Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në rast të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë paralajmëron referendum. Analistët politikë, tregojnë se presidenti po përpiqet të përgatisë opinionin publik për një marrëveshje me shumë kosto dhe që do t’i kushtojë Kosovës.
Përveç idesë së korrigjimit të kufijve, tashmë presidenti Thaçi paralajmëron edhe ndryshime kushtetuese, gjë që do t’i hapte rrugën edhe marrëveshjes finale me Serbinë.
Analistët politikë në Kosovë, shpjegojnë që një lëvizje e tillë pritej nga presidenti Thaçi, pasi që pretendimi i tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, nuk mund të realizohet me Kushtetutën aktuale të Kosovës.
Frika e analistëve kosovarë qëndron te fakti që ndryshimet kushtetuese do të vijnë së bashku me një marrëveshje me komunitetin serb për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS), në mënyrë që ky Asociacion (Zajednica), të zotërojë kompetenca ekzekutive.
“Ne duhet ta kuptojmë se në rast të arritjes së marrëveshjes Kosovë – Serbi, me njohje reciproke, do të ndryshohet edhe Kushtetuta e Kosovës, do të plotësohet dhe do të ndryshohet edhe dokumenti i presidentit Ahtisaari dhe do të kemi një dokument të përputhshëm me realitetin e ri që do të krijohet”, ka deklaruar Thaçi.
Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ka konsidereruar që presidenti Thaçi po vazhdon me deklaratat e tij skandaloze.
“Fatkeqësisht atë që nuk ka mundur ta bëjë Serbia qe një dekadë pas pavarësisë presidenti Thaçi po e bën për disa javë ose muaj. Pra, për pak kohë ka kthyer tërë botën kundër shtetësisë së Kosovës, duke përfshirë edhe disa nga aleatët tanë më besnik”, ka theksuar Sejdiu.
Juristi dhe analisti Lekë Batalli, shprehet se realizimi i idesë së presidentit për ndryshimet kushtetuese nuk mund të ndodhë.
“Kushtetuta në nenet ku përkufizon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës parashikon pacenueshmërinë e territorit të Kosovës dhe se Kosova nuk mund të ketë pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera”, ka thënë Batalli.
Analisti Eugen Cakolli thotë se Thaçi po synon që ta parapërgatitë opinionin e gjerë për një marrëveshje të dhimbshme me Serbinë.
“Në fakt, ideja për ngritjen e kësaj çështjeje në nivel për ndryshimin e Kushtetutës është treguesi më i qartë se bëhet fjalë për diçka më tepër, duke qenë se për ta ndryshuar Kushtetutën, ta zëmë për bashkimin e Luginës, nevojitet shumica e dyfishtë, që i bie se pa votat e Listës Serbe aktualisht nuk mund të bëhet ndryshimi i Kushtetutës në këtë drejtim”, ka theksuar analisti Cakolli.
Duket që këto manovra politike të Thaçit sipas analistëve janë të rrezikshme dhe me një kosto të lartë, pritet të shihet në të ardhmen se çfarë do të ndodhë.