MENU
klinika

Kampionati Kombëtar

Mundja shpall fituesit për shkollorë e kadetë

30.09.2018 - 17:21

Ka përfunduar Kampionati Kombëtar i Mundjes për shkollorët dhe paratërinjtë (kadet), zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Në stilin e lirë ekipi që ka grumbulluar më tepër pikë ka rezultuar Teuta me në total 200 pikë.

Në vendin e dytë u radhit Tirana, me 20 pikë më pak, dhe në vend të tretë është pozicionuar Kukësi, me një diferencë të dukshme pikësh, me 55 pikë në total.

Ndërsa në stilin greko-romak, ekipi vlonjat ka marrë vendin e parë më 195 pikë, i ndjekur nga kryeqytetasit, të cilët kanë pasur 10 pikë më pak dhe në vend të tretë Besëlidhja me 85 pikë.

Janë shpallur kampionët në secilën kategori, në peshat përkatëse. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka treguar se rivaliteti tek të rinjtë është rritur dukshëm:

“Për sa i përket rivalitetit, unë mendoj që kjo garë ka qenë shumë rivalizuese, në kushtet ku federata dhe sporti sot punon. Unë gjej rastin të falënderoj të gjithë trajnerët e rretheve që po bëjnë një punë të shkëlqyer që brezi i ri dhe këto grupmosha të vazhdojnë aktivitetin sportiv.”