MENU
klinika

WADA rihap laboratorin në Moskë

Rusia pranon skandalin e dopingut

20.09.2018 - 19:07

Agjencia Ndërkombëtare Antidoping (WADA) ka vendosur sot të rihapë laboratorin e saj antidoping në Moskë, i cili ishte pezulluar që në nëntor të 2015-ës, pas skandalit doping që “pushtoi” sportin rus.

Komiteti ekzekutiv i WADA, i mbledhur sot në një takim, ka vendosur që të rihapë laboratorin edhe pse ky vendim nuk ka qenë unanim dhe jo të gjithë kanë qenë dakord.

Madje komisioni që ishte përcaktuar për të ndjekur zhvillimit në Moskë ka qenë kundër, aq sa kryetarja e saj Beckie Scott dha dorëheqjen nga kjo detyrë pas vendimit. Por shumica vendosi që të rihapë këtë agjenci, pasi sipas saj Rusada (antidopingu rus) plotësoi dy kriteret kryesore që WADA i kishte vendosur një vit më parë.

Sipas WADA-s, Rusia ka pranuar fajin në skandalin doping si dhe faktin që bëhej fjalë për një doping të komanduar nga shteti. Ndërkohë që kushti i dytë është mundësia që WADA ka për të analizuar nga tetori i të gjithë kampionët e urinës dhe gjakut në testet e kryera në këtë laborator në Moskë (vitet 2012-2014), që dyshohet se janë të manipuluar.

Rusia është pezulluar nga aktivitetet olimpike prej gati 3 vitesh, aq sa ky vend nuk ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” dhe ato dimërore “Pyongchang 2018”. Por pas vendimit të WADA-s për të rihapur laboratorin në Moskë pritet që edhe IAAF (Federata Ndërkombëtare e Atletikës) të hapë dritën jeshile dhe të lejojë atletët rusë të garojnë në aktivitetet ndërkombëtare, nga dhjetori i këtij viti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN