MENU
klinika

Akuza opozitës

Patozi: Opozita, patericë e një qeverie të korruptuar

25.09.2018 - 16:45

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi përmes një statusi të gjatë në ‘Facebook’ është përfshirë në një replikë miqësore në distancë me ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani. Pasi ky i fundit shkruante dje se Edi Rama ndërtoi dhe imponoi një model politik sundim, Patozi është përfshirë në këtë diskutim.

Ai shkruan se dakordësohet me Manjanin kur thotë se opozita nuk dihet të personalizojë betejën vetëm me emrin e Ramës, por se duhet të godasë sistemin. Patozi po ashtu nuk i ka kursyer sulmet dhe ironitë për kryetarin e PD-së Lulzim Basha, për të cilin shkruan se është ‘thjesht njeriu i gabuar në kohën dhe vendin e gabuar’.

REAGIMI I PATOZIT

ËSHTË THJESHT NJERIU I GABUAR, NË KOHËN DHE VENDIN E GABUAR

(Në vend të një replike miqësore me Ylli Manjanin)

Ylli Manjani ka të drejtë kur thotë se opozita nuk duhet ta personalizojë betejën me emrin e kryeministrit, por duhet të godasë fort sistemin e tij. Edhe pse ish-ministër i Edi Ramës në qeverinë e mëparshme, ai nuk ka të sharë si zë këmbëngulës opozitar, sidomos pas zgjedhjeve të fundit.

Nuk do t’i hiqja asnjë presje thirrjes së tij, sikur t’i drejtohej dikujt tjetër dhe jo njeriut të gabuar. Ndaj them se Manjani, megjithëse nuk e ka keq, ka ngatërruar adresë. Sepse ajo ftesë nuk ka asnjë lidhje me Lulzim Bashën, i cili nuk ka asgjë me sistemin e korruptuar, që po aplikon me “sukses të plotë” Edi Rama sot, por që për ta ngritur nuk e ka meritën vetëm ai.

Përkundrazi, atij i pëlqen shumë kështu siç është, pa i lëvizur asnjë tullë mundësisht, ndaj edhe të vetmin problem e ka me emrin. Dhe po investon shumë që t’i vijë një ditë radha, jo duke luftuar që ta ndryshojë, por thjesht duke pritur që vetë koha të rrëzojë atë që mendon se i ka zënë vendin.
Ndaj nuk dëgjon asnjë fjalë për reformën zgjedhore prej tij, asnjë qëndrim për ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, ndaj nuk ka asnjë fjali për goditjen e partitizmit, për rrënimin e frikshëm të institucioneve nga pazaret politike, por thjesht ka çdo ditë dhe do të ketë në vazhdim vetëm demonizim të kundërshtarit deri në marrëzi.

Sepse për drejtuesin e opozitës zyrtare sistemi politik aktual është një lopë pjellore që duhet mjelë, por thjesht duhet të ndryshojmë duart. Sepse e gjithë karriera e tij politike, por që shkëlqimin e vet e ka pasur në 5 vitet e fundit, ka qenë ilustrimi më i mirë i kësaj që unë po them. Mirëpo, ose duhet të jesh idiot politik, ose ke një mision tjetër për të përmbushur, në rast se mendon që këtë qeveri mund ta rrëzosh nga pushteti, pa i goditur sistemin që e mban, por vetëm duke i sharë udhëheqësin.

E para, se historia e këtyre 28 vjetëve në Shqipëri ka treguar se e majta në kushtet, kur krijohet perceptimi se të gjitha palët janë njësoj, ka një rezervuar më të madh votash në dispozicion për ta marrë ose ruajtur pushtetin. Dhe se Partia Demokratike ka arritur të fitojë vetëm atëherë kur ka bërë diferencën në moral dhe parimësi me kundërshtarin e vet politik. Por mbi të gjitha, e dinë edhe fëmijët e kopshtit tashmë në Shqipëri që socialistët janë më specialista, siç thonte (rahmet të ketë) Pjetër Arbnori në këto punët e korrupsionit, lidhjeve me krimin dhe blerjes së votave.

Ndaj edhe mendoj se, jo vetëm e djathta, por e gjithë shoqëria shqiptare, është sot peng i kapjes së opozitës nga një lidership i gabuar, i cili praktikisht është kthyer në patericën e një qeverie të paaftë dhe të korruptuar. Që mbi të gjitha, as nuk e do, as nuk bën sikur, e jo më ta ndërtojë me gjithë mend një alternativë të shëndoshë pushteti në Shqipëri, jashtë përfitimeve marrendëse që vijnë prej grabitjes dhe abuzimeve me fondet publike. Po të ndiqni debatin politik sot në vend të krijohet përshtypja sikur jemi në kulmin e fushatës elektorale. Madje duket sikur jemi në zgjedhje parlamentare, dhe jo para atyre vendore, aq e ashpër është gjuha dhe aq të forta tonet. Në fakt, pak më shumë se një vit më parë, ne ishim realisht në fushatë, por atëherë situata ishte krejtësisht tjetër, paqja dhe harmonia qiellore mbretëronte kudo. Sepse Luli, kur duhet të bëjë luftë, futet në pazar, kur duhet të bëjë kompromis, e ke me kokë në betejë.

Unë dua ta shaj shumë qeverinë dhe Edi Ramën, por le të vijë dikush e të më tregojë që edhe për këtë problemin duhet ta kërkojmë tek kundërshtari e jo tek vetja jonë. Dhe ky është vetëm një shembull i zbehtë i asaj që Lulzim Basha është njeriu i gabuar, në kohën dhe vendin e gabuar.

Por le të mos shkojmë aq larg, sepse ne shqiptarët nuk shquhemi për kujtesë afagjatë. E kishte me sistemin apo me emrat Lulzim Basha atë teatrin e shëmtuar me gjoja platormë antimafia dhe antikorrupsion?

Nëse do ta kishte me sinqeritet, do të duhet të premtonte solemnisht që kur opozita të vinte në pushtet, do të ndalonte çdo praktikë konçensionesh dhe PPP-sh, si dhe do të shfuqizonte të gjitha ato që kishin bërë qeveritë para saj. Ky do të ishte parimi, i drejtë apo i gabuar, ç’rëndësi ka. Por do të ishte vendim politik. Çfarë nevoje kishte të përmendeshin emra, sepse bizneset e kuptonin vetë se çfarë do t’i priste, gjithmonë nëse do kishte ndonjë prej tyre që e merr seriozisht Lulzim Bashën për ato që premton.

Por problemi është se Luli nuk ka ndërmend të ndalojë konçensionet, në rast se do të fitojë ndonjëherë, ndaj ai nuk mund ta thotë dot atë. Ai thjesht i quan konçensione të këqija, kur i bën Edi Rama, dhe konçensione të mira, në rast se do t’i bënte vetë. Ndërsa emrat e atyre bizneseve, që dolën në tabelë të zezë, njësoj si tregtarët e 1945-ës, që do të paguanin tatimin e jashtëzakonshëm, janë prova e gjallë se në krye të opozitës zyrtare është thjesht një gjobaxhi i rëndomtë. Dhe unë i mbaj turpin në kurriz të gjithë atyre që u gëzuan dhe duartrokitën, sikur gjoja më në fund Lulzim Basha u trimërua dhe përmendi si të ishin trafikantë emra sipërmarrësish të nderuar, ndërkohë që nuk thanë asnjë fjalë kur të njëjtët emra u publikuan në borderotë e kompanive të kunatit dhe gruas së tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN