemi përballë nji “fakti të kryem” duhet të veprojmë vendosmënisht dhe me shumë kujdes! Duhet të mobilizohemi, të gjithë!

Në vitin 1990, KM Gjermanisë, Helmut Kohl, ndertoi argumentin për riunifikimin e Gjermanisë si “…shprehje e vullnetit të popullit”, nji akt që inkurajoi shqiptarët e Kosovës, dhe serbët e Krajinas me kerkue shtete të lira dhe të pavaruna. Me 2 korrik 1990 Kosova shpalli Deklaratën e Pavarësisë. Me 7 shtator 1990, Kuvendi i Kosovës deklaroi Republikën e Kosovës shtet i lirë e i pavarun.

Momenti historik për “territorin e Kosovës” ka qenë data 13 mars 1991. Parlamenti i Europës kaloi nji Rezolutë ku thuhej:”…republikat konstituente dhe krahinat autonome të Jugosllavisë duhet të kenë të drejtën (“must have the right”) me përcaktue lirisht të ardhmen e tyne me mënyra paqësore, dhe demokratikisht, “në bazë të kufijve të njohun ndërkombëtarisht si dhe të kufijve të mbrendshëm” (“on the basis of recognized international and internal borders” (Clause 8)(Theksi i im.SR).

Referenca për kufijtë e mbrendshëm në veçanti, sugjeron se parimet e Helsinki Final Act (1975) do të aplikohen edhe për kufijtë e republikave dhe krahinave autonome gjithashtu (paprekëshmënia e kufijve). Ky vendim me randësi, dhe referenca e Helsinki-t nenkuptojnë mosndryshimin e kufijve ekzistues, nji qendrim që bani të mundun formimin e Republikës së Kosovës ma vonë në të gjithë hapësinen e territorit të ish “Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” (KAKM). Fakti që në qershor 1999, Serbia u tërhoq nga i gjithë territori i ish KAKM-së, tregon randësinë e madhe të këtij parimi ndërkombëtar. Për ma tepër, asnji pllambë toke jashtë Kosovës nuk ashtë marrë me dhunë ose manovrime politike e marrëveshje të mshehta. Kosova ka fitue pavarësinë e saj si rezultat i shtypjes së patolerueshme serbe, dhe përpjekjeve të shumanëshme të popullit të saj, të njohuna ndërkombëtarisht.

Fatmirësisht, qendrime të këtilla u banë të mundëshme për hir të ndryshimit të klimës politike botënore, dhe europiane veçanërisht. Hapat e mëdha të ndërmarrun nga Fuqitë Aleate në ngritjen e strukturës ndërkombëtare të mbasluftës parashikuen nji botë ma të lirë, ma paqësore, dhe ma të zhvillueme ekonomikisht. Bota e Versaille-s kishte vdekë njiherë e përgjithmonë. Mbas Kartës së OKB-së për ruejtjen e stabilitetit dhe paqës (1945), u aprovuen edhe dokumentë të tjerë si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (1948), dy Konventat për të Drejtat Politike dhe Ekonomike (19 dhetor 1966), themelimi i Europës së Bashkueme, Akti Final i Helsinki-t (1975), Karta e Parisit (1980) e tjerë instrumentë që u përdorën në ndertimin e botës së mbasluftës. Me shkatërrimin e strukturës shtetnore artificiale të ish Jugosllavisë, u mundësue përpunimi i dispozitave me frymë ma liberale dhe sidomos ma të drejta. Nga këto zhvillime përfitoi edhe “problemi” i Kosovës dhe avancimi i tij drejt pavarësisë së plotë (17 shkurt 2008) në territoret e njohuna ndërkombëtarisht.

Me 25 shtator 1991, “UN Resolution 713, bashkë me thirrjen për armëpushim në Jugosllavi dha mbështetjen e plotë përpjekjeve të Bashkësisë Europiane, tue përfshi edhe pozitën e saj të marrun mbi mosshkeljen e kufijve republikanë dhe krahinorë”. (Susan Woodward). Me 3 tetor 1991, përfaqsuesi i Bashkësisë Europiane (EC) van der Broeck dhe Lordi Carrington, pranuen, in principle, nji plan paqe që nisej nga koncepti “konfederacion”, dhe parashikonte pavarësinë eventuale për të gjitha republikat që e dëshirojnë. Me 15 tetor 1991, u vunë tri kondita për njohje të pavarësisë:

1)garanci për të drejtat e minoriteteve, përfshi edhe status special për disa regjone.

2)Asnji ndryshim kufitar arbitrarisht.

3)Pjesëmarrje në negociata mbrenda Konferencës së Paqës mbi krijimin e nji aleance shtetesh të pavaruna e sovrane (që nënkuptonte pavarësia e shteteve individuale të njihet vetëm në kuadrin e nji marrëveshje të përgjithshme).

Ndërkaq, OKB-ja pranonte gjykimin e Komisionit Badinter të BE (EC) se doktrina legale e utis possidetis (“mbaj atë që zotnon”) zbatohet edhe për kufijtë e mbrendshëm të Jugosllavisë (Theksi i im SR) – “nji referencë që, jshte situatave koloniale, u përdorue për Kosovën për të parën herë .” (Marc Weller)

Në shtator 1994, kemi nji situate ma të komplikueme. Mbas kërkesës nga ana e kroatëve të Bosnjes dhe Hercegovinës me u “konfederue” me Kroacinë, ministri i jashtëm francez, Alain Juppe, deklaroi se nuk shihte nji arsye përse edhe serbët e Bosnjes dhe Krajinas të mos konfederohen me Serbinë. Ky qendrim rezultoi në reagimin e shpejtë të presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me 9 shtator, 1994, se shqiptarët gjithashtu kanë të drejtën me u konfederue me Shqipërinë. Ai deklaroi: ”Në rast se marrëdhanjet konfederale të serbëve boshjakë legalizohen, atëherë na menjiherë do të kërkojmë marrëdhanje të njillojta me Shqipërinë” njoftonte Borba,Bilëtin Vesti, 10 shtator 1994 (citue nga Susan Woodward). Nga qeveria komuniste shqiptare nuk erdhi inkurajim!

Dy aspektet themelore të problemit të Kosovës -pavarësia dhe integriteti territorial- po merrshin drejtimin e duhun: pozita e Kosovës si njisi politike dhe njisi territoriale në vete, priste momentin për njohjen ndërkombëtare të kësaj situate. Ky moment erdhi në vitin 1999 kur bashkësia ndërkombëtare, nën udhëheqjen e SHBA-së vendosi të jap fund agresionit dhe shtypjes serbe në Kosovë me ndërhymje ushtarake. Në qershor, me hymjen e trupava aleate në Kosovë, rruga për konfirmimin legal të gjendjes së krijueme për nji Kosovë të lirë e të pavarun ishte e hapun. Aspektet legale të problemit dhe pozita e Kosovës u konfirmuen me dokumente të njimbasnjishëm dhe përfunduen me Planin Ahtisaari, akti i fundit që solli pavarësinë e Kosovës me 17 shkurt 2008, mbrenda kufijve te njohun ndërkombëtarisht.

*****

Ashtë nji situatë inkurajuese kur shohim se që nga dita e parë e deklaratës së Presidentit Thaçi për ndryshim/shkembim territorial me Republikën e Serbisë, nji numër i konsiderueshëm studjuesësh, nga të gjitha trojet shqiptare, filluen shqyrtimin e kësaj ideje në përgjithësi me dyshim dhe frikë. Arsyeja ashtë e thjeshtë. Kosova sot ma shumë se kurr ma parë ashtë nji ‘problem “gjithëshqiptar”, i pandashëm dhe shumë sensitiv. I ndermarrun me inisiativen e Presidentit Thaçi, ndryshimi/korrigjimi i kufijve shtetnorë të dy shteteve europiane ashtë “nji çeshtje europiane”, aq ma shumë për dy vende që aspirojnë anëtarsimin e tyne në Europë.

Simbas Kushtetutës së Kosovës:

“Neni 1/3- Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnji shteti ose pjese të ndonji shteti. (Në këte rast ndaj shtetit fqinj të Serbisë.SR)

Neni 2- Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës ashtë i pacenueshëm, i patjetërsueshëm (me ndryshim/shkembim. SR), dhe i pandashëm, dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktueme me këte Kushtetutë dhe me ligj.”

Çdo republikë parlamentare, ashtu siç ashtë edhe Republika e Kosovës, ka faktorin e vet stabilizues: Parlamentin, i vetmi organ i zgjedhun lirisht nga “sovrani” (populli i Kosovës). Funksjonarët e “shtetit” – ose pushteti ekzekutiv- janë parimisht qytetarë të aftë, profesionistë, të besueshëm, dhe të ngarkuem me zbatue ligjët e aprovueme nga Parlamenti. “Korrigjimet/ndryshimet e kufijve” nuk ashtë prerogativë e tyne, dhe ata që shkelin ligjin, përgjigjen para Gjykatave të pavaruna. Kështu vepron nji shtet demokratik!

Në takimin e fundit të mbajtun në Vjenë nga Ministrat e Jashtem të Bashkimit Europian, 30 gusht 2018, me ata të vendeve kandidate për anëtarsim, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas quejti “të gabuara” idetë e ndryshimeve të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Ne mendojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe së këndejmi jemi shumë skeptikë” u tha ai gazetarëve. (Zëri i Amerikës) Kështu deklaruen edhe ministrat e Luksemburgut, Finlandës, Austrisë. Edhe Britania e Madhe e kundërshton nji shkëmbim të këtill. Ndërsa, Shefja e politikës së jashtëme europiane, F.Mogherini, tha se do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në “krijimin e shteteve etnike”. Nji qendrim i këtill ashtë diametralisht i kundërt me ate të Presidentit serb, A. Vuçiç, se “ndarja ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike” ashtë pikësynimi i tij.

Përsëri, kundërshtimi i KM Haradinaj erdhi menjiherë dhe i plotë: ai ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj ideve për korrigjim kufijsh e shkembim territoresh, nji qendrim që Presidenti i Kosovës, H.Thaçi e cilësoi si “disa individë të caktuar po tentojnë të krijojnë panik dhe paqartësi…”. Z. Haradinaj shtoi: “Kosova ka paguar nji çmim të shtrenjtë për paqën që kemi sot dhe nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm….Njohja reciproke dhe paqja e qendrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibël nga kjo marrëveshje. Diskutimi për shkembimin e territoreve …krijon pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqën në Kosovë dhe rajon”. Para nji situate të këtillë, “partitë opozitare synojnë që me 4 shtator të mbajnë nji séancë të jashtëzakonshme të Parlamentit ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, si thuhet, ‘i ndalon presidentit dhe kujdo tjetër të negociojë për terësinë territoriale të Kosovës’ .”(Zëri i Amerikës, 31 gusht). Çdo shqiptar duhet të përkrahë këte qendrim!

Qendrimi i dy fuqive të mëdha del nga deklaratat e perfaqësuesve të tyne. Shkurtimisht: në se dy palët arrijnë nji marrëveshje, ata nuk do të sjellin pengesa.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh: “Dialogu Serbi-Kosovë ashtë ndertuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes dhe stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin europian të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveç se provokon emocione dhe retorikë populiste nuk sjellë dobi. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga shumica bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. …Pavarësia e Kosovës ka qenë një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme të BE-së dhe të SHBA-së në Ballkan… Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit, por do të vinte në rrezik edhe frymën e parimet e BE-së.”

Eksperti britanik për Ballkanin, Paddy Ashton, shqetësohet se nji ndryshim i kufijve Serbi-Kosovë do të lehtësojë mundësinë e bashkimit të të gjitha zonave të banueme nga serbët në nji shtet të vetëm serb. Deklaratat e KM serb Vuçiç se dëshiron “ndamjen e serbëve dhe shqiptarëve” gjithashtu kanë këte synim: formimin e shtetit etnik serb. Nji qendrim i tmerrshëm, nji zgjidhje që rrezikon çdo kohë paqën në Ballkan.

*****

“Në mes të serbëve dhe shqiptarëve pothuejse nuk ka komunikim. Kur të kalojë breznia e tashme kosovare që u rrit nën Jugosllavi, shqiptarët do te komunikojnë me ne, në gjuhën angleze. Në Prishtinë në vitin e parë të hapjes së fakultetit të sllavistikës në universitetin lokal, nuk u rregjistrue njeri. Në Serbi, askush nuk mëson gjuhën shqipe, as edhe kur kishim ‘Vëllaznim-Bashkim’. Praktikisht na nuk njohim njeni tjetrin” shkruen Zeljko Pantelic, në Vjesnik on line, me 30.VIII.2018).

Këte dëshiron KM serb Vuçiç: anmiqsi të përjetëshme, frikë e pasiguri!

Qendrime të këtilla tallen me idenë e europianizimit të Ballkanit. E kaluemja e hidhët e këtij kontinenti u përshtatet ma shumë sepse u lejon me grabitë tokët e të tjerëve- zakonisht të vendeve ma të vogla; shqiptarët e dinë mirë këte eksperiencë!-dhe me krijue shtete që i përngjasin “imperatorive” mesjetare të Car Dushanit…..

Për fat të mirë, koha ka ba punën e vet, dhe Europa me gjithë “gabimet” e së kaluemes, ka hy në nji fazë të qendrueshme përparimi, paqje dhe stabiliteti, e mbështetun në respekt reciprok, dhe në respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë kontinentin. Idetë e renesancës dhe të humanizmit e frymëzojnë!

Ideja e “europianizimit” të vendeve tona ashtë forma ideale e përparimit në të ardhmen tonë. Shqiptarët, kudo që banojnë, duhet ta përshëndesin dhe ta përkrahin. Për mendimin tim, ashtë e vetmja e ardhme që premton për ne dhe për breznitë tona .

Le ta përqafojmë!

Me 5 shtator 2001, ish Ambasadori amerikan në Tiranë, William E.Ryerson shkruente këte Letër: “ …Pa dyshim, merita për çlirimin e Kosovës i takon Sekretares (së Shtetit) Albright, që pati urtësinë me përkrahë ate që ishte e drejtë si dhe aftësisë saj me bindë “boss-in” (Presidentin Clinton) dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithate, ajo nuk do të dilte me sukses sikur ju, dhe të tjerë si ju, të mos kishin shpenzue vite të gjata sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe, akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tonë (amerikanë) mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.

Ju keni të drejtë me qenë kryenalt për të gjithë sukseset e jueja. Jo, ju nuk i keni arrijtë vetëm këto suksese; por, unë dyshoj në se pa përpjekjet e jueja të gjata, udhëheqsit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.

Sinqerisht i jueji, William E. Ryerson, ish ambasador i SHBA-së në Tiranë”

( Letter, to: Prof. Sami Repishti).

Ashtë me këte frymë që shkruej unë sot këto rradhë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë: nji dashuni e sinqertë për “Nanën Kosovë” – nji vëlla për motër e vëlla!