MENU
klinika

Nga Nora Weller

Pse paqja mbetet e paarritshme?

14.09.2018 - 18:42

BE nuk duhet ta shtyjë Kosovën drejt një të ardhme të pasigurt, por të zbatojë parimet themelore të negociatave midis dy shteteve, për Kosovën dhe Serbinë që të kapërcejnë të kaluarën e tyre të dhimbshme.

Njerëzit e Kosovës meritojnë të kalojnë të paktën një sezon të vitit pa trazirat e zakonshme që u imponohen atyre dhe në vend të kësaj të lihet të lulëzojnë në një atmosferë qetësie.

Para dhe pas çdo vizite të zyrtarëve të lartë serbë në Kosovë, një sagë e garantuar nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare që vepron atje, kombi shqetësohet nga të gjitha parashikimet dhe ndërprerjet e shkaktuara.

Çdo pamje e qetësisë është ndërprerë nga kjo mosmarrëveshje e fundit rreth vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë, një mosmarrëveshje që shpërthen me rregullsi të mjerueshme disa herë në vit.

Vuçiq pretendon të jetë i interesuar në avancimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe kësisoj edhe BE-ja.

Nëse është kështu, ai duhet të veprojë në mënyrë të përgjegjshme, duke kërkuar të ulë tensionet dhe të shmangë zbehjen nga çështjet qendrore. Gjithmonë këmbëngulës me paraqitjet e tij në Kosovë, edhe pse këshillohet ndryshe, kjo dëshmon vetëm se veprimet e tij janë tipike për një politikan serb të viteve ’90 – duke sjellë me vete synimet e tij propagandistike për të ndezur publikun dhe për të penguar dialogun.

Përballë kësaj mosmarrëveshjeje të fundit, kishte indikacione se qeveria ishte shtyrë nga BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë për të lejuar vizitën. Nëse është kështu, duket se BE-ja vazhdon sërish me agjendën e vet, duke injoruar ndjeshmëritë dhe interesat e popullit të Kosovës.

BE dhe ndërkombëtarët e tjerë në Kosovë janë të vetëdijshëm se politikanët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë lirisht në Serbi. Pjesëmarrja e Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare dhe diplomatike gjithashtu shumë shpesh ishte penguar nga Serbia.

Siç duket, BE dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë po ushtrojnë presion vetëm mbi Kosovën, ose presioni i tyre ndaj Serbisë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën deri më tani ka qenë joefektiv.

Megjithatë, duhet të theksojnë se komunitetet serbe dhe shqiptare janë në një gjendje lodhjeje nga mungesa e zhvillimit ekonomik, ku minimumi i mundësive për punësim dhe arsimim është i shoqëruar me mungesën e kujdesit shëndetësor në vend. Duhen ndërmarrë hapa seriozë për të përmirësuar këtë situatë, përderisa veprimet e tanishme nuk nxisin në asnjë mënyrë bashkëjetesën paqësore dhe pajtimin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu mban përgjegjësinë për këtë mungesë fokusi. Së fundi, ai i ka dhuruar popullit dhe bashkësisë ndërkombëtare një sërë manovrimesh të njëanshme dhe të pashpjegueshme. Gjatë javëve të fundit, ai ka nisur një debat të vazhdueshëm për korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të hapë rrugën për normalizimin mes dy vendeve.

Planet dhe diskutimet e tij me Vuçiqin kanë mungesë transparence.

Kosova është kapluar nga një diskutim rreth shkëmbimit territorial pa asnjë dijeni rreth të asaj që po diskutohet aktualisht me Serbinë. Thashethemet variojnë nga një tregti e Mitrovicës Veriore për Preshevën, në korrigjime më modeste teknike të vijës kufitare.

Kjo i ka lënë komunitetet lokale në gjendje ankthi të madh. A do të shkëmbehen ata? Apo do të gjejnë veten papritmas në një vend të huaj? Kjo mungesë e transparencës dhe ndershmërisë në trajtimin e popullatave në të dy anët është e papranueshme në demokracitë moderne.

Presidenti i shtetit nuk është ekzekutiv me mandat të hapur për të negociuar (ose jo) pjesë të territorit të shtetit ose popullsisë, dhe posaçërisht jo në fshehtësi, duke parandaluar kështu debatin e arsyeshëm publik.

Prandaj, si mund të befasoheshin nga tensionet e fundit dhe rrugët e bllokuara në Kosovë gjatë vizitës së Vuçiqit, përderisa të gjithë hapat e rëndësishëm drejt ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme në Kosovë po anashkalohen?

Paqja dhe pajtimi në një shoqëri pas konfliktit është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, por mund të arrihet pasi të krijohet besimi dhe pasi të ndodhë kërkimfalja. Kjo është e mundur vetëm nëse aktet e dhunës pranohen nga ana e përdhunuesit. Këtë herë presidenti Vuçiq u përpoq të kalonte nëpër një numër fshatrash në rajonin e Drenicës, ku ushtria serbe vrau qindra civilë, kryesisht të rinj, gra dhe fëmijë, duke përfshirë një numër tronditës të grave shtatzëna dhe të porsalindurve.

Kujtimi i popullit të Kosovës nuk është zhdukur dhe më e rëndësishmja, nuk është përmbushur me keqardhje apo kërkimfalje nga ndonjë udhëheqës serb deri në ditët e sotme.

BE ndan përgjegjësinë për gjendjen e tanishme. Siç tregon edhe prania e Vuçiqit, Kosova është e shtyrë përsëri në koncesione taktike në interes të dialogut drejt “normalizimit”. Megjithatë, Kosova tashmë i është nënshtruar procesit të Ahtisarit dhe ka bërë lëshime të dhimbshme duke shpresuar se këto do të blinin hyrjen e saj në bashkësinë ndërkombëtare. Tani, Serbia po synon një ndihmë të dytë dhe BE-ja po kërkon rezultate, pavarësisht nga sakrificat e mëtejshme të kërkuara nga Kosova.

Kosova duhet të lejohet të formojë një delegacion negociues shumë kompetent, që të ndjekë interesat e vendit dhe të përcaktojë parimet bazë të pozitës së Kosovës. Parime këto nga të cilat nuk mund të lejohet devijimi.

BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë duhet të marrin parasysh pakënaqësinë aktuale popullore. Ekziston një rrezik real që investimi afatgjatë në normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë të shkojë huq.

Për më tepër, siç na mëson edhe vetë diskutimi i hutuar rreth korrigjimit të kufirit, Kosova duhet të sigurojë që procesi i negociatave me Serbinë të bartet me konsensus publik dhe transparencën që i takon një procesi të tillë demokratik.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, zyra e BE-se duhet të marrë parasysh se populli i Kosovës ka vendosur shpresa të mëdha në Bashkimin Europian, duke llogaritur mbi rregullën e artë, se respekti dhe konsiderata ndaj popullit nikoqir janë thelbi i diplomacisë së suksesshme ndërkombëtare.

Nora Weller është këshilltare ligjore për politikë së jashtme, dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ajo vepron nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë personale.

Kroatët do t’i mbyllin “rubinetin” e naftës!

SHBA humb durimin me Serbinë, Vuçiç në panik

Në fokus angazhimi për integrimin e vendeve të rajonit

Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor mbahet më 18 dhjetor!

Aleksandar Vuçiç: S’e kam parë ende dokumentin...

SHBA sanksione industrisë së naftës në Serbi

Rritet pakënaqësia ndaj Vuçiç

Mijëra studentë mbushin rrugët e Beogradit