MENU
klinika

Dom Artur Jaku

Në Zhabjak, ku prehet motra e Skënderbeut

07.09.2018 - 11:16

Ishte një vizitë sa kulturore po aq edhe historike tek varri i motrës së madhe të Gjergj Kastriotit në Zhabjak te Malit të Zi. Kjo edhe me rastin e përvjetorit te 550-të të Skënderbeut.

E njohur si Mara (në disa burime njihet si Maria) u martua me sundimtarin e Malit të Zi Stefan Cërnojeviçin. Qendra e Cernojeviçëve ka qenë qyteti mesjetar i Zhabjakut në Kënetën e Madhe, në veri-perëndim të liqenit të Shkodrës, pranë derdhjes së lumit Moraça në liqen, ku ndodhet fortifikimi sot i njohur si Zhabjaku i Cërnojeviçëve.

Në këtë qendër të fortifikuar punime të thella ka kryer Stefan Cërnojeviçi, burri Marës dhe kunati i Skënderbeut.

Familja e Cërnojeviçëve ndërtoi një manastir të tipit mauzole për varrimin e pjesëtarëve të familjes.

Ky manastir, vepër shpirtërore e Gjergj dhe Aleks Cërnojeviçit, u ndërtua në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, pranë Zhabjakut. Ishulli i pabanuar i Komit mund të arrihet me udhëtim në liqen prej Vranjinës ku ndodhet dhe kalaja në të cilën u vetëvra Oso Kuka.

Në qendër të manastirit ndodhet Kisha e Shën Mërisë, ndërtuar ndërmjet viteve 1415-1427. Në brendësi të kishës ndodhen pllakat e varreve të familjes së Cërnojeviçëve.

Ivan Cërnojeviçi, pas vdekjes së babait Stefan, si sundimtar i Malit të Zi, ka zgjedhur mjeshtrit më të mirë nga bregdeti për gdhendjen e pllakës së varrit të nënës së tij Mara. Pllaka me përmasa 60×180 cm, me një bordurë anësore të gdhendur, në qendër të saj ka tre lule formë rozete.

Në krye të pllakës është gdhendur një monogramë ku me kujdes mund të lexohet “Kjo është pllaka e zonjës Mara, princesha e Cërna Gora, motra e Georgio Scanderbeg”.

Në koment të këtij mbishkrimi, kuptohet qartë konsiderata e lartë që gëzonte Gjergj Kastriot Skënderbeu në radhët e princave sllavë. Nëpër epitafet e varreve lexon gjithmonë emrat e prindërve të të ndjerit dhe duket si një rast unikal- një epitaf me emrin e vëllait.

Kemi të bëjmë me shprehjen e një konsiderate të veçantë, në këtë rast të fisnikëve të njohur malazezë Cërnojeviç ndaj princit të Arbërisë.