Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme Projektligjin për transformimin e Forcave t Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha bëri prezantimin e tre projektligjeve bazike si projektligji i ‘Ligjit për FSK-në’, projektligji për ‘shërbim në FSK’ dhe atë për ‘Ministrinë e Mbrojtjes’ përpara kabinetit qeveritar.
Ministri i FSK-së tha se Projektligji për FSK-në mundëson shndërrimin në një forcë me kompetencë dhe detyra të reja.
“Projektligji për FSK-në mundëson që FSK-ja të shndërrohet në një forcë me kompetencë dhe detyra të reja, dhe kalimin e ministrisë së FSK-së në ministri të mbrojtjes”, ka thënë Berisha.
Ministri ka prezantuar gjithashtu edhe Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Për Ministrinë e Mbrojtjes bëhet kalimi i Ministrisë së FSK-së në ministri të Mbrojtjes me qëllim të mbikëqyrjes mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saja”, tha Berisha.
Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e sotme të qeverisë u zotua se nëse jo me ndryshime kushtetuese, ushtria do të bëhet vetëm me ndryshim të ligjit.