MENU
klinika

Rrugëtimi...

Nënë Tereza e Shenjtë, lutu për ne… !

05.09.2018 - 10:00

Nga Frano Kulli/

Si sot dy vjet më parë, të dielën me 4 shtator 2016, E lumja nënë Tereza, e shpallur shenjtënesha më e re e Kishës Katolike dhe e njerëzimit mbarë, u shfaq në Sheshin “San Pietro” në Romë, në dimensionin e Shenjtes së Dashurisë dhe Mëshirës.

Ajo erdhi në këtë ditë të lume si “dërgatë” e kongregatës (Urdhërit) së Misionarëve të Bamirësisë. Një urdhër i krijuar prej saj dhe i miratuar prej Ipeshkvit të Kalkutës. Më pas Urdhëri miratohet edhe nga”Propagada Fide” në Romë dhe kështu ajo fiton “legalitetin” për të ndërtuar e perfeksionuar mbretërinë e saj të përshpirtëshme të dashurisë dhe mëshirës në tokë. Në fillim e përgjithmonë në Kalkuta të Indisë.

Por edhe anërmbanë botës, me prezencën e saj. Në 123 shtete, rreth 750 shtëpi bamirësie, në të cilat gëlojnë më se 4000 motrat me uniformën bardh e kaltër të kongregatës së bamirësisë. Pa shënuar këtu edhe shtëpitë e shërbesat e vëllezërve kontemplativë (soditës, kundrues).

Më pas, së bashku me Atë Sebastian Vazhakala ka themeluar edhe “Misionarët Laikë të Dashurisë”, një lloj urdhëri i Tretë i Misionarëve të Dashurisë. Bashkëpunimi ynë me të na ka sjellë edhe në shqip, pas botimit në shumë gjuhë të botës kroniken e e përndritëshme pranë Nënës së Lume… (Atë Sebastian Vazhakala M.C “Jetë me Nënë Terezën-Miqësia ime tridhjetëvjeçare me nënën e të varfërve”, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2008)

Atë Sebastiani, njëri nga 6 vetët që mbante arkëmortin me kurmin e Nënë Terezës, në ditën kur nisi pavdekësia e saj, me 4 shtator 1997, është njëherësh edhe mbartës i shumë kujtimeve të rëndësishme, përshkruar në kronikën e kësaj miqësie hyjnore në 30 vite jete pranë Nënë Terezës.(shkruan Visar Zhiti në parathënien e librit).

Më pas… Më pas, kështu deri në në çastin që shkëputet prej botës së tokës drejt botës hyjnore të qiellit, pa u ndalur asnjëherë, në shërbesen e mëshirës për nevojtarët e gjithsojshëm e të gjithkundgjindëshëm (kudondodhur). Ajo i apelon njerëzimit, sot e përgjithmonë, nevojen e përjetëshme për më shumë dashuri ndërnjerëzore, për më shumë vëmendje prej të pasurve për më të varfërit e të varfërve, për më shumë drejtësi prej atyre që kanë në dorë pushtet, për më shumë afri e mbështetje prej të fuqishmëve për të pafuqishmit, për më shumë buzëqeshje, si ilaç për dhimbjet.

-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe – do ta përsëriste shpesh si devizën e misionit të saj, Nënë Tereza-… Se gjërat e mëdha i bën tjetërkush…

Kur Nënë Tereza kishte fituar Çmimin Nobël të Paqes, në vitin 1979, e takon mbreti i Suedisë e i thotë:

– Unë, nuk po vij në ceremoni. Nuk dua që të jem në qendër të vëmendjes!
– Madhëri! Mos nguroni të vini- i thotë Nënë Tereza – në qendër të vëmendjes nuk do të jeni, as Ju e as unë. Aty ku është Zoti, nuk bie në sy mbreti!

Shenjtërimi i saj vjen pas lutjeve të pandërprera kurrë, asnjëherë, për asnjë çast të vetëm. Vjen gjithashtu pas veprave të përditëshme e të përorëshme duke jua kushtuar gjithçka të përshpirtëshme të saj, të varfërve, të uriturve deri në pragvdekje, të pamundurve e të papërkrahurve.

Sipas ritualit kanonik shenjtërimi i saj vjen, pas shpalljes E lume trembëdhjetë vjet më parë, si mrekullibërëse, si shëruesja e një gruaje indiane të sëmurë me sëmundje të pashërueshme. Me vargun e paprerë të lutjeve, me shpirtin dhe me duart e sajë të imta.

Aty, në Sheshin “San Pietro” asohere ishim edhe ne bashkëkombas të saj, shqiptarë të ngadoardhur. Dhe u ndjemë ngrohtë, shumë ngrohtë nën mbulojen e shenjtërisë së saj. Si edhe të tjerët, natyrisht. Patetika nuk vlen, heshtja më shumë. Dhe lutjet e saj për ne. Shenjtja jonë Tereze, lutu për ne mëkatarët, lutu për dashurinë e acaruar mes nesh, lutu dhe kërko mëshirë për të shtypurit nën pabarazinë.

Si në qiell, ashtu në tokë… Amen!

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit