Banka e Shqipërisë ka blerë 128 milionë euro në kursin e këmbimit valutor gjatë gjysmës së parë të vitit. Blerjet e Bankës Qendrore kanë pasur fillimisht qëllim zgjerimin e rezervës valutore, sipas një programi të nisur që vitin e kaluar.
Ndërkohë, në fillim të muajit qershor, Këshilli Mbikëqyrës vendosi nisjen e operacioneve të blerjes së valutës me qëllim frenimin e mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit valutor.
Vetëm gjatë muajit qershor, Banka Qendrore ka blerë mbi 65 milionë euro në tregun valutor, duke mundësuar në këtë mënyrë frenimin e forcimit të lekut dhe stabilizimin e kursit mes monedhës vendase dhe euros pranë nivelit të 126 lekëve. Ndërsa në pesë ankandet e blerjes së valutës me qëllim rritjen e rezervës valutore janë blerë gjithsej 63 milionë euro.
Duke pasur parasysh madhësinë relativisht modeste të tregut valutor në Shqipëri, përmasat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë janë shumë të mëdha. Kjo tregon se, në mungesë të ndërhyrjes së autoritetit monetar në vend, rënia e euros do të ishte thelluar më tej.
Besohet se gjatë muajve korrik dhe gusht blerjet e valutës mund të kenë pasur vlera edhe më të larta, duke pasur parasysh ofertën e shtuar valutore, tipike për sezonin veror. Kjo ofertë e lartë lidhet me të ardhurat nga turizmi dhe nga kthimi i emigrantëve për pushime.
Operacionet e blerjes së valutës synojnë eliminimin e tepricës së valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili, në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, do të dëmtonte përmbushjen e objektivit të inflacionit. Forcimi i lekut ndaj euros dobësoi presionet e huaja për rritjen e çmimeve, duke vështirësuar rritjen e inflacionit drejt nivelit 3%, të synuar nga Banka e Shqipërisë.