Më datë 10 shtator, Shqipëria duhet të kalonte përfundimisht në epokën e transmetimeve televizive dixhitale, pas fikjes së analogut në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit. Por, kalimi i plotë në dixhital zgjati vetëm një ditë dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, nën ndikimin e qeverisë, vendosi të lejojë transmetimet analoge deri në 15 janar të vitit të ardhshëm.
Përveç paradoksit të shtyrjes së radhës për një proces të paralajmëruar prej vitesh, kjo çështje ngre një problem tjetër. Brezi 800 që aktualisht shfrytëzohet për transmetime televizive analoge duhet t’i kalojë në përdorim operatorëve të telekomunikacioneve. Që në fillim të muajit korrik, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hapur zyrtarisht garën për dhënien në përdorim të frekuencave në brezin 800 Mhz.
Por, vendimi për të shtyrë fikjen e analogut pritet të krijojë pengesa në këtë proces, për shkak të problemeve teknike që mund të shkaktojnë interferencat eventuale në frekuencat në fjalë. Rrjedhimisht, shfrytëzimi nga operatorët e shërbimeve të lëvizshme ka pak gjasa të nisë para datës 15 janar 2019.
AKEP vlerëson se dhënia e brezit 800 Mhz në përdorim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike do të ketë një impakt të ndjeshëm në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Zhvillimi i infrastrukturës broadband në të gjithë vendin do të rriste aksesin në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si në tregti, shëndetësi, edukim apo në shërbimet publike në përgjithësi. Përmes këtij brezi, pritet të rritet depërtimi i shërbimit te internetit në familjet shqiptare, edhe në zonat rurale dhe me dendësi të vogël popullsie. AKEP ka vendosur që numri maksimal i autorizimeve që do të jepen do të jetë tre, çka iu jep hapësira të tre operatorëve celularë ekzistues për të përfituar spektër shtesë. Procedura e tenderimit do të bëhet duke i vlerësuar ofertat me raunde, me qëllim krijimin e mundësive të marrjes së frekuencave në këtë brez të paktën për tre operatorët aktualë të shërbimeve të lëvizshme. Sidoqoftë, në teori gara është e hapur edhe për ofertues të tjerë. AKEP ka përcaktuar se vlera minimale e ofertave për secilin autorizim duhet të jetë 7.44 milionë euro.
Pritshmëritë e AKEP janë për t’i siguruar buxhetit të paktën 22.3 milionë euro nga dhënia në përdorim e këtyre frekuencave. Megjithatë, duke pasur parasysh komentet e operatorëve në fazën e konsultimit publik, nuk është e thënë që të gjithë do të jenë të gatshëm ta paguajnë një shumë të tillë. Vitin e kaluar, të gjithë operatorët deklaruan rezultat financiar me humbje, ndërsa edhe në vitet e mëparshme dukej qartë një tendencë për rënie të fortë të fitimeve, e shkaktuar nga konkurrenca e ashpër dhe nga forcimi i rregullimit të tregut.