MENU
klinika

ZOJA E BEKUEME, LËVIZI

“Mrekullia” e Bruno Shllakut

10.09.2018 - 11:38

Kinematografia Shqiptare ende godet me mjeshtërinë e artit të saj. Duket se edhe pse kohë munguar apo fshehur pas mjegullës filmat shqiptarë shpresojnë të dalin përtej. Diku tej harresës së njerëzve, dremitjes së realitetit tonë për të rikthyer sërish kujtesën përmes artit. Art që ndonjëherë flet për ëndrrat e munguara, dashuritë e pagjetura me gjuhën e shpresës. Dhe mrekullia ndodh!

Për artistin e filmit dhe skenës Bruno Shllaku, kjo qenë një sfidë jo e lehtë e cila triumfoi mbi “mundimin e heshtur” të dyshimit regjisorial. Kolosi i Shkodrës ia doli të na godasë me dhimbjen dhe forcën që do të shohim tek “Mrekullia” filmi tij i ri, që për publikun e Tiranës do të shfaqet më datë 21 shtator në Katedralen e Shën Palit.
Përgjatë bisedës me të, Shllaku na lë të kuptojmë se “Mrekullia” është një mrekulli e vërtetë. Një ndihmesë e madhe dhanë interpretët e komunitetit Musliman për mishërimin e filmit që i kushtohet mbrojtëses së qytetit të lashtë, Zojës së Shkodrës. Edhe pse në kushte të pa përballueshme nga te ftohtit që i shoqëroi në ditët e xhirimit, ky grup monolit i vendosur dhe i pakthyeshem, bëri të mundur për herë të parë në historinë e pelikulës shqiptare këtë vepër religjioze.

” Tek rrije dhe vështroje interpretët – rrëfen Shllaku – arredimin, ndriçimin, efektet atmosferike, përfshirjen e pafund të figuranteve si edhe të tufave te kopeve te paqta të dhenve, të krijohej përshtypja se filmi ishte nën përkujdesjen e një shtëpie të madhe e të pasur filmike.” Ndërsa shton se shkolla interpretative e aktores të teatrit “A. Moisiu” në Durrës, krijoi një atmosferë që vetëm mjeshtret e mëdha munden ta bëjnë në interier e eksterier.

“Angazhimi i kësaj artisteje – vijon ai- vjen për të thënë fuqishëm zërin e një nëne kristiane të devotshme kur padrejtesia gjykon drejtësinë. Nëna e Mimoza Marjanakut sillet e përlotur nga banoret e qiellit duke vënë në vend drejtesinë. Lidhjet vertikale të botës së brendshme shpirtërore të Marjanakut ishin të kodifikuara në zemër pa mëdyshje ndaj krijuesit të Gjithësisë.”
E quajtur si Anna Magnani e Shqipërisë, aktorja navigon pa teprica e rrëngalla dramatike që në film mund të tingëllonin edhe arkaike. Në portretin e saj lexohet dhimbja, toleranca, falja dhe asnjëherë përkulja.

” Me plot bindje them se aktorja në fjalë është përzgjedhur mjeshtërisht nga regjia – thekson Shllaku. Kulminacioni interpretativ i saj vjen si një lagsht emocional kur ajo bashkëbisedon me Zojën e Shkodrës – statujë, ku befas të dy nënat merren vesh me sy, buzeqeshje e me lot …tashmë mermeri është kthyer në qënien më të dashur në sytë e interpretes. Befasuese dhe një gjetje kinematografike kuptimplotë kur aktorja kthehet nga salla ku besimtaret janë të panumërt dhe ajo belbëzon fjalët : “Zoja lëvizi, Zoja levizi!” Mendoj se me këtë batutë Marjanaku ka hedhur një frymë të re interpretative në ekranin e madh.”

Ndërsa vetë aktorja tha se kishte kohë që mendoheshe të angazhohej në një film-ëndërr.

” Një natë tetori- citon ajo- më erdhi një skenar nga regjisori Bruno Shllaku. E lexova me një frymë. U entuziazmova pa masë nga situatat e mrekullueshme që kalonte ky personazh. Ankthi , entuziazmi, dëshirat, emocionet, dashuria për atë figurë që vetëm në legjenda e kisha dëgjuar me bënë që të ndjehem mirë . Një diçka që s’mund të rri pa e thene më grrici emocionalisht sa i takon arkitekturës artistike të kësaj figure. Unë jam Mimoza Marjanaku dhe i përkas një komuniteti tjetër fetar. Më kupto drejt, nuk e di se sa do të jem ortopedike t’i përshtatem besimit kristian të kësaj figure komplekse – i thashë regjisorit Shllaku. Për çudinë time një përgjigje apriori e prerë me erdhi nga ana tjetër e receptorit. ” Mos mendo si mendon Mimoza Marjanaku. Ju jeni ajo nënë që jeni në lidhje direkte me banorët e Qiellës.” Per mua ishte ajo nata që fillova xhirimet e filmit ” Mrekullia”!

Sekuencat e tjera që pasojnë filmin marrin forcë e vitalitet nga ndërhyrjet e Aishe Starit (Mjeshtre e madhe), Dana Xhaj, Xhovalin Kolaj, Fatjona Hakaj, Megi Kolaj dhe ass/ regjisor Luis Shllaku. Muzika e Gjon Shllakut është nje relike e varur bukur në qafë e këtij materiali emocional. Seleksionimi i efekteve ,kamera e Elvis Jakaj si dhe kamera 2-të e Samoel Pjeshka bëjnë të mundur lexueshmërinë profesionale të kuadrove të filmit. Skenari dhe regjia e Bruno Shllakut ishin vërtet ë denja për një dedikim të filmit ndaj asaj që tingëllon fjala me e shtrenjtë ne botë- “Këtë film ia kushtoj nënës time Rozë që më edukoi të besoj me devotshmëri mbi emrin e mrekullibërëses Zoja e Shkodres”.

Nga Ilnisa Agolli