MENU
klinika

Nga Hermes Kafexhiu

Letërkëmbim me babain: Të jesh optimist për jetën!

03.09.2018 - 19:50

Im atë u nda nga jeta 3 vjet më parë. Por nuk më hiqet nga mendja ajo që shkruante 5 vjet të shkuara: Të jesh optimisht për jetën!

“Është kjo arsyeja për të cilën dua të shkruaj edhe pse ndonjëhere duhet të them gjëra të pakëndshme. E rëndësishme është që të ngelem optimist. Jeta nuk lihet në mëshirë të fatit, ajo nuk është llotari. Jam optimist për Jetën, gjithçka më duket e bukur dhe plot ngjyra. Jetoj në paqe me veten dhe ne pajtim të plotëme natyrën.

Gjithmonë eci para me besim në Zot dhe tek vetja, pa pasur tepri, por me këmbë në tokë. Përgjithësisht mendoj pozitivisht, me prirje për të bërë gjëra të mira. Më pëlqen të mendoj që gjëra do të shkojnë mirë. Kam dëshirë ta shoh gotën gjithmonë gjysmë plot…”

Tani që s’është më, optimizmi i tij më përlot! Ndoshta nuk mund të eci në hapat e tij, ndoshta dhe mund të shkoj më larg.
Këtë s’e di!

Për kureshtje do doja shumë ta dija nëse do të kisha aq forcë sa im atë për t’i kaluar sfidat. Katërcipërisht të ndryshëm në tipologjitë tona ndoshta për nga kohët, ndoshta edhe nga principet, por pa dyshim të ngjashëm në ndjenjën për jetën, për natyrën dhe njerëzit e thjeshtë, por mbi të gjitha për punën.

Ai i palodhur në punë, por edhe unë të paktën e ndiej se deri tani nuk jam lodhur edhe pse për shkak të punës ca gjëra i kam lënë mangut ende. Të përkushtuar tërësisht në ambiciet tona, edhe pse krejt të kundërta për nga lloji.

Kjo imja është ca më e vështirë, e di, edhe ai e dinte…
Ai e dinte që do më merrte shumë kohë, do më merrte energji por mbi të gjitha siç ai shpesh thoshte do tentonte herë pas here të më merrte natyrën, të më integronte në udhë me qasje që të largojnë ndonjëherë nga sinqeriteti dhe të ndukin në rrugë pragmatiste dhe shpesh herë të pamëshirshme.

Punët për nga lloji kanë dhe kapelën…

Edhe optimizimi na mbeti i përbashkët. Forca për tu imponuar me natyrat dhe komunikimit tonë ka po atë grind të përbashkët.Vlerën mbi fjalën e mbajtur dhe mirënjohjen, sidomos kjo e fundit na mbeti e lidhur fortë.

Fjalë ai më pak, unë ca më shumë por në thelb të bisedave si tek të mijat dhe të atij kanë qenë fenomenet.

Ai konservator i palëkundur me një stoicizëm mbi të cilin nuk depërtoi asnjëherë dualiteti për t’i ndryshuar bindje. Kritik i zëshëm i krimeve të sistemit të diktaturës dhe artikulues i palodhur i domosdoshmërisë shoqërore për republikën dhe për djathtën. Kundërshtarë i të majtëve dhe i çdo trashëgimie që erdhi pas tyre. Nuk bëri kurrë kompromise edhe kjo nuk e pengoi asnjëherë.

Kurse unë këtu nuk i ngjava fare mesa duket, edhe pse tani që jam plotësisht i bindur për pikëpamjen time (e vështirë të kuptohet kjo, referuar dialektikës së kohës) nuk do doja t’i ngjaja tek kjo pikë. Me besimin idealist të fituar në kohët kapitaliste, ku këmbët në tokë mos t’i ngrejnë krahët në ëndrra, kam bindjen se forca e përbashkët shoqërore e bazuar në drejtësinë sociale, forcën e edukimit me themel shoqëror të bazuar në idenë për dijen dhe për ekonominë do ta bëj më të mirë të ardhmen tonë. Kritik po aq sa ai për të shkuarën e bindjes time politike dhe për sistemin që na trashëgoi, edhe me besimin se e vjetra jonë e dikurshme nuk ka për të qenë histori që përsëritet, por një e re vazhdimisht e ndryshueshme dhe me një qasje drejt përmbajtjes.

Të dy kundërshtarë të horrave dhe mediokritetit, pa Pazar!

Ai pa vese po me huqe, unë i kam ca vese por huqet si kam kuptuar ende.

Libra ai, libra unë!

Krenar unë për të, kurse ai për mua pak më vonë me siguri që plotësisht.
Të dy pa komplekse dhe të dy të pa u shkëputur nga Shqipëria!

Ndaj unë sot tek pashë këtë status që ai e shkruante 5 vite më parë, e ndaj më këdo ndjekës si një hapësirë ku rrjeti mos të na shërbejë vetëm për të treguar sesa mirë vishemi dhe sa nivel i lartë jemi, por për të parë se kuptimi i jetëve tona është i përbashkët, dëshira për qetësinë, për personalitetin, të vërtetën, materialen, spiritualen por mbi të gjitha për dashurinë për jetën.

NDAJ QËNDRO OPTIMIST!

Im atë e shkroi tekstin pak javë pasi kish mësuar se nuk e kish jetën të gjatë.
Nuk ka ndjesi më të bukur në botë se të jesh i lirë për ëndrrat e tua.

Ne të dy, jemi të lirë babush…Padyshim!

Pasurohet oferta turistike e qytetit

Hap dyert Muzeu Etnografik i Kavajës

Nga Athina në Rumani e kthimi në atdhe

Jeta e trazuar e Lasgush Poradecit!

Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

Nis Panairi i Librit 2024