MENU
klinika

Dossier/ Pjesa e parë

Minoritetet e Ballkanit, bashkëjetesë e trazuar

17.09.2018 - 11:39

Krijimi i komb-shteteve në Ballkan krijon një pejizazh të larmishëm në shumë shtete dhe shumë kultura. Në pamje të parë Ballkani duket një pamje e pastër genetike për nga etnitë, nga një shtet në shtetin tjetër. Megjithatë, Ballkani është mjaft heterogjen porsi e gjithë Europa dhe kontinentet e tjera. Për nga mënyra sesi janë formuar komb-shtetet pas shekullit të XVIII kanë në gjirin e tyre me ose pa dëshirë grupe kombëtare, minoritete apo pakica që i japin ndryshuemëri kulturave të shteteve. Sa në marrëdhënie harmonike midis tyre dhe shteteve ku janë vendosur, aq edhe në persekutime dhe luftë me njëra-tjetrën. Po si paraqitet situata në Ballkan pas viteve 1945 dhe çfarë specifikash kanë? Janë disa minoritete që shpalosen për nga mënyra sesi jetojnë sipas studiuesit Bernard Lory. Ndër to mund të përmendim:

1-Grekët e Shqipërisë

Grupi minoritar më i madh në Shqipëri nuk arrin me siguri në 400 000 persona, si pretendojnë ambientet nacionaliste në Greqi, të cilët ngatërrojnë vazhdimisht qytetarët shqiptarë të besimit ortodoks me qytetarët shqiptarë që kanë gjuhë të nënës greqishten.

Nëse ortodoksët janë në fakt nga 17%, deri 20% të popullsisë së vendit, grekofonët nuk zënë veçse 2.5% deri në 3%, afro rreth 80 000 persona, kryesisht të vendosur në Jug, në zonën e Sarandës e të Gjirokastrës. Qyteti i Korçës, që në fillim të shekullit ishte front i avancuar i helenizmit, sot duket krejtësisht i shqiptarizuar.

Minoriteti grek i Shqipërisë ka gëzuar, në regjimin e Enver Hoxhës, një liri të caktuar kulturore: shkolla në gjuhën greke dhe madje një insitut pedagogjik në Gjirokastër, tekste shkollore dhe gazetë (Laiko Vima). Nga ana tjetër, çdo manifestim i komunitetit në planin fetar ishte i ndaluar egërsisht, ashtu si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë.

Grekët e Shqipërisë janë në qendër të mosmarrëveshjeve greko-shqiptare. Vija kufitare e caktuar nga Fuqitë e Mëdha (Konferenca e Londrës, 29 korrik 1913) nuk është pranuar kurrë nga ambientet nacionaliste në Greqi që në raste të shumta kanë ngritur çështjen e ‘’Epirit të Veriut’’, duke penguar rivendosjen e marrëdhëneive diplomatike (6 maj 1971) dhe heqjen e ‘’Ligjit të luftës’’ absurd të mbetur ndërmjet dy vendeve që nga viti 1940 (23 gusht 1987).

Shekulli i XX pa shembjen e helenizmit të shkëlqyer ‘’periferik’’(largimin me forcë të grekërve nga Azia e Vogël më 1923, nga Bullgaria më 1924, nga Stambolli më 1955, nga Aleksandria në fund të vitit 1989), gjë që pjesërisht shpjegon egërsinë që lënë pas, të shprehur në një irredentizëm të vogël fetar.

2-Shqiptarët e Kosovës (tashmë shtet i pavarur-shënim redaksia)

Krijimi i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve ndodh vonë (fund shekullit XIX) dhe nuk është marë parasysh në planet territorial të fqinjëve të tyre ballkanikë.

Mbas luftës së Parë ballkanike, megjithëse ata e kishin shpallur pavarësinë e tyre (28 nëntor 1912), është kryesisht ndërhyrja e Austro-Hungarezëve që, duke e dashur të ndalojë daljen në Adriatik të Serbisë, përcakton kufijtë e shteteve ballkanike. Këta bëhen kështu një transaksion diplomatik, ku shqiptarët nuk marrin dot fare pjesë.

Mbesin jashtë këtyre kufijve nacionalë shqiptarët e Epirit në Jug, të Maqedonisë në Lindje, të Malit të Zi dhe Kosovës në Veri. Këto të fundit kanë luajtur një rol aktiv në formimin e ndërgjegjes kombëtare (Lidhja e Prizrenit 1878-1881), Lidhja e Pejës/Peçit) dhe do t’i rezistojë përthithjes nga mbretëria serbe dhe pastaj jugosllave.

 Kosova do të jetojë nën kontroll të rreptë policor nga viti 1918 e deri në ditët tona, me ndërprerjen që shënon periudha e Shqipërisë së Madhe nën patronazhin fashist e pastaj nazist nga viti 1941 deri më 1945, gjatë viteve të fundit të përkohshme nga viti 1966 deri më 1981, gjatë viteve të fundit të Titos.

Gjatë kësaj periudhe të rëndësishme popullsia që kishte mbetur shumë tradicionale njeh një modernizim të shpejtë, universitetin e Prishtinës në vitin 1970 mundëson daljen e një elite intelektuale dhe teknike. Procesi i urbanizimit nis vonë (Prishtina kalon nga 41 000 banorë në vitin 1961 në 210 000 në vitin 1981, Ferizaj/Uroshevaç nga 12 000 në 114 000).

Përpjekjet e mëdha për investime të bëra nga Federata, japin gjithsesi rezultate zhgënjyese. Më shumë nga rrëmuja që krijon nomlekatura lokale, për këtë gjendje është përgjegjëse rritja demografike.

Me përqindje lindjesh prej 40,5% në vitin 1965 (35.1% në vitin 1985) dhe të vdekshmërisë prej 10.9% (6.7%) Kosova, ashtu si Shqipëria fqinjë, përbën një përjashtim të jashtzakonshëm në tablonë demografike të një Europe në plakje.

Kjo popullsi shumë e re mbetet kryesisht rurale, duke qenë se qytetet e Kosovës nuk mund të absorbojnë dhe në qendrat e tjera urbane të Jugosllavisë nuk gjendet mjedisi kombëtar shqiptar (migracioni atno-synues, karakteristik për të gjithë popujt e Jugosllavisë).

 Për pasojë, densiteti i popullsisë së këtij territori prej 10 900 km² kalon nga 75 banorë/km² në vitin 1961 në 180 banorë/km² në vitin 1991. Një popullsi shumë e re, rurale, e papunë, tepër e madhe në numër, një depo e vërtetë shpërthyese sociale. Përballë kësaj situate shpërthyese, populli serb i jep rajonit të Kosovës vlerë simbolike të jashtzakonshme.

Kujtimi i mbretërimit mesjetar serb dhe i betejës së 1389-ës, të përcjella dhe të stërlavdëruara nga poezia popullore, janë riorkestruar më pas nga romantizimi nacional i shekullit XIX. Dëshmitë e shkëlqyera arkitekturale (Deçan, Graçanicë, Pejë etj.) kapërcejnë shekujt.

Megjithatë, që kur Serbia ka vendosur autoritetin më 1912 mbi këtë territor aq të lakmuar, popullsia serbe atje është në minoritet dhe përpjekjet për të vendosur kolonë në periudhën ndërmjet dy luftrave nuk do të ndryshojnë dot këtë raport.

Përkundrazi, mbas luftës së dytë Botërore, eksodi rural e çon popullsinë serbe drejt qendrave industriale, ndërsa shqiptarët mbesin aty: nga 23,6% e popullsisë në vitin 1961, serbët nuk përbëjnë më shumë se 13,2% në vitin 1981 (210 000, plus 27 000 malazez, kundrejt 1 230 000 shqiptarëve). Keqësimi i marrëdhënieve ndërkomunitare, veçanërisht në vitet 1980, është një arsye më tepër për emigrimin.

Kriza shpërthen në pranverë të vitit 1981. Parulla ‘’Kosova-Republikë!’’ lëshohet nga studentët që duke përdorur gjuhën shqipe, nuk kanë prespektivë pune jashtë provincës autonome: atyre u duhet të ‘’heqin nga puna’’ aparatçikët serbë që kanë zënë postet vendimtare qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Kjo parullë kuptohet ndryshe nga ana e autoriteteve serbe që shohin atje vullnet irredentist (Kushtetuta u garanton republikave të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje). Pasojnë masa represive dhe manifestime. Pikërisht rreth çështjes simbolike të Kosovës kristalizohet zgjimi i nacionalizmit serb, që shfrytëzohet me zotësi nga Sllobodan Millosheviçi për ardhjen e tij në majë të pushtetit.

Tema e mbrojtjes së interesave serbe në Kosovë i jep atij një mbështetje masive popullore. Mund të thuhet se shpallja e të drejtës së vetvendosjes për Kosovën nga ana e Parlamentit të Prishtinës, pasuan nga shpërndarja e tij autoritare nga Beogradi (2 dhe 5 korrik 1990), shënojnë fillimin e shpërbërjes së sistemit federal jugosllav.

3-Turqit e Greqisë

Gjendja e turqve në Greqi ka ndryshime të dukshme nga ajo e bashkëkombasve të tyre në Bullgari. Pesha e tyre numerikë është në të vërtetë më e dobët (pa dyshim 120 000 persona, rreth 1.2% e popullsisë së vendit) dhe vendndodhja e tyre kufizohet në Trakën Perëndimore (dhe në disa pjesë të ishujve të Rodit dhe Kosit).

Kjo gjendje rrjedh drejtpërsëdrejti nga viti 1920: një minoritet i madh turk i Maqedonisë greke shkëmbehet atëherë me një popullsi akoma më të madhe greke të Azisë së Vogël. Por popullsia turke e Trakës Perëndimore gjendet e mbrojtur formalisht, ashtu si edhe minoriteti grek i Stambollit, Imbros dhe Tenedos (Traktati i Lozanës, 24 korrik 1924). Nga ky fakt ajo bëhet i vetmi minoritet nacional që ka status zyrtar në Greqi.

Kjo popullsi ruan lidhjet e saj të kultit, ka shkollat e gazetat e veta. Ajo nuk është më pak e lënë pas dore politikisht dhe ekonomikisht, në një masë të madhe për shkak të pozicionit të saj të zhvendosur nga qendra dhe delikat nga pikëpamja strategjike, për pasojë mjaft e militarizuar.

Nga ana tjetër, ajo ka lidhje të ngushta me Stambollin, kryeqyteti kultural i Turqisë, dhe emigrimi është synimi i vazhdueshëm për të shpëtuar nga diskriminimi poshtërues që vuan. Më 1985, për herë të parë, zgjidhen deputetë të pavarur myslimanë nga parti tradicionale greke, gjë që nuk e lë të pashqetësuar Athinën.

Minoriteti i Greqisë nuk është veçse një pjesë e skakierës së mosmarrëveshje greko-turke, ku çështjet kryesore janë problem qipriot, ndarja e platformës kontinentale të detit Egje, NATO-ja, Komuniteti Europian, ekuilibrat ballkanike.

4-Truqit e Bullgarisë

I njëjti raport i përmbysur, ndërmjet zotëruesve dhe të zotëruarve, haset edhe në marrëdhëniet ndërmjet bullgarëve dhe turqve që jetojnë në territorin e tyre nacional. Por ndryshe nga hungarezët e Transilvanisë, turqit e Bullgarisë nuk janë mbartës të modernitetit perëndimor; përkundrazi, ata janë një popullsi rurale me prirje për t’u kapur fort mbas një arkaizmi e për t’i shpëtuar synimeve të asimilimit (‘’emancipimit’’) që vijon nga Sofia.

Në numër 660 000 në vitin 1956 (8,6% e popullsisë) , ato shkojnë afro një million në vitin 1989 (11% e popullsisë), të përqendruar në Lindje të vendit rreth dy qendrave kompakte: Shumenit dhe Razgradit në fushën pjellore danubiane, dhe Karaxaliut në kodrat e varfra të Rodopit Lindor.

Megjithëse qysh prej vitit 1878 e ka dobësuar në mënyrë të vazhdueshme një rrjedhë emigrimi drejt Perandorisë Osmane pastaj drejt Turqisë republikane, veçanërisht duke i thithur elitat sociale dhe kulturore, ky minoritet dëshmon një vitalitet të lartë, ndërsa vetë popullsia bullgare, duke filluar prej viteve 1960, pati një rënie në planin demografik. Ato luhaten ndërkohë mes dy qëndrimeve kontradiktore: asimilimit dhe dëbimit përtej kufijve.

Nga viti 1956 deri në fillim të viteve 1980, do të zvogëlohen vazhdimisht të gjithë avantazhet arsimore dhe kulturalë të minoritetit turk, deri në zhdukjen e plotë të çdo forme arsimore, të çdo botimi në gjuhën turke dhe madje, vende-vende, deri në ndalimin e përdorimit publik të kësaj gjuhe.

Asimilimi i turqve nga ana e kombit bullgar mbetet megjithatë i pamundur në thelb, sepse çdo ngjarje nacionale historike bazohet në përjashtimin e botës turke (të botës osmane, në të vërtetë, por ky dallim bëhet rrallë).

Kjo kontraditë shpërthen hapur me fushatën absurde dhe tronditëse për ndërrimin e emrave (emrave dhe mbiemrave) turko-myslimanë në emra bullgaro-kristianë gjatë dimrit 1984-1985, fushatë që solli si pasojë formimin klandestin të ndjenjës komunitare të minoritetit turk.

Qëndrimi tjetër është ai i ‘’valvulës demografike’’. Emigracioni drejt Turqisë kryhet në tri etapa: më 1950-1951 me 155000 të larguar, gjë që e detyron Ankaranë të mbyllë kufijtë në mungesë të kapaciteteve pritëse; pastaj nga 1968-1978, kur marrëveshjet e dyanshme lejojnë largimin e 70 000 personave; së fundmi gjatë verës së vitit 1989, kur regjimi i Zhivkovit i ndodhur ngushtë në planin ekonomik, kërkon t’i pëlqejë Perëndimit duke liberalizuar udhëtimet në vendet e huaja; eksodi i madh i rreth 300 000 turqve e trazon mjaft ekuilibrin e vendit dhe përshpejton, në fund puçin e 10 nëntorit 1989.

5-Hungarezët e Rumanisë

Minoriteti gjuhësor dhe fetar (kalvinist ose katolik), hungarezët e Rumanisë (1 425 000 banorë më 1930: 1 620 000 të regjistruar më 1992, që paraqesin 7.1% të popullsisë së vendit), banojnë në principatën e lashtë të Transivanisë dhe në fushën perëndimore, në kufi me Hungarinë.

Lokalisht, ato përbëjnë një shumicë absolute (judët të Kovasnas dhe Harigitas- ‘’zona sicule’’. Sipas Traktatit të Trianonit (4 qershor 1919) Hungaria e paguan rëndë arrogancën dhe sjelljen e vrazhdë që tregoi kundrejt minoriteteve të veta gjatë një gjysmë shekulli.

Populli i vjetër mbizotërues u ndodh minoritar në kuadrin e Rumanisë së Madhe; fuqia e tij ekonomike u shkatërrua veçanërisht nga reforma agrare e vitit 1921.

Lufta e Dytë Botërore e rizgjon konfliktin me arbritazhin e Vjenës (30 gusht 1940), duke e detyruar Rumaninë të kthejë Transivaninë e Veriut. Prej dy palëve ndërmerren akte të shumta dhune. Vendosja e komunizmit në Rumani dhe Hungari, ish-aleatë të Gjemranisë Naziste, i detyron të dy vendet që t’i varrosin mosmarrëveshjet e tyre.

Partia Komuniste e Rumanisë, duke kërkuar të rekrutojë me shpejtësi anëtarë, i kthen sytë nga minoriteti hungarez. Vasile Luca, një ndër figurat më të larta të regjimit të ri, është hungarez. Ndërsa ai eliminohet në vitin 1952, si një masë kompensimi në këtë drejtim shërben krijimi i Rajonit Autonom Hungarez (me Tirgu Mureshin si kryeqendër).

Ngarjet e tetorit 1956 në Budapest ndiqen me pasion nga ana e hungarezëve të Rumanisë, por Georgu Dezhi jep mbështetjen e tij për qeverinë e Janosh Kadarit.

Afrimi ndërshtetëror që krijohet i lejon Rumanisë të marrë një qëndrim me represiv ndaj minoritetit: në vitin 1958 ka një stastrim të intelektualëve hungarezë që janë kompromentuar më 1956; në vitin 1959 bëhet shkrirja ndërmjet universitetit hungarez të Kluzhit dhe atij rumun: në vitin 1960 bëhet riorganizimi i ‘’Provincës autonome të Mureshit’’(përqindja e hungarezëve atje kalon nga 77% në 62%), provincë autonome që përfundimisht pushon së qeni në vitin 1986.

Çështja rumuno-hungareze ka një rizgjim në gjysmën e dytë të viteve 1980, kur fati i hungarezëve të Transilvaninë bën të nxjerrë kokë sërish ndryshimi politiko-ekonomik ndërmjet Hungarisë, në pararojë të perestrojkës, dhe Rumanisë së tkurrur dhe ligështuar. Më 1987-1988 në Hungari kalojnë 20 000 vitin 1989. Në mënyrë të veçantë denoncohet si një makinacion anti-hungarez projekti i sistemit të fshatrave.

(Marrë nga libri ‘’Europa ballkanike nga 1945 në ditët tona’’)

Përgatiti Eugent Kllapi