Çapajev Gjokutaj/
Ishte video e thjeshtë, por më shtiu në mendime. Një nënë e re po i lexonte foshnjës rreth një vjeç e gjysëm.
Sa mbaronte së lexuari, fëmija niste të qante, merrte librin dhe përpiqej ta hapte. Kur e ëma fillonte sërish leximin, foshnja qetësohej dhe dëgjonte. Ky ritual u përsërit 3 – 4 herë.
U bëra kurioz dhe pashë komentet. Kullonin admirim për fëmijën libërdashës dhe shumica parathoshnin dijetarin, shkencëtarin a filozofin e ardhshëm.
Por nuk përjashtohet mundësia që ky fëmijë të bëhet burrë gjithë ankthe e pasiguri.
Kur bëjmë shfaqje me fëmijët, duke i nxjerrë t’i shohë dhe t’i admirojë mileti i instagramit a i fejsbukut, nuk jemi duke i shërbyer të voglit. Thjesht kënaqim egot tona, shuajmë etjen për vemendje.
Sjellja e foshnjës në video mundet që dëshmon dashuri për librin, ashtu siç mund të dëshmojë edhe frikë dhe ankth nga të ndenjurit vetëm.
Prindi që do fëmijën dhe jo vemendjen e të tjerëve, i analizon me kujdes këto episode dhe, nëse është e nevojshme, konsultohet edhe me një specialist.
Kur i rezulton që fëmija bëhet ankcioz nga vetmia, përpiqet që, gradualisht e pa trauma ta mësojë të qendrojë edhe me veten.
Se jeta është e gjatë, gjithçka alternohet, vetëm vetja nuk na shqitet, na shoqëron kurdoherë, nga britma e parë deri në frymëmarrjen e fundit.
Po s’mësuam qysh në foshnjëri të shetisim jo vetëm në botën jashtë nesh, por edhe livadheve të vetvetes, ka gjasa që një pjesë e mirë e jetës të na kalojë nëpër kthinat e ankthit dhe të pasigurive.