MENU
klinika

Kryeqytete shqiptarësh / Dossier

Prishtina e Tirana, 2 kontraste nga i njëjti komb

04.09.2018 - 11:33

Përgatiti Eugent Kllapi/

10 vjet nga ngritja e shtetit të Kosovës situata paraqitet ndryshe nga lufta që rënoi këtë shtet. Ecejaket e politikës në kundërshtim të njëra-tjetrës në grupe politike nuk e pengojnë evolucionin social dhe kulturor të Kosovës.

Pavarësisht një mijë e një netëve me problemeve, ka një mijë e një ditë të bardha që ngrihen. Rruga nga dogana e Morinës me Shqipërinë vjen më e shtruar dhe më e strukturuar. Rruga nga dogana për në Tiranë vjen po e strukturuar, veç me dredha e hile të vjetra.

Panorama e Fushë-Kosovës që rrafshnaltizohet me prodhime bujqësore lë përshtypje për mirë.

Pothuajse të gjitha fushat në fshatra janë të mbjella. Pozicionimi në fushë i fshatrave lë një shije estetike dhe funksionale. Duken ngjyra-ngjyra, pemët e thara në anën e rrugës nuk priten, ato shumëzohen nga forma pyjesh të vogla ngjitur rrugës dhe fshatrave. Nuk mungojnë shkurret e shumta.

Çdo fshat ka rrugët e veta që lidhen me rrugët kryesore, makinat hyjnë e dalin po vrullshëm si lëviz dhe rruga kryesore. Fshatrat e Kosovës janë me plot gojën moderne.

Gjelbërimi i pamatë të çlodh sytë. Shtëpitë e shumë fshatrave janë të sistemuara, moderne dhe të shtrenjta në syrin e një të huaji, edhe ato të çlodhin sytë, të kënaqin, por nuk bëhen dot me punë krahu, duan emigrim.

Bulevardi Nene Tereza, main pedestrian street, Pristina, Kosovo.

Duket sikur je në një shtet udhëkryq që do rikonstruktuar nga një dorë profesioniste për t’u quajtur me plotë gojën Zvicër. Modeli është i tillë, shtëpi alpine 3 katëshe të sistemuara si në përrallë për Shqipëri, të shtron syrin të kundrosh.

Nuk mund të thuhet e njëjta panoramë për rrugën nga Doganë Morina në Tiranë. Panorama rrëzohet, bëhet gri, shtëpitë pothuajse lale-lule gjithashtu gri, ndërtesa të vjetra një katëshe sikur të ankohen personalisht, deri në Fushë-Krujë nuk ka sistemim, por vetëm shtëpi që duan të krenohen se janë dy a tri katëshe në formë vilash, një nga krushka, një nga mushka, një e verdhë, një kafe e një gri me tjegulla të kuqe, duken si mbretëresha të divorcuara.

Bari vjen e bëhët i kaftë, pemët më të pakta, grija shtohet dhe zymtësohet syri, të vret diçka, ka diçka që nuk shkon. Megjithëse sheh edhe fusha të mbjella ato nuk zënë as 10% të gjithë tokave në Lezhë e Fushë-Krujë.

Hyrja në Prishtinë

Kryeqyteti i Kosovës Prishtina, të shfaqet bukur, zhurmshëm, ndryshueshëm, me larmi nga stacioni i autobuzëve të kohës së dikurshme që dhe sot është model për organizimin e udhëtarëve. Mund të rikonstruktohet po të ketë edhe pak më tepër organizim, por përsëri është model.

Rrugët e semaforët funksionojnë, ndonjëherë ka trafik. Taksitë të luten si në Shqipëri, por duken më të organizuara.

Pa u futur në kryeqytet, në autostradë, modeli shabllon i ndërtesave të larta e degjeneron estetikën me hapësirat e ngushta. Që në hyrje të zë syri 50% ulje çmimi në një pankartë.

Bukuria do dhe hapësirë që të shfaqet, ashtu si njeriu pa pemën është i vdekur, do dhe lulishten të mendojë e të çlodhet për një Kosovë më të mirë.

Lulet e bëjnë të gëzuar, por do dhe barin ta ndjejë që jeshilohet. Aty pallatet shtohen ngjitur, hapësirat ngushtohen, bukuria e gjitha hahet nga pallati në pallat, sheh modernitet në pamje dhe hapësira të ngushta, nuk të sheh syri një pemë, se ku do të futet zjarrfikësja nuk i dihet, mirë zjarrfikësja, po fëmijet ku do lozin? Duket sikur je në Tiranë me hapësira të ngushta.

Pa i futur mirë këmbët në qytet shikon pallate të modeleve të vjetra të kohës së ish-Jugosllavisë. Modele vilash të sistemuara ngjitur rreth e rrotull qytetit.

Pallatet e dikurshme duken si të kaluara mode, por japin dhe një ndryshim të theksuar me apartamentet e tjera më në brendësi të Prishtinës. Kanë bukurinë e vet. Klasikja ngelet gjithmonë klasike. Koha e dikurshme, as nuk shahet, as nuk lavdërohet nga banorët, kjo të lë përshtypjen se kishte edhe gjëra të këqia, edhe gjëra të mira.

Ka lulishte para pallateve, rregullsi, vend për makinat, qetësi, kosha të sistemuar anës rrugëve. Trotuare normale. Lulishtja me disa reshta lulesh të kthen në retrospektivë urbane.

Modeli më i shmëtuar i tyre mund të jenë pallatet e kohës së monizmit në Tiranë. Pavarësisht se edhe ato ekzistojnë nuk mund të krahasohen me ndërtesat e vjetra model të Prishtinës.

Modeli i qendrës, midis Prishtinës dhe Tiranës

Sa më tepër futesh në qendër të Prishtinës, aq më tepër betoni zë vend edhe më shumë dhe të detyron ta shohësh. Deri në qendrën e qytetit Prishtina shfaq një pamje bulevardeske që shoqërohet nga këmbë të shumta banorësh, fasada figurash publike, përmendore. Aty është qendra dhe thelbi i xhiros së kryeqytetit.

Kisha Katolike shfaqet e thjeshtë, e bukur, korrekte me rrugën, mbreslënëse, një ekspresivitet të madh shfaq bibloteka kombëtare pak më sipër si dhe ministria e Arsimit, po pak më sipër.

Përmendorja e Bill Klinton duket sikur është 18 vjeçar që rritet në moshë si shteti i Kosovës.

Kullat sa vijnë e shtohen në qendër, deri tek bulevardi ke vajtur si në Njy York, por në versionin më të thjeshtëzuar.

Periferia e Tiranës është geto e periferisë së Prishtinës. Rrugët me gropa dhe shumë plehra, njerëz të veshur bukur që ecin e bëjnë sikur nuk shikojnë.

Në qoftë se Kosova nuk do shumë kosha dhe ka pak mbetje, Tirana ka shumë mbetje e pak kosha, njerëzit duken njësoj, por ata dallohen kur hedhin mbetjet.

Në ndryshim nga Tirana, Prishtina nuk ka biçikleta, kjo vërehet me një sy të thjeshtë dhe të kujdesshëm. Duan të gjithë ‘’kerra’’, si ata me punë të mirë, ata me punë normale, edhe ata pa punë. Të mbash biçikletë është ulje statusi. Zhurmat shtohet deri në qendër, në qendër farë gumëzhin.

Qendra e Prishtinës nuk ndjek modelin e ‘Agorës’ së dikurshme në pamje, ajo është drejtvizore, megjithëse institucionet bazë i ngjiten bulevardit. Qendra e Tiranës është si forma e ‘agorës’, institucionet i ngjiten sheshit rrotullueshëm, po dhe sheshi i ri ka më horizont.

Po ta shtrydhësh sheshin e madh ‘’Skënderbej’’ të Tiranës me Skënderbeun në krye del versioni i bulevardit ‘’Nënë Tereza’’ të Prishtinës.

Qendra e Tiranës të gënjen me lulishte e hapësira, është mirazh kurativ për të gjitha bashkitë që do të vijnë në të ardhmen në pushtet për ta ringritur atë me tendera gjithfarësh, por periferia është e gënjyer me mjerim.


Ashtu si deklaratat për mediat pa media të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ajo të fanepset e bukur, por bukuria ka dhe pamjen e dytë në sirtar, të vobektësisë.


E bukura lot me aleaten e saj të zemrës, shëmtirën, që fshihet përkundruall saj gjithmonë, varet si e sheh, ato i lënë vendin njëra-tjetrës sa herë duan, prandaj ndonjëherë e bukura të gënjen.

Qendra e Prishtinës është e gënjyer me hapësira gjasme të gjera, por gjelbërim nuk ka, periferitë janë të gënjyera me modernitet, megjithëse nuk mungon jetesa normale dhe estetika urbane. Të dyja po betonizohen dhe ripërterihen në imazh.

Shumë njerëz ikin e vinë në bulevardin e Prishtinës, fytyra nga më të ndryshmet, si nga mosha dhe gjinia mbushin bulevardin. Duket gëzim dhe lirshmëri, gjallëri njerëzish, modë ndryshe, kjo ndodh nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 10 të darkës. Të gjithë shqiptarët duan të vishen kapardisur.

Çdo ditë të javës shtohen njerëzit që dalin xhiro, nuk pakësohet fluksi i njerëzve në oraret e punës, po kush punon vallë kur shumë njerëz bëjnë xhiro çdo ditë nga ora 10 në 10?!

Tregu i Prishtinës krijon një variacion të ndryshëm veshjesh dhe çmimesh. Të vizitosh atë të vrasin syrin tabelat e uljes së çmimeve, nga 50% deri në 70% dhe mall plot. Kush më shumë e kush më pak do t’i ulë edhe më çmimet kundrejt shoku-shokut.

Çmimi ka një kosto reale prodhimi, dyqani ka kosto për t’u mirëmbajtur, dyqanxhiu do rrogën, shteti do taksën e detyrimet, klienti do cilësinë dhe shitja do ulje 70% e përsëri nuk shitet malli!

Ka shumë fustane, fustane përsëri nëpër dyqane, bluza, bluza dhe prapë fustane, këpucë, bluza e këpucë, fustane bluza e këpucë. Pak me tepri, më shumë duheshin lule për aromë sesa bluza, këpucë e fustane që nuk po i blen kush me 70% ulje.

Megjithëse lulet dalin më mirë në Hollandë e Paris. Madje po të rriteshin më shumë pemët në qendër të Prishtinës njerëzit do të blenin më shumë se nuk do t’i harxhonin lekët për spitale. Dhe ndonjë libër për të nxënë pak më tepër nuk do bënte keq.

Diçka nuk shkon me blerjet megjithëse çmimet janë më se të pranueshme dhe cilësia shumë herë më e mirë se në Tiranë ku çmimet nuk ulen pothuajse 353 ditë të vitit. Shitje nuk ka, po leku rrethrrotullohet bukur në Prishtinë.
Probleme kryeqytetesh xhirojnë si lekët e eurot

Prapë rrethrrotullohet


Ngado kosovarët kanë dhe hedhin lekë në çdo aktivitet, kafenetë janë të mbushura plot, xhirot shtohen, dyqanet ngelen me ulje, tezagaxhinjtë të ndjellin rrugës, dhe qyteti jeton.
Kosova nuk mbahet për prodhim marijuane por të holla ka, ecën euro-ja, rrjedh. Ndryshe nga Shqipëria çuditërisht nuk digjet asnjë pyll verës.

Bukën e vet e bën me grurin e vet, misër ka kudo në fusha. Shqipëria nuk bën as bukën e vet, jo vetëm bukë, po ‘’as gozhdë nuk prodhon’’.

Në dallim me Shqipërinë, shqiptarët e Kosovës dinë të gatuajnë, dinë të mirëpresin e të përcjellin, ta bëjnë borxh. Industria e restoranteve dhe e bareve ka sukses.

Në qoftë se në Tiranë do mendohesh dy herë pa të futesh në fast-food apo në restorant, në Prishtinë nuk do të mendohesh dy herë, po mund të futesh dy herë pa menduar.

Kosovarët kanë etikë profesionale me klientët dhe duken të sistemuar, profesionale, bujarë, mikëpritës. Kjo është karakteristikë, jo vetëm e Prishtinës, por edhe e fshatrave të Kosovës.

Megjithëse kjo mikpritje dhe seriozitet vazhdon dhe nëpër dyqane e në treg, blerjet janë të pakta. A funksionon ekonomia e tregut?! Në do makiato apo kafe pije në Prishtinë, jo në Tiranë.

Mund të habitesh, por këngët i ka perla të vërteta, dhe e gjithë Kosova di të këndojë, prodhon artistë për gjithë Europën. Vetëm nga ana kulturore Kosova ka sufuçit që do shfrytëzuar deri në palcë për të ngritur edhe më kulturalisht shtetin.

Edhe vetë habitesh kur shikon këngë në Shqipëri që janë për t’u hedhur bashkë me dëgjuesit e shumtë çerek-oktavësh të kënaqur në koshin e plehrave me mbetjet, këngëtarë me çerek oktavë zë, u bë kënga si deti me kos.

Këto janë karikatura që recitojnë bukur, kjo nuk do të thotë se nuk ka përjashtime, megjithatë Shqipëria po krijon kulturë banaliteti tani për tani. Shqiptarët e Kosovës i kanë sfiduar plotësisht shqiptarët e Shqipërisë në muzikë dhe kulturë.

Nuk sheh fytyra të vrenjtura, nevojtare, tinzare si në Shqipëri, por sheh madje jo me vështirësi lypës që kanë ndonjë fatkeqësi a cen në pamjen e tyre në bulevard me veshje si të gabit.

Dhe e shenjta Nënë Tereza vështron gjithmonë përngjitur. Nga ana tjetër Ibrahim Rugova qesh në fasadë dhe diç mendon kokulur.

Duan ndonjë euro dhe më shumë përkushtim, jo vetëm ata po dhe organizata me megafonë që kushtrojnë ndihmë nga qytetarë ecejakësh.

Në Tiranë përveçse lypës sheh dhe kazanopastruesit e ‘ndershëm’ që marrin gjithçka që u duket e nevojshme nga kazanët e plehrave. Me pamje të ngrysur fshehin trishtim. Tiranasit kryeqytetarë i shikojnë me kureshtje, në pamjen e tyre të zgjatur fshihet mjerim dhe indiferencë.

Kosova e nderon veten me protestat e saj civile. Spontanisht mund të shohësh në bulevard protesta të organizuara mirë me pankarta si dhe jo spontanisht evente ndërkombëtare kulturore si Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë e Kulturës, event që është traditë. Traditë që fton shqiptarë të të gjithë hapësirave të kombit si dhe të gjithë albanologët e huaj, nuk është pak, është traditë që do nderuar.

Universiteti i Prishtinës i bolshëm nga hapësira dhe ndërtesat rreth e rrotull tij duan një dorë të mirë për t’u rregulluar, kjo ‘dorë’ gjithmonë mungon.


Në sheshin e madh të Tiranës tradicionale traditë po bëhen koncertet e shumta dhe vajtje-ardhjet duke bërë selfie, por me protesta të shoqërisë civile nuk e nderojnë sheshin. Ato bëhen gjetiu, në teatro që po gremisen.

Ka një të mirë, cezma për t’u freskuar vizitorët, kjo diçka interesante dhe që vlen. Mirë do ishte dhe ndonjë cezmë në bulevardin e Prishtinës për ndonjë nevojtar të zhuritur.

Traditë në bulevardin në Prishtinë po bën edhe shumëzimi i kioskave që shesin libra të përdorur, për çudi janë shumë në të njëjtin vend, ashtu si dyqanet që shesin këpucë, fustane, bluza që grumbullohen në po të njëjtin vend, çudia vazhdon, ulja është mbi 50% dhe nuk ka shumë klientë, por euro-ja xhiron.

Sheh dhe institucione jopublike edukimi që shtohen si dyqanet e fustaneve, njësoj si Shqipëria.

Të gjithë në marsh për të marrë universitet e kartona e më pas të gjithë mendjen për emigrim.

Ndodh e njëjta gjë në Shqipëri, farmacitë janë të gjitha në një vend, juristët në të njëjtin vend, tapetet në të njëjtin vend me shumësi shitësish që hahen brenda pak metrave në konkurrencën e tyre, mekanikët të gjithë në një vend, edhe lokalet ngjitshëm shfaqen në të njëjtin vend si kërpudhat, por leku nuk xhiron.

Në Kosovë xhiron euro, nevojtarët hanë në fast food-e, njerëzit mbushin lokalet, pyesin për librat dhe janë shumë të interesuar në disa raste, dalin xhiro nga mëngjesi në darkë duke dëgjuar këngë perlash kosovare, dhe përsëri Kosova ngrihet. Ajo ngrihet nga emigracioni.

Emigracioni i shqiptarëve të Kosovës është i dhembshur me një shtet që ka 10 vjet e 10 mijë kusure hallesh si shtet. Ata janë të fuqishëm ekonomikisht.

Emigrantët e Shqipërisë janë lodhur me shtetin e tyre, ata nuk ndiejnë më dhembshuri për një atdhe që i trajton si të huaj, nuk hedhin më investime në Shqipëri. Shqipëria është shtet në rënie, Kosova është shtet në ngritje.
Korrupsioni fanepset megjithatë çuditërisht njësoj.

Kosova nxjerr figura ndërkombëtare si dikur perandorë nga Mitrovica e Nishi, Shqipëria mërzen si bagëtia nën pemë.
Në retrospektivë Prishtina dhe Tirana janë kryeqytete shëmbëlltyre të njëra-tjetrës në ulje-ngritje, por nga i njëjti komb.