MENU
klinika

Potencialet e ekonomisë

Rritja 3.5%, papunësia natyrore 10%

11.09.2018 - 17:54

Potenciali i rritjes së ekonomisë shqiptare është aktualisht është rreth 3.5%.Studimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përmirësimet në prodhim dhe në tregun e punës gjatë viteve të fundit kanë sjellë një rritje të lehtë të treguesve, që japin një tablo të ekulibrave makroekonomikë. Rritja potenciale e ekonomisë shqiptare pas krizë së vitit 2009 ra deri në 2.5%, nga rreth 6% që kishte qenë potenciali i rritjes në vitet e parakrizës.

Ndërkohë, nga analizat e vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se potenciali i rritjes është rritur në 3.5%, çka lidhet sidomos me akumulimin e kapitalit të ri fizik në vitet e fundit. Siç dihet, që nga viti 2014 e në vazhdim, rritja e ekonomisë shqiptare është mbështetur kryesisht në zgjerimin e investimeve, çka i ka rritur potencialet prodhuese. Një tendencë të ngjashme ka ndjekur ajo që quhet norma natyrore e papunësisë. Sipas teorisë ekonomike, papunësia natyrore nuk mund të jetë 0, për shkak të papunësisë strukturore dhe atë të asaj friksionale. Papunësia strukturore nënkupton mospërputhjen mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ndërsa ajo e fërkimit nënkupton papunësinë për shkak të zhvendosjeve të individëve nga një punë në një tjetër.

Sipas një materiali studimor të Bankës së Shqipërisë, papunësia natyrore në vitin 2015 ka zbritur në 10.1%, nga rreth 15% që ka qenë niveli më i lartë i papunësisë natyrore i konstatuar gjatë viteve të krizës.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Këta tregues janë të pamatshëm drejtpërdrejt nga statistikat dhe vlerësohen përmes metodave studimore të tërthorta. Në kushtet kur rritja është poshtë nivelit potencial dhe papunësia sipër asaj natyrore, kjo nënkupton kapacitete të pashfrytëzuara dhe hendek negativ prodhimi dhe punësimi në ekonomi. Kur rritja kalon nivelet potenciale dhe papunësia ulet poshtë normës natyrore, atëherë ka presione për rritje të çmimeve. Këto të dhëna konfirmojnë një tendencë në përmirësim të ekonomisë shqiptare, por edhe faktin që tregu i punës ka një reagim më të ngadaltë në raport me tregun e prodhimit. Nëse rritja ekonomike sot është lehtësisht sipër potencialit, papunësia reale është ende rreth dy pikë sipër asaj natyrore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN