MENU
klinika

Reklama, video muzikore

Jugonostalgjia/ MoMa përkujton arkitekturën e regjimit jugosllav

04.09.2018 - 12:03

Përpara se të nisnin luftërat e viteve ’90-të për shpërbërjen e Jugosllavisë, si dhe përpara shovinizmit të theksuar që markojnë sot këto shtete, Ballkani ka trashëguar një të shkuar të trazuar, të cilën gjeneratat e reja po përpiqen ta harrojnë, disa të tjerë e kujotjnë me nostalgji, ndërsa pjesa tjetër e botës, pjesa më e madhe e saj, e shpërfill. Disa muaj pas mbylljes së Gjykatës së Krimeve të ish-Jugosllavisë, në dhjetor 2017, Muzeu i Artit Modern në Nju Jork vendosi t’i kushtojë një retrospektivë kësaj bote të humbur, e cila tashmë mbijeton vetëm nëpërmjet arkitekturës së saj.

Ekspozita e titulluar “Drejt një Utopie Konkrete – Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980”, çelur më 15 korrik 2018 do të vazhdojë deri më 13 janar 2019. Loja e fjalëve të papërkthyeshme të titullit (“utopia konkrete”, në kuptimin e utopisë reale dhe konkrete, por e ndërtuar edhe në beton) zbulon qëllimin e ekspozitës: prezantimi i 45 viteve të Jugosllavisë së Josif Broz Titos, nëpërmjet studimeve, skicave, fotografive dhe materialeve që lidhen me të mirat arkitektonike që reflektonin më së miri politikën e saj socialiste.

Monumenti i Jasenovac, i quajtur ndryshe edhe “Lulja e Gurit”, bërë prej betoni të përforcuar 

“Drejt një Utopie Konkrete” është ekspozita e parë kuruar nga Martino Stierli, kurator i arkitekturës dhe dizajnit të Muzeut të Artit Modern, realizuar me mbështetjen e profesor Vladimir Kuliçit. Sipas Stierlit, arkitektura jugosllave përbën “një kapitull të rëndësishëm, por të nënvlerësuar të historisë në asetin botëror, dyzuar nga Lufta e Ftohtë”. Në fakt, utopia për të cilën flitet është utopia e një shoqërie në kërkim të një alternative të tretë ndaj stalinizmit të Bllokut Sovjetik dhe forcave amerikano-liberale, apo të vendeve të parenditura. Ekspozita, e konceptuar në 4 pjesë, shqyrton temat e urbanizimit të pasluftës, të eksperimentimit teknologjik dhe zbatimin e tij në jetën e përditshme dhe, së fundmi, monumentet dhe procesi i ndërtimit të memorialeve përkujtimore.

Në Jugosllavinë e Titos, arkitektura i përgjigjej shtysës së centralizuar për të krijuar një hapësirë të përbashkët qytetare dhe një histori të përbashkët në një shoqëri shumë të larmishme dhe multietnike, por në të njëjtën kohë ishte shprehja spontane e një dëshire për modernizim, që rridhte nga hapja me vendet e tjera dhe mundësia për të udhëtuar lirshëm, si në Lindje dhe në Perëndim. Beogradi, kryeqyteti i Federatës, përbën shembullin më të rëndësishëm në këto kushte: frymëzuar nga Brasilia dhe Chandigarh në Indi, Novi Beograd paraqet njëlloj periferie të ndërtuar mbi një model planifikimi modernist.

 

Mirëpo, seksioni i ekspozitës, që ndoshta është i destinuar të tërheqë edhe kureshtarë të shumtë, është planifikuar i fundit, nisur edhe nga titulli “Identiteti”, që ka të bëjë me memorialet dhe pllakat përkujtimore të Luftës së Dytë Botërore dedikuar partizanëve dhe betejave unifikuese. Bëhet fjalë për vepra magjepsëse, me një stil shpesh sa abstrakt, aq edhe surrealist, shtjellë përgjatë shtatë ish-republikave dhe që risjellin mitin themelues të antifashizmit, jo vetëm kundër forcave të Boshtit, por edhe kundër forcave të vetme nacionaliste që kërcënonin paqen dhe unitetin e Jugosllavisë në rritje.

Ndër autorët më të rëndësishëm të këtyre veprave, njohur ndryshe me emrin spomenik (monument), spikat emri i Bodgan Bogdanoviçit, arkitekt dhe intelektual i shquar (të cilit muzeu i kushtoi edhe një hapësirë të mjaftueshme me një botim paralel me katalogun), madje ka qenë Kryetar Bashkie i Beogradit në vitet 1982-1986, më pas kundërshtar i regjimit të Millosheviçit, pozicion që i kushtoi largimin drejt Vjenës, ku edhe vdiq në vitin 2010.

 

Sot monumentet mburren me statusin e atraksioneve turistike për jugo-nostalgjikët dhe kureshtarët e thjeshtë, përtej dukurisë sociale, falë kontributit të projekteve kërkimore dhe shpërndarjes si “SpomenikDatabase” (për të cilin në shtator do publikohet edhe një vëllim fotografik), por edhe për vëmendjen në rritje të medias ndërkombëtare, përmendur ndër të tjera nga Atlas Obscura dhe Lonely Planet. Kult që daton në vitin 2007, kur fotografi holandez Jan Kempenaers portretizoi monumentet më të rëndësishme, duke krijuar projektin e titulluar Spomenik, frut i së cilës qenë disa ekspozita dhe në një katalog që u përpi menjëherë nga qarkullimi. Siç theksojnë edhe shumë akademikë, termi spomenik (monument) në gjuhën origjinë serbo-kroate identifikon gjithëfarëlloj monumenti.

Ishte pikërisht Kempenaers, i pari individ me origjinë jo jugosllave, që e përdori për të përcaktuar ato monumente të veçanta, duke e legjitimuar në mbarë botën, madje në këtë mënyrë krijoi një ridimensionim të termit, me një konotacion politik shumë specifik. Për Jugosllavinë përkujtimi i luftës mbarte një domethënie të fortë ideologjike, e cila bazohej në nevojën për të kujtuar rreth një milion viktima. Si rezultat, monumentet u ndërtuan me bollëk (numëroheshin mbi njëqind) në të gjithë vendin, në pozicione të ndryshme (nga qendrat e banuara të qyteteve më të rëndësishme, në territore të pabanuara), si dhe iniciativa të grupeve të ndryshme (nga komunitete të vogla lokale të shtetit federal).

Veçanërisht Bogdanoviç ka rikrijuar një stil karakteristik për të përkujtuar traumën e luftës, përmes veprave të tilla si Memoriali i Jasenovacit në Kroaci, ku ndodhej një kamp përqendrimi nazisto-sllav, si dhe Varrezat e Dëshmorëve të Mostarit në Bosnjë-Herzegovinë.

 

Pas publicitetit dhe jugonostalgjisë që mbartnin tashmë në vetvete spomenik-ët, shndrruar tashmë në trashëgimi kulturore shpesh të panjohur, si jashtë, ashtu edhe brenda vendit. Vetë “Lulja” e Jasenovcit u bë qendër polemike, në fillim të korrikut u sulmua Valley Eyewear, një markë australiane, duke e fajësuar se kishte përdorur memorialin e gjenocidit hebre si model për fushatën e tij të fundit të reklamave, duke gjeneruar zemërimin e publikut online, si rrjedhojë përfundoi me tërheqjen e fushatës reklamuese. Për më tepër, monumentet e Tjentište dhe Podgarić janë përfshirë në skena teatrore të videove të këngës së fundit të Alan Walker “Darkside”, gjithnjë i qasur me një mjedis fantashkencë dhe post-apokaliptik.

Në fakt, ajo çfarë po ndodh vërtet me këto monumente dhe që i bën ato kaq të rëndësishme është reflektimi i vazhdueshëm rreth kujtesës dhe marrëdhëniet me të kaluarën jugosllave: fakt që në ish-republikat nuk është kurrë i njëzëshëm, madje përkundrazi i nënshtrohet një ripërkufizimi të vazhdueshëm. Nëse, nga njëra anë, monumentet vlerësohen si element ekzotik nga të huajt, brenda për brenda vendit ndodh shpesh që këto vende të lihen pas dore, për të mos thënë që bien pre e vandalizmit.

Shkurtin e kaluar, monumenti i Tjentište u godit nga një rrëshqitje toke çka vuri në rrezik mbrojtjen e saj, po ashtu edhe Varrezat e Partizanëve të Mostarit, vandalizuar dhe braktisur për vite me radhë, të cilat muajt e fundit u rinovuan falë ndërhyrjes së Bashkimit Evropian. Jam më se i sigurt, se operacionet monumentale të hulumtimit lëshuar nga Museu i Artit Modern do t’i sjellë shkëlqimin e dëshiruar kësaj shprehje arkitekturore dhe, mbi të gjitha, do të jetë në gjendje të veprojë si magnet tërheqës, duke e bërë të njohur ekzistencën e këtyre veprave edhe për pjesën tjetër të botës.

Edhe pse monumentet tashmë janë gjithnjë e më shumë të pranishme nëpër gazeta, reklama dhe video muzikore për estetikën e tyre, sfida e vërtetë është të rikthejmë çelësin e leximit korrekt që fshihet pas këtyre mbrojtësve, dëshmitarë të një utopie politike zhytur tragjikisht një copëz deti larg nesh.

Përktheu Migena Elezi

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit