MENU
klinika

Opinion

Mitingu, protesta dhe liderët despotikë

30.09.2018 - 09:35

Nga Ndue Ukaj/

Frederik Rreshpja është poet i madh shqiptar, që ka kaluar nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë totalitare, për shkak të artit të tij, të vjershave politike, në të cilat shigjetonte ashpër regjimin despotik të Enver Hoxhës.

Reshpja ka shkruar shumë poezi me tematikë politike dhe në artin e tij, ka politikë, në kuptimin çfarë ka politikë në një pjesë të madhe të artit botëror, që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme.

Te poezia me titull “Liderët”, Rreshpja, shkruan për liderët e kohës së tij, dhe i portretizon ata si të degjeneruar e fals, me një tru sa një zog dëbore. Gjuha e Reshpjes është eksplicite, ai nuk fshihet pas figurave dhe domethënieve të vështira për të përçuar mesazhe dhe ide politike.

Gjuha e tij për politikanët despotikë ishte dhe mbetet alarmuese.

Në këtë poezi, Rreshpja është kundër lavdisë së pjerdhur të liderëve, prej së cilës pësojnë njerëzit e lirë, ata që mbesin pa Itakë, siç ishte poeti, i cili atë e kërkonte larg atdheut fizik ku jetonte, e kërkonte në qenësinë e poezisë, sepse atdheu për të dhe shqiptarët ishte shndërruar në ferr të vërtetë.

Poezia “Miting për Enver Hoxhën” është një poezi tjetër politike, shumë domethënëse, që mund të lexohet në secilën kohë dhe në secilën shoqëri, ku ka turbulenca politike dhe turma injorante që gjunjëzohen para liderëve, rrëzojnë një të vjetër dhe krijojnë një të ri. Reshpja, në këtë poezi, i fishkëllen turmat që prodhojnë liderë despotikë, si Hoxha, që Shqipërinë e shndërroi në ferr të vërtetë:

“Ulërijnë servilët dhe injorantët: hosana!

Turma pa tru të bie në këmbë.”

Poeti profetizon se, do të vijë një ditë, kur despoti do të bjerë, por ajo çfarë ndodh pastaj është po aq e tmerrshme sa dhe shqetësuese, sepse turma injorante do të gdhendë ndonjë diktator të ri.

“Por do të vijë një ditë kur bronxin tënd

Turma do ta shqyejë me egërsi.

Dhe, do të gdhendë për mallkim

Bronxin e një diktatori të ri”

Këto vargje të Reshpjes, profetike, të shkruara në vitin 1982, kanë dramaticitet, dhimbje, pikëllim dhe përçojnë një mesazh për secilën kohë, për secilën stinë dhe për secilën shoqëri.

Tingëllojnë aktuale, sikur të ishin shkruar sot. Dhe kështu mund të tingëllojnë edhe nesër ose në vitin e largët 2050.

Në anën tjetër, këto vargje, mund të shërbejnë për katharsis politik, në secilën shoqëri, sidomos në ato të brishtat, ku turmat bien para gjunjëve të liderëve, rrëzojnë një të vjetër për të krijuar një të ri.

“E shkruara vetëm prej skllevërit” është një poezi tjetër, ku Reshpja fishkëllen këtë fenomen me kamçik të fortë:

“Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje

Te këmbët e diktatorit jeni shtrirë.”

Duke e kontekstualizuar poezinë e Reshpjes në realitetin tonë politik, shohim se ky fenomen tragjikomik na ndjek si hija, ankthshëm.

Mjerisht, Shqipëria dhe Kosova, edhe sot ballafaqohen me liderë të këqij. Të tillët, atdheun tonë e kanë shndërruar në një tokë dhimbjesh, klithmash dhe vajtimesh.

Si pasojë e këtyre liderëve, sot, të paktë janë ata shqiptarë, që me zemër dhe ndërgjegje, i dëgjon të thonë: lumi unë për vendin tim.

Në të kundërtën, gjatë gjithë ditës, në vende pune, kafe, rrugë, institucione, shkolla, institucione të larta të dijes dhe religjionit, etj, dëgjon njerëz tek ankohen, lëshojnë kukama, shprehin ankth, dëshpërim, paqartësi e pasiguri për vendin e tyre.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!