MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Shanset e opozitës për të qeverisur, apo Fundi i Historisë

22.09.2018 - 20:10

Pas intervistës së Berishës dhe deklarimit se « me Ramën, opozita nuk vjen në pushtet »

Në një nga intervistat e fundit të z.Sali Berisha, ndër të tjera u shpreh me bindje se me kryeministrin Edi Rama, opozita nuk mund të vijë kurrë në pushtet.

Për këtë arsye, ai u shpreh në favor të një lëvizje revolucionare që të rrëzojë nga pushteti të majtën e Ramës. Ishte hera e parë absolutisht që ai shprehet në këtë formë kategorike, ndonëse përgjithësisht besnik i një stili të caktuar komunikimi, ai e ngatërron qëllimisht sipëroren absolute, me atë relative, etj. Në një farë mënyre Berisha dukej i sinqertë me pohimin e tij prej njeriu të dorëzuar përballë kundërshtarit. Pse ? Si njeri që ka qëndruar gjatë në pushtet dhe përballë tij, ai është njohës i mekanizmave të mbajtjes së pushtetit nëpërmjet lidhjeve me segmente shoqërore e ekonomike, grupeve të interesit, mediave, segmenteve kriminale brenda vendit, e pse jo dhe faktorëve ndërkombëtare, të cilët janë të angazhuar, interesuar dhe ndikojnë për të mbajtur stabilitetin e një qeverisjeje dhe konfiguracionin e pushtetit dhe nuk pranojnë format e marrjes së pushtetit me dhunë e destabilitet. Pra ai e kupton më së miri, (pasi e ka bërë dhe vetë) sesi mbahet pushteti.

Pohimi i z.Berisha, ndonëse ai nuk është de jure udhëheqës i opozitës në një farë mënyre nënkupton pafuqinë e saj për të ardhur në pushtet me anë të procesit zgjedhor formal. Në shikim të parë, ky pohim mund të shërbejë si një demotivim për elektoratin demokrat apo opozitar në përgjithësi, ndonëse nuk është në stilin e një ish-udhëheqësi ballkanik që të pranojë publikisht dobësinë apo pafuqinë e tij për të rrëzuar kundërshtarin politik. Kjo deklaratë ishte aq e pazakontë sa dhe vetë Rama ka filluar ta përdorë duke thënë ndër të tjera se Basha kërkon vetting-un politik për shkak se nuk mund të vijë në pushtet ndryshe.

Rrugët për të ardhur në pushtet : a ka rrugë për opozitën, apo ato janë të mbyllura si thotë Berisha?

A mund të përfytyrojmë një rotacion normal pushteti në viset tona ?

E vërteta është që në vendet tona të vogla (të rajonit), një parti apo një lider i fuqishëm që konfirmohet në një mandat të dytë, mund të vijojë të rrijë gjatë në pushtet, për aq mandate sa do, për shkak se qeveria në këto vende krijon lidhje të qëndrueshme me faktorë të ndryshëm legalë apo dhe kriminale, që mundësojnë një statuskuo interesash, grupesh, që nuk lejojnë ndryshimin. Zhduket konkurenca në ekonomi, kudo dhe vendi shndërrohet gati gati në një autarki thuajse monopartiake .

Kjo vihet re (pothuajse) kudo në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Serbi dhe u vu re deri para pak kohësh në Maqedoni. Pra , ky fenomen është rajonal. Sa i takon Shqipërisë : bash kjo është arsyeja që bashkësia perëndimore është investuar në reformën në drejtësi dhe e shikon atë si një mënyrë që duke e shëruar këtë sistem, nëpërmjet tij të shërojë dhe sistemin politik. Madje ta përdorë në një lloj precedenti për rajonin, megjithë rezistencën e vendeve të caktuara për të dorëzuar sovranitetin. Risia e reformës në drejtësi është përfshirja e ndërkombëtarëve në kontrollin e pastërtisë së figurës, diçka unike në demokracitë normale.

Le të ofrojmë një shembull : vendi ka kompani, biznese që ndërtojnë rrugë, godina, infrastrukturë banimi, etj, të cilat domosdoshmërisht duhet të lidhen me pushtetin për të mundësuar vijueshmërinë e biznesit të tyre : për leje, licenca, tendera, etj. E njëjta gjë ndodh me grupet kriminale të cilat për të siguruar mbijetesën apo për tu fuqizuar në territor, lidhen me segmente të niveleve të ndryshme të pushtetit (të korruptuar) duke qenë edhe këta, si faktorë në mbijetesën një pushteti.

Por kjo nuk do të thotë se situata, apo e ardhmja është pesimiste. Po bisedoja me një deputet të së djathtës i cili po më tregonte për arrogancën e pushtetit qendror në qytetin e Shkodrës e cila sistematikisht voton kundër së majtës. Sipas tij qeveria imponon vendimet e veta në të gjitha sektorët e pushtetit vendor dhe nëpërmjet marrëdhënieve me grupet e caktuara të biznesit dhe ato kriminale, madje dhe tek Klubi Vllaznia?

Gjithashtu ai tha diçka paradoksale pas pyetjes sime se pse rrini me LSI-në, kur ajo ju grryen në territor, pse është parti më agresive sesa ju. « Ne rrimë me LSI-në për arsye se nëse ajo nuk është me ne, do të shkojë me PS-në, si u bë një tentativë para pak muajsh. Dhe po të jetë me PS-në bëhet më I vështirë rotacioni politik » !

Ta shohësh kështu ardhjen në pushtet, do të thotë të gjykosh në mënyrë statike, konvencionale, sipas logjikës së pushtetit, dhe jo të rregullave. Kësisoj rruga drejt rotacionit ngjan e vështirë, por jo e pamundur. Këtyre vështirësive do i duhet shtuar dhe një tjetër, që është në fakt pasoja e tyre : linja e sotme e Bashës në opozitë është si e paraardhësit të tij me etiketime të personalizuara per njerëzit e pushtetit që janë të lidhur me krimin, akuza të bëra nga deputetë në kërkim të promovimit, apo nga vetë Basha me zë të trashë kur nuk i ngjiret.

Mirëpo kjo rrugë nuk mund të jetë karta e vetme elektorale e opozitës, që sulmon madje dhe bizneset e lidhura dikur me të si biznese të kapura, të së majtës, të Ramës, etj, etj. Karta e kriminalitetit, e lidhjeve të qeverisë me krimin u provua intensivisht gjatë zgjedhjeve të fundit që u paraprinë nga çadra dhe nuk prodhuan rezultat elektoral më të mirë për opozitën. Përkundrazi, qeveria, Rama ndonëse dha pushtet si kurrë më parë (Berisha u habit madje), përmirësoi rezultatet e veta, madje pa LSI-në ! E pse duhet të ndodhë ndryshe në këto zgjedhje- nëse ndjekim arsyetimin apo frikën e Berishës ?

Rruga reale dhe e drejtë

Që opozita të vijë në pushtet, që të ndodhë rotacioni, do duhet të çlirohen energji të reja politike, institucionale, ekonomike dhe sociale. Akuzat e opozitës, karta e kriminalitetit në të vërtetë e dha një fryt- reformën në drejtësi, e paraprirë nga ligji i dekriminalizimit. Kjo reformë ose duhet mbështetur tërësisht, ose jo, nuk ka rrugë të mesme.

Pastrimi i drejtësisë, motivimi i njerëzve të rinj të saj për të goditur lidhjet e politikës me krimin, lidhjet e pista të politikës me bizneset që shkelin rregullat e lojës, të garës, të konkurencës, hap mundësi reale për rotacionin sepse krijon energji të reja.Opozitës i duhet një vizion institucional, dhe jo i personalizuar i pushtetit. Vendi duhet të njohë imponimin e opozitës për të siguruar rregulla loje, për të themeluar institucione të shëndosha, konkurencën në ekonomi dhe jo një ekonomi klienteliste ku njëherë bizneset shkojnë me njerën palë, dhe njëherë me tjetrën, etj. Vendosja e rregullave të lojës do nxisë konkurencën në biznes, sepse qeveria nuk i kënaq dot të gjithë dhe kësisoj do krijohen energji të reja ekonomike.

Brezi i ri, votuesit e rinj nuk e duan këtë gjuhë politike ekstremizuese e cila nuk ndikon pozitivisht askund, përveçse në motivimin e militantëve, pra në ruajtjen e hendekut politik midis grupeve të njerit krah dhe tjetrit, apo në ushqimin e këtyre krahëve në betejat e tyre imagjinare në rrjetet sociale. Kjo lloj opozite nuk është joshëse për pjesën gri, për brezin e ri, i cili është apolitik ose aideologjik dhe është i neveritur nga ekstremizmi fejsbukor. Rama nga ana e vet e ka kuptuar këtë më mirë dhe për këtë arsye nga kampi tjetër ai bën gjithçka për të ndryshuar formë dhe për të ndikuar më mirë te ky brez dhe duke u përpjekur të rishpikë vetveten : të spastrojë të vetët, të modernizojë disa institucione, të godasë grupe kriminale kur e trashin zullumin, të vizitojë të varfër në shtëpitë e veta, pa përmendur lojën ndërkombëtare në të cilën ai orientohet drejt.

Në një kontekst si ky, deklarata e z.Berisha ishte pesimiste ,e sinqertë, por nuk duhej bërë dhe nuk i përgjigjej së vërtetës. Sepse përndryshe, i bie që në Shqipëri ka ndodhur Fundi i Historisë.