MENU
klinika

Vinicius de Moraes

Ora Intime

23.09.2018 - 10:59

Përktheu Elvi Sidheri

Kush do ta paguajë varrimin dhe lulet
Nëse nga dashuria do të vdes?
Kush pra, mes miqve, më miku
Ka për të hyrë në arkivol krah meje?
Kush, në funeralin tim
Do të thotë për mua: – Keq një mize s’i bëri kurrë…
Kush, i dehur tapë, do të qajë me zë të lartë
Ngaqë asgjë s’do të më ketë sjellë?
Kush do të vijë të zhbëjë petalet
Në varrin tim prej poeti?
Kush do të hedhë druajtshëm
Përtokë një farë të imët?
Kush do ta ngrejë vështrimin tinëzisht
Gjer në yllin e muzgut vallë?

Kush do të më thotë fjalë magjike
Që e zvenitin dhe mermerin vetë?
Kush, ndryrë nën vel të mugët
Do të kryqëzohet ndër mure?
Kush, i mbytur nga neveria
Do të thotë me buzë në gaz: – Vdiq mbreti, rroftë mbreti…
Sa mike syresh, përmbysur majë arkivoli
Do të ndiejnë dhimbjet e lindjes?
E cila vallë, e zbehtë nga frika
Do të prekë kopsën e gjoksit?
Cila vallë, e çartur krejt, do të hidhet kokëposhtë
E do të qaravitet me lemzë?
Sa drojë do të zgjohet?
Sa vallë, do të shtrëngojnë nofullat
Gjaku do të rrahë nën vraga lëkure
Do të thonë: – Ç’mik i çartur na ishte…
Kush, fëmijë, me sytë përtokë
Si të shohë një krimb tek lëviz
Do të shikojë me qesëndi?
Kush, në rrethana zyrtare
Do të propozojë piedestalin tim?
Kush do të jenë ata që, nga mali të zbritur
Do të kenë një përkorje të tillë
Që të zbardhin dhëmbët së qeshuri porsi shkumës shkollor?
Kush do të jetë ai, që me fytyrën të rrahur nga era
Të lëshojë në ajër një grusht kripë
Në guvën time prej çimentoje?
Kush do të këndojë këngë miqësore
Në ditën e varrimit tim?
Kush vallë nuk do të jetë i pranishëm
Për arsye rrethanore?
Kush do të ngulë në gjoksin e fortë
Një teh të ndryshkur?
Kush, gjatë fjalimit të vet të kotë
Do të llomotisë: – Zoti e ruajtë përjetë.
Kush do të jetë miku që në vetvete
Do të mendojë: -Nuk është problem…
Kush do të jetë ajo figurë e habitshme
Që do të rrijë mbështetur pas një trungu peme
Me vështrim të ftohtë dhe pamje mëdyshëse?
Kush do të përqafohet me mua
Që mezi ta shkulin nga unë pastaj?
Kush do ta paguajë varrimin dhe lulet
Nëse do të vdes nga dashuria?

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Pasurohet oferta turistike e qytetit

Hap dyert Muzeu Etnografik i Kavajës

Nga Athina në Rumani e kthimi në atdhe

Jeta e trazuar e Lasgush Poradecit!

Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

Nis Panairi i Librit 2024

Puna dhe veprat që ai i la pas shoqërisë shqiptare

37 vite nga ikja e Lasgush Poradecit!