Gjatë gjithë stines së verës, qarku i Shkodrës ishte i qetë sa i përket zjarreve por këtë fund shtatori, reparti i zjarrfikësve në këtë qark ka kaluar në gjendje emergjence.
Vetëm gjatë këtij muaji, janë regjistruar 112 raste në bashkitë e Shkodrës dhe Vau – Dejësit, duke dëmtuar disa hektarë tokë dhe pyje.
Drejtori Agron Dibra thotë se situata është alarmante dhe në disa raste edhe e pa menaxhueshme për shkak të intensitetit të zjarreve:
“Po përballemi me një situatë shumë të veshtirë.
Kemi 112 raste në të gjithë muajin dhe mbi 40 në tre ditët e fundit.
Lajmerohemi për zjarre në shumë zona dhe në këtë situatë ne nuk kemi as kapacitetin për tu përballur me kaq shumë vatra.
Në ndihmë na kanë ardhur edhe administrate e zonave te mbrojtura dhe vete banorët por po rrezikojmë shumë.
Në dy rastet e fundit, 3 efektivë na rrezikuan jeten për shkak të flakëve dhe erës së fortë.
I bëj thirrje, banorëve që të kënë kujdes pasi po rrezikohen edhe banesa e jetë njerëzish.”
Edhe ministrja Xhaçka nga Shkodra foli për këtë problem duke paralajmeruar se do të ndiqen penalisht jo vetëm përgjegjesit por edhe pronarët e tokave ku bie zjarr:
“Ne po ndeshemi me një fenomen sa paradoksal, aq edhe kriminal, me zjarret që po përfshijnë kullotat dhe tokat bujqësore.
Situata është alarmante jo vetem në Shkodër por në të gjithë vendin.
Informacionet tona flasin për zjarr-vënie të qëllimshme nga persona me tendenca kriminale, zjarrvënie te qëllimshme per arsye te konflikteve mbi pronën, apo zjarrvënie me qëllim krijimin e hapësirave për toka të reja.
Këta përsona por edhe pronarët e tokave që nuk kujdesen për pronat e tyre do të ndiqen penalisht.”
Zjarret e shumta kanë detyruar edhe policinë e Shkodrës që të shtojë patrullat për kontrolle por edhe efektivët për të ndihmuar familjet e rrezikuara.
Flakët kanë shkuar deri në afërsi të shtëpive thotë zëvëndësdrejtori për rendin dhe sigurinë publike në Shkodër i cili bëri apel qytetarëve që të mos rrezikojnë jetën e tyre për pak më shumë tokë:
“Si rezultat i zbatimit të masave shtesë, javën e fundit janë evidentuar 4 raste, dy nga të cilët janë vlerësuar aksidentale si dhe për 2 raste të tjera janë proceduar penalisht 3 shtetas për zjarrvënie nga pakujdesia, në Qarkun Shkodër.
Të gjithë Specialistët e Zonave kanë marrë detyrë dhe janë shpërndarë në të gjitha zonat që ata mbulojnë, ku kanë rimarrë dhe po vijojnë kontaktet me të gjithë barinjtë që kanë kullota në shfrytëzim, apo me banorët të cilët nga pakujdesia shkaktojnë zjarr ku shpesh këto zjarre kanë dalë jashtë kontrollit duke shkaktuar pasoja të rënda.
Ju lutem tregohuni të kujdesshëm”.
Gjatë kësaj të shtune, vatra aktive zjarri vijon të ketë në Velipojë, Malësi të Madhe dhe Pukë.
Kryesisht në zona ku ndërhyrja e zjarrëfikseve është e pamundur për shkak të terrenit.