Ish-kancelari austriak i qendrës së majtë Christian Kern njoftoi se do të kandidojë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në 2019.
Por kush është Kern?
Kern, 52 vjeç, u bë kancelari i 24-të austriak në 2016, por humbi në një zgjedhje të parakohshme ku garonte Sebastian Kurzin, konservator, vetëm një vit më vonë. Fushata e Kern-it ka kritikuar gjithmonë elitën politike austriake se nuk ka një axhendë politike kuptimplotë për të ardhmen e vendit.
Para se të drejtonte Austrinë, ka shërbyer si zëdhënës i grupit parlamentar të Partisë Social Demokratike (SPÖ) dhe si menaxher në kompaninë austriake të energjisë hidraulike Verbund.
Pse po kandidon tani?
Kandidatura e Kern-it pro-evropian do të shpresojë të sigurojë një balancë, duke patur parasysh forcat nacionaliste në rritje në të gjithë kontinentin.
Njoftimi për të kandiduar përkon me samitin e BE në Salzburg, Austri, ku Kern shpresonte të takohej me udhëheqësit socialdemokratë të BE për të fituar mbështetje. Qeveria austriake, e udhëhequr nga një koalicion i ekstremit të djathtë, ka patur përparësi krizën e migracionit në Evropë.
Kern planifikon të japë dorëheqjen si kryetar i Partisë Social Demokrate të Austrisë jo më vonë se maji i vitit të ardhshëm për t’u përqendruar në fushatën e tij. Nuk është e qartë se kush do ta zëvendësojë atë si udhëheqës të Social Demokratëve Austriakë.
Çfarë premton ai?
Kern u tha gazetarëve se koncepti i një demokracie liberale dhe të hapur është duke u sfiduar nga politikanët nacionalistë në të gjithë Evropën.
Ndër krerët e BE-së ai përmendi kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe zëvendëskryeministrin italian Matteo Salvini, të cilët kërkojnë të formojnë një front të përbashkët anti-migracioni.
“Kjo është sfida më e rëndësishme për ne Social Demokratët për të siguruar që trashëgimia e Evropës të ruhet,” tha Kern në deklaratën e tij të shkurtër.
Kush tjetër e synon postin e lartë?
Kundërshtari më i fortë i Kern mund të vijë nga nënkryetari i Komisionit Europian Maroš Šefčovič, i cili njoftoi të hënën planet e tij për të kandiduar për postin më të lartë në Bruksel. Nga blloku i ish-komunizmit, sllovani 52-vjeçar është paraqitur si i ndjeshëm ndaj ndarjes në rritje Lindjes-Perëndim në Evropë.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare evropiane do të mbahen në maj 2019. S & D aktualisht është grupi i dytë më i madh në Parlamentin Europian, pas PPE-së të djathtë, nga radhët e të cilëve erdhi Juncker. Deputeti gjerman Manfred Weber ka njoftuar tashmë kandidaturën e tij për grupimin e PPE.