MENU
klinika

Dr. Mirzana Kapllanaj

Meningiti në moshat fëminore

07.09.2018 - 18:52

Meningokoksemia është sindromë klinike e sepsisit akut ose hiperakut, e shoqëruar me rash purpurik, e cila shkaktohet nga një bakter negativ.

Sëmundja meningokoksemike paraqitet klinikisht si meningit, si septicemi ose me dy format klinike së bashku.

Njihen rreth 13 serogrupe të bakterit, por më të rëndësishmet janë serogrupet A, B, C, dhe W-135. Mikrobi përhapet me anë të pështymës ose të sekrecioneve respiratore.

Personat që janë mbartës të mikrobit në fytin e tyre nuk kanë shenja të sëmundjes. Bartëshmëria varet nga mosha.

Rreth 2% e fëmijëve janë mbi 2 vjeç, 5% deri në 17 vjeç dhe 20-40% është mosha e të rriturve.

Vdekshmëria

Shkalla e vdekshmërisë në këtë sëmundje vazhdon të mbetet në shifra të larta. Ajo është rreth 15-20% te meningokoksemi dhe mbi 60% te rastet me purpura fulminans edhe nëse është filluar trajtimi me antibiotikët e përshtatshëm.

Shumica e vdekjeve ndodhin brenda 48 orëve të para të shfaqjes së sëmundjes. Rreth 50% e pacientëve në gjendje shoku vdesin gjatë 12 orëve të para të shtrimit në spital.

Mosha

Kjo patologji haset më shpesh te fëmijët e moshës nën 4 vjeç, por sidomos në periudhën 6-36 muaj. Megjithatë është vërejtur një formë meningoksemie, e quajtur menigokoksemia okulte, e cila u shfaq tek fëmijët e moshës 3-24 muajsh.

Patogjeneza

Trakti respirator i njeriut është rezervuari i vetëm natyror i meningokokut. Kolonitë e meningokokut ndodhen në nazofaringun e 5-15% të individëve (mbartësve), por vetëm një numër i vogël e këtyre kolonive shkakton sëmundje invazive.

Kjo ndodh për një sërë arsyesh të cilat ende nuk janë studiuar. Ai mund të përhapet nga një person te një tjetër nëpërmjet ajrit. Mbipopullimi dhe faktorët e ulët social-ekonomike e favorizojnë përhapjen e meningokosemisë.

Klinika

Vendosja e diagnozës së sëmundjës meningokoksemike në fazën fillestare të saj është shpesh e vështirë, për faktin se shumë nga shenjat dhe simptomat e kësaj sëmundjeje nuk janë specifike.

Fëmija nuk shfaq që në fillim paraqitjen klinike klasike, por mund të ketë një gjendje jo të mirë, me temperaturë dhe me simptoma që imitojnë praninë e një infeksioni viral.

Përgjithësisht, sëmundja meningokoksemike invazive paraqitet në 3 forma klinike:

Septicemia meningokoksike karakterizohet nga prezenca e temperaturës së lartë si dhe nga predominimi i gjendjes toksike.

Personi i prekur në fillim është i ndërgjegjshëm, por më vonë kjo vetëdije fillon dhe zbehet. Sëmundja shfaqet papritur dhe progreson shumë shpejt duke arritur deri në vdekje në më pak se 12 orë.

Në përkeqësimin e sëmundjes rolin më të madh e luajnë citokinat të cilat shkaktojnë; hipotension, ulje të debitit kardiak, rritje të permeabilitetit kapilar, harxhim të faktorëve të koagulimit dhe shok septik. Në mjaft raste fëmija mund të prezantohet në gjendje moribonde.

Formë tjetër është meningiti.

Klinikisht fëmija paraqitet me temperaturë, letargji, të vjella të palidhura me ushqimin, dhimbje koke, fotofobi dhe rigiditet të qafës.

Këto janë shenjat klasike të zhvillimit të meningitit bakterial të çdo lloji. Disa fëmijë të vegjël mund të kenë shenja më pak specifike, si p.sh; problemet me ushqyerjen, grindja e të qarat me britma.

Forma e tretë e sëmundjes meningokoksemike është e lidhur me paraqitjen mikse të septicemisë dhe meningitit.

Shenja jo specifike, janë shenjat të cilat mund të jenë të pranishme në çdo infeksion. Kryesisht fëmija mund të paraqitet me temperaturë të lartë, refuzim të ushqimit, letargji, të vjella, ftohje apo dhimbje të këmbëve..

Ndryshimet në lëkurë që janë karakteristike për sëmundjen…

Petekiet në meningokoksemi janë çelësi i diagnozës dhe shpesh janë shenja e parë që çon në vendosjen e diagnozës klinike.

Manifestimet kutane të meningokoksemisë mund të jenë çelësi më i rëndësishëm për të përcaktuar diagnozën.

Meningoksemia fulminante

Meningoksemia fulminante karakterizohet si shenjë kardinale. Lezionet e saj karakterizohen kryesisht nga purpurat në formë harte ose zonat nekrotike të shoqëruara me KID, të cilat janë karakteristikat kryesore të kësaj forme të sëmundjes. Mund të ndeshen shfaqje hemorragjike në mukozën e gojës, gjuhë ose në konjuktivat.

Në këtë formë të sëmundjes përveç lezioneve në lëkurë, vërehen edhe karakteristika të tjera klinike. Zakonisht, shenjat e meningitit mungojnë, por vërehet prania e cianozës, e hipotensionit dhe e gjendjes së shokut.

Këta pacientë kanë temperaturë të lartë. Presioni i gjakut ulet dhe brenda pak orësh shfaqet insuficenca pulmonare.

Shumë nga këta pacientë vdesin, pavarësisht nga mjekimi me antibiotikë dhe nga mbështetja reanimatore e tyre.

Vdekja vjen brenda 12-48 orëve pas prezantimit të kësaj simptome.

Graviteti dhe prognoza e sëmundjes meningokoksemike

Kombinimi i tipareve fillestare klinike, i rezultateve të analizave laboratorike, i monitorimit në vazhdimësi dhe vlerësimi i përsëritur kohë mbas kohe, përbëjnë bazën e parashikimit të progresit, të gravitetit dhe të trajtimit të fëmijëve me meningokoksemi.

Sidoqoftë, është arritur të bëhet një vlerësim i faktorëve që ndikojnë në prognozën e sëmundjes.

Te treguesit e një prognoze të keqe përfshihen:

-Kohëzgjatje e shkurtër e simptomave (më pak se 24 orë);

-Prania e shenjave të sepsisit me mungesë të meningitit;

-Kalimi në gjendje shoku;

-Mungesa e urinës, (anuria);

-Shfaqja e acidozës;

-Prania e një numri petekiesh, (më shumë se 50).

Të paktën 3 nga këto shenja janë tregues të prognozës së keqe dhe vdekshmërisë së lartë edhe në reanimacionet më të specializuara të botës.