MENU
klinika

Ashpërsohet ligji anti-duhan

Shitja e cigareve, me licencë të veçantë

29.09.2018 - 12:56

Ligji kundër duhanit do të ashpërsohet sërish. Instituti i Shëndetit Publik ka përgatitur disa propozime, që synojnë të frenojnë duhanpirjen dhe ta bëjnë atë akoma më të vështirë në ambientet publike. Çdo subjekt, i cili merr deri në tre gjoba brenda një afati kohor të caktuar, do të mbyllet.

Sipas propozimit, subjekti do të mbyllet për një periudhë të caktuar kohore, për t’u përcaktuar, dhe do të rihapet vetëm pas pagesës së gjobave dhe të një pagese shtesë për rihapjen. Masë shtesë do të jetë edhe ndalimi i cigareve elektronike në ambientet e mbyllura publike.

 

Ndërkohë që ka edhe një sërë propozimesh të tjera sa i përket reklamimit dhe përkufizimeve të duhanpirjes. Këndet me ngjyra fosforeshente që tërheqin vëmendjen e qytetarëve dhe ku reklamohen produkte të duhanit do të ndalohen.

Sipas Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ka raste që kompanitë shitëse të duhanit dhe nënprodukteve të tij bëjnë promocion në mënyrë të fshehur vetëm me ngjyra që përfaqësojnë logot, ose promocioni në pika shitjeje me anë të rafteve apo vendosjes së paketave në formate të caktuara në pikën e shitjes.

Një tjetër propozim ka të bëjë me kufizimin e pikave të shitjes së produkteve të duhanit. Kështu, çdo pikë e shitjes së produkteve të duhanit duhet të ketë një licencë të veçantë në mënyrë që të kufizohet numri i pikave të shitjes.

Propozimi parashikon që të shihet mundësia e ndalimit të shitjeve të cigareve apo duhanit të dredhur, i cili ka shije që fshehin atë origjinale si menthol, vanilje etj. Sipas Inspektoratit, duhet të shihet edhe mundësia e ndalimit të paketave me 10 cigare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN