Banorët e zonës morën pjesë në dëgjesën publike të zhvilluar për ndërtimin e inceneratorit për trajtimin e mbetjeve në zonën e Sharrës. Qytetarët përveç përmirësimit të ajrit në zonën ku banojnë, kërkuan edhe punësimin e tyre tek subjekti që do trajtojë mbetjet.
Projekti për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës në Sharrë është paraqitur në një dëgjesë me grupet e interesit në Tiranë.
800 ton mbetje në ditë do të trajtohen me teknologji të re, e cila do të sjellë përmirësimin e ajrit në zonë.
Përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave u larguan nga takimi gjatë prezatimit për shkak se nuk ishin dakord me djegien e mbetjeve.
Ndërsa banorët shprehen pakënaqësi për ajrin e ndotur në zonë, por përfaqësues të kompanisë koncesionare pretenduan se ky fenomen do të marrë fund pas ndërtimit të inceneratorit.
Banori: Kam punuar këtu dhe 20 vjet tek këto plehrat, kam ushqyer kalamajtë. Tani kam që për Vit të Ri jam pa copën e bukës. Po nuk besove hajde me mua dhe të shkojmë tek shtëpia. Janë të gjitha të vërteta, nuk janë mashtrime.
Të pranishëm në degjesë ishin edhe përfaqësues të PD-së, të cilët u shprehën kundër këtij projekti.
Jamarbër Mallatezi: Zotërinjtë po vjedhin 128 milionë euro, ndërkohë që fondi i shpronësimeve është vetëm 2 milion euro. Ky është një projekt korruptiv, subjekt i ligjit antimafia dhe asnjë nga ato që do ti vjedhë nuk ka për ti gëzuar.
Por pavarësisht kundërshtive të tyre, banorët kërkuan largimin e përfaqësuesve të PD, pasi kërkojnë zgjidhje dhe jo debat politik.
Projekti për trajtimin e mbetjeve është parashikuar të zgjasë rreth 6 vjet, ndërsa sasia e përgjithshme e mbetjeve në fund të këtij afati do të jetë rreth 900 ton në ditë.