MENU
klinika

Unë gjithmonë e kam në zemër Shqipërinë!

Nënë Tereza dhe Shqipëria

05.09.2018 - 16:19

E çuditshme! Një humaniste, lauerate e çmimit “Nobel” bashkëbisedon me një udhëheqës komunist, e për më tepër me pasuesin e një diktatori të egër që kish përndjekur e luftuar njerëzit si ajo, me të njëjtën qasje për jetën dhe me të njëjtën dashuri për Zotin.

Drejtuesi i popullit për të cilin Nënë Tereza qe shprehur “Unë gjithmonë e kam në zemër…” nuk e lejoi për dekada Gonxhe Bojaxhiun të shihte të ëmën dhe të motrën.

Në vitin 1968, [Enver] Hoxha rrefuzoi një kërkesë personale konfidenciale të presidentit francez për të lejuar Drande Bojaxhiun, nënën e Goxhe Bojaxhiut të shkonte për kurim dhe të takohej pas 40 vitesh me të bijën në Francë duke e njoftuar se për këtë histori qe interesuar edhe ish Zonja e Parë e ShBA Zhaklin Kenedi.” shkruan Blendi Fevziu në librin “Enver Hoxha”

Pas këtij refuzimi, Nënë Tereza dërgon një letër në familjen e saj ku ndër të tjera shprehet: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju…”

U deshën edhe shumë vite bashkë me vdekjen e diktatorit Hoxha që Nënë Tereza, në vitin 1989 të shkelte në Shqipëri për herë të parë duke zhvilluar edhe këtë takim. Në atë vizitë hostorike, në mungesë të përqafimit do të vendoste një buqetë me lule në varrin e së ëmës dhe  motrës. Gjithë ç’i  kishin lënë si kujtim ishte veçse një mulli për të bluar kafen.

Kjo ishte vizita e parë ne Nënë Terezës në Shqipëri që u pasua edhe nga një e dytë që Át Zef Pllumi e përshkruan me nota sarkastike për të venë e diktatorit:

… Mora vesh se Nanë Tereza ishte duk për së dyti në Shqipni dhe mbas lutjeve mbi vorrin e Lokes e të motrës së vet, kishte vendosë edhe nji tubë lule te vorri i Enver Hoxhës. Shumëkush mbet i çuditun dhe nuk u pëlqeu ky veprim i saj, por menjiherë në popull qarkulloi nji legjendë.

Tregohej si nën za e vesh në vesh se Nexhmija paska kenë në hall të madh, mbasi burrin e saj nuk e kish lanë dheu mrendë e për natë po dalke prej vorrit tue i shti tmerrin edhe asaj. Tue mos i dijtë vedit hall, i paska çue fjalë Nanë Terezës që ta shpëtonte si bamirëse e njoftun në tanë botën…

Pas kësaj vizite u njoftua leja që iu dha Nënë Terezës për të çelur një shtëpi murgjeshash në kryeqytet. Shtëpia hapi dyert në vitin 1990 në një rrugicë të vjetër tiranase pranë gjimnazit “Partizani”.

Misionarja e njohur në mbarë botën edhe vizita të tjera, si ajo e vitit 1991 apo më vonë në të cilat u kujdes personalisht për kuvendet e saj dhe solli ndihma për fëmijët shqiptarë, disa prej të cilëve i takoi me shumë përzemërsi.

Por vizita që la më shumë mbresa ndër shqiptarë ishte ajo e vitit 1993 kur Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II vizitoi Shkodrën e përkrah tij ishte edhe Nënë Tereza. Ajo vizitë që solli shpresë, fe e dashuri ishte fillimi i vërtetë i një ringritjeje shpirtërore për shqiptarët.

Katedralja e Shkodrës, me fizionimi jo të qartë pasi për dekada kishte shërbyer si pallat sporti, ishte e tejmbushur. Në rrugët në të cilat Papa do të kalonte kishte me dhjetëra mijëra njerëz të cilit donin ta përshëndesnin e të merrnin një bekim nga Papa, përkrah të cilit gjendej edhe Nëna Terezë.

Nuk do të harrohet asnjëherë se si Papa Gjon Pali II nga ballkoni i Arqipeshkvisë së Shkodrës e përmendi misionaren duke e cilësuar “një njeri të madh” gruan që ishte Qytetare Nderi e Shkupit dhe një ndër shtatë Qytetaret e Nderit jo – amerikane e ShBA karshi Churchill, Penn, Pulaski e të tjerë pa harruar vlerësimin më të madh, çmimin “Nobel” për paqen. Në fjalimin me rastin e tërheqjes së çmimit, ajo kërkoi që të gjithë të bëhemi dritë që digjet për paqen në botë:

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë çmimi “Nobel” u takon të gjithëve!

 

A.D

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit