Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në Asamblenë e OKB-së, krerët shtetërorë të Kosovës do të takohen edhe me liderët e vendeve të tjera.
Në takimet bilaterale që do t’i ketë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në SHBA, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet që të diksutojë edhe idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, duke kërkuar kështu mbështetje për këtë ide nga ndërkombëtarët.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët megjithatë mbeten skeptikë se presidenti i Koosovës, do ta sigurojë këtë mbështetje, pasi disa shtete të fuqishme evropiane, siç janë Gjermania dhe Britania e Madhe, e kanë kundërshtuar idenë e Thaçit.
“Me siguri që liderët e shtetit tonë në takime, sidomos me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, të Gjermanisë etj., do t’i përmendin këto përpjekjet e tyre për ta arritur një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut. Ndoshta do të përmendet edhe ideja e presidentit Thaçi lidhur me korrigjimin e kufijve. Por ta shohim pastaj se cilat do të jenë mesazhet që do t’i marrin nga këto takime”, ka treguar njohësja e çështjeve politike të Kosovës, Violeta Haxholli.
Sipas saj, qëndrimi i Gjermanisë lidhur me idenë e korrigjimit të kufirit tashmë dihet se është kundër, ndërkohë ai i SHBA-së ende nuk është i kristalizuar.