MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Si ndikon gjinia në rezultatet e kirurgjisë së arterieve koronare

15.09.2018 - 16:33

Bypasi aorto-koronar është procedura më e shpeshtë kirurgjikale në SHBA. Numërohen rreth 330.000 bypase aorto-koronare çdo vit në këtë vend.

Duke patur parasysh që popullata amerikane është afërsisht 50 herë më e madhe se numri i të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, atëherë incidenca e këtij interventi në bazë të këtyre përllogaritjeve është afërsisht 6000 bypase kërkohen të kryhen çdo vit në këtë rajon, ku gjysma e tyre vetëm në Shqipëri.

Duke patur parasysh që kjo është një popullatë mesdhetare, ku ateroskleroza ka një incidencë pak më të ulët afërsisht 15-20% në krahasim me popullatën e Amerikës së Veriut, mund të llogarisim që numri i këtyre interventeve në këtë rajon është afërsisht 4500 bypase aorto-koronare.

Fatkeqësisht realizohet vetëm një numër tepër minimal, dhe në bazë të të dhënave që unë disponoj, numri i pacientëve shqiptarë që kryejnë bypasin aorto-koronar në Shqipëri ose jashtë saj afërsisht 200 çdo vit kundrejt 2500 që është numri total i tyre dhe që fatkeqësisht janë të destinuar ndaj një vdekje tepër të shpejtë.

Duke qenë bypasi aorto-koronar procedura më frekuente në SHBA, shumica e fondeve për mjekësinë shpenzohen për trajtimin e aterosklerozës.

Këto shpenzime do të rriten në mënyrë dramatike në vitet që do të vijnë pasi jetëgjatësia jo vetëm në SHBA, por edhe në vende të tjera të zhvilluara do të rritet me kalimin e kohës si dhe për shkak të rritjes së numrit të popullatës. I njëjti fenomen duhet të pritet të ndodhë edhe në vende që kanë hyrë në një proces zhvillimi sikurse edhe Shqipëria.

Aktualisht jetëgjatësia mesatare e meshkujve në vendet e zhvilluara është 72 vjeç ndërsa e grave është 80 vjet.

Në të njëjtën kohë numri i pacientëve femra të cilat i nënshtrohen ndërhyrjeve të ndryshme për trajtimin e sëmundjes së arterieve koronare është në një rritje të vazhdueshme, më shumë se popullata e meshkujve.

Përllogaritet që në 30 vitet e ardhshme do të shpenzohet më shumë për trajtimin e kësaj sëmundjeje tek femrat sesa për meshkujt.

Aplikimi i bypasit aorto-koronar tek femrat

Në fillim të viteve 1980, numri i femrave që i nënshtroheshin bypasit aorto-koronar gati u dyfishua. Sot afërsisht 25 për qind e pacientëve që i nënshtrohen kësaj procedure janë femra. Në disa qendra kardiokirurgjikale që pranojnë intervente në pacientë me risk të lartë operator-pacientë që janë më të vjetër se 80 vjeç, përqindja e grave është afërsisht 50 për qind.

Faktorët e riskut tek gratë që i nënshtrohen bypasit aorto-koronar

Kur krahasohen meshkujt me femrat, merren në konsideratë një seri faktorësh të cilët mund të përcaktojnë rezultatet e bypasit aorto-koronar në të dy sekset. Këto përfshijnë moshën, diabetin, hipertensionin, insufiçiensën renale, peshën trupore në relacion me madhësinë e arterieve koronare dhe racën.

Mosha:

Për shkak se femrat zhvillojnë sëmundjen e arterieve koronare më vonë se meshkujt, shpesh, mosha e tyre është më e madhe se e meshkujve që i nënshtrohen kësaj procedure kirurgjikale.

Faktorët kontribues:

Femrat që i nënshtrohen bypasit aorto-koronar kanë një incidencë më të lartë të diabetit ose hipertensionit, ose të insufiçiensës renale dhe asaj kardiake. Statistikisht ato kanë më shumë mundësi të kenë një sëmundje më të avancuar dhe më të rëndë të arterieve koronare se sa meshkujt dhe simptoma më të theksuara se ta sikurse dhembja e gjoksit.

Këta faktorë rrisin rrezikun e çdo tipi trajtimi që mund të merret në konsideratë veçanërisht i bypasit aorto-koronar.

Për më tepër, femrat i nënshtrohen më shpesh ndërhyrjeve urgjente që tregon se gjendja e tyre kardiake është e pastabilizuar.

Të gjithë këta faktorë të marrë së bashku rrisin probabilitetin për rezultate jo të mira të bypasit aorto-koronar tek femrat. Nga ana tjetër, femrat që i nënshtrohen kirurgjisë kanë më pak episode të atakut kardiak në të kaluarën dhe më pak arterie koronare të dëmtuara sesa meshkujt.

Pesha trupore dhe diametri i arterieve koronare:

Përmendet shpesh që rezultatet e bypasit aorto-koronar tek femrat janë më të këqija se tek meshkujt pasi ato janë më të vogla dhe si rrjedhim edhe arteriet koronare janë më të vogla duke paraqitur shkallë të ndryshme vështirësie teknike. Megjithatë, asnjë studim nuk tregon një relacion të qartë në këtë drejtim.

Interventi kirurgjikal

Përgatitja

Duhet tentuar për çdo pacient stabilizimi i simptomave dhe duhet ulur sa më shumë stresi ndaj zemrës. Në femrat, të cilat kanë më shumë probabilitet për të patur simptoma të rënda dhe gjendje klinike të pastabilizuar, mund të indikohet shtrimi në spital bile edhe në terapinë intensive që përpara procedurës kirurgjikale.

Tek femrat mund të përdoret me shumë sukses një grup ilaçesh të cilët quhen edhe bllokuesit ose antagonistët e kalciumit të cilët kanë një ndikim direkt në rastin e spazmave të arterieve koronare, një gjendje e cila ndodh më shpesh tek pacientët e seksit femër.

Është e rëndësishme që në pacientët me një rrezik të lartë operator duhet të tentohet gjithçka për të ulur vdekshmërinë gjatë dhe pas interventit kirurgjikal. Pacienti me më pak rrezik do të ishte një pacient të cilit i programohet interventi.

Interventi me rrezikshmëri më të lartë për pacientin që duhet të ketë edhe prioritetin më të lartë, është interventi kirurgjikal i kryer në kushtet e emergjencës – pacienti duhet të shkojë menjëherë pas kateterizimit të zemrës në sallën operatore.

Zgjedhja e tipit të bypaseve

Shpesh është më tepër problem tek femrat për të gjetur tipin e bypasit që do të përdorësh arterie ose vena, pasi shpesh ato janë obese dhe diabetike dhe shpeshherë kanë vena varikoze. Megjithatë edhe tek femrat duhet tentuar ajo që sot konsiderohet më e pranueshmja nga të gjithë që është përdorimi i arteries së brendshme mamare.

Rezultatet e bypasit aorto-koronar

Vdekshmëria operative

Për shkak të të gjitha arsyeve që përmendëm, vdekshmëria tek pacientët e seksit femër duhet të rezultojë më e madhe se tek meshkujt, dhe kjo është evidente pothuajse në të gjitha studimet e kryera.

Komplikacionet e mundshme pas bypasit aorto-koronar

Pacientët e seksit femër kanë një probabilitet më të madh për të zhvilluar insufiçensë renale dhe probleme cerebrale pas interventit të bypasit aorto-koronar.

Po kështu femrat kanë më shumë probabilitet për të patur nevojë për ventilacion mekanik për periudha më të gjata kohore sesa meshkujt pavarësisht se femrat kanë më pak probleme pulmonare përpara interventit.

Femrat dhe sëmundja e arterieve koronare

Sot, sëmundja e arterieve koronare është shkaku i parë i vdekshmërisë tek gratë në SHBA. Afërsisht gjysma e pacientëve që kanë një atak kardiak janë femra. Afërsisht 500.000 gra vdesin çdo vit në SHBA për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.

Në SHBA numri i grave që vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare është afërsisht sa dyfishi i femrave që vdesin nga të gjitha format e tumoreve.

Incidenca e sëmundjes së arterieve koronare rritet në mënyrë sinjifikative pas menopauzës, kjo për arsye të uljes së nivelit të estrogenit në gjak (një hormon femëror) i cili në vetvete është një faktor protektiv për zhvillimin e sëmundjes së aterosklerozës. Duke vazhduar kura me estrogen pas menopauzës, zhvillimi i aterosklerozës ngadalësohet.

Shumë studime tregojnë që pacientet e seksit femër të cilat kanë një rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjes së arterieve koronare, apo ato të cilat kanë një sëmundje të tillë të identifikuar, mund të përfitojnë nga terapia me estrogen.

Një grup i cili do të kishte indikacion për një terapi të tillë, do të ishin padiskutim femrat të cilat i janë nënshtruar bypasit aorto-koronar apo procedurave të angioplastikës. Ekzistojnë shumë studime të cilat tregojnë një vdekshmëri të ulët dhe me pak komplikacione në ato paciente femra që i nënshtrohen kësaj terapie.

Përfundime

Megjithëse pacientet e seksit femër janë më në rrezik se meshkujt për t’iu nënshtruar procedurës së bypasit aorto-koronar, përsëri rezultatet e këtij interventi në to janë të shkëlqyera duke iu dhënë mundësi këtyre pacientëve të seksit femër vite të tëra pa shqetësime kardiake.

Pacientët e seksit femër me sëmundje të arterieve koronare të njohur nga ana e mjekut duhet të diskutojnë ndërhyrjen e bypasit aorto-koronar, pasi përfitimi që ato mund të kenë nga një intervent i tillë është shumë herë më i madh sesa risku që ky intervent përmban në vetvete tek këto pacientë.