MENU
klinika

Marcello Foa

Spin doctor-ët zyrtarë dhe ata… privatë

11.09.2018 - 16:32

Përktheu Irida Vasia
Sa janë spin doctor-ët që punojnë në qeverinë amerikane? Dhe si është e mundur që të gjithë funksionarët e administratës aplikojnë pa asnjë kundërshtim metoda që shpeshherë i kapërcejnë kufijtë e informimit institucional?

3.1. Sa vetë punojnë në komunikim: struktura zyrtare amerikane
Fillojmë me pyetjen e parë. Komunikimi është bërë kaq i rëndësishëm sa me kalimin e kohës, ai që deri në vitet 70` ishte vetëm një grusht këshilltarësh për mediat, tani është kthyer në një ushtri të vërtetë. Duke e përmbledhur konceptin mund të themi se kjo është struktura zyrtare e qeverisë amerikane. Rolin kyç sigurisht e ka Shtëpia e Bardhë, ku komunikimi i besohet dy personave përgjegjës, të cilët bashkëpunojnë mes tyre:

– zëdhënësi i presidentit, figurë tradicionale dhe e patjetërsueshme

– shefi i zyrës së komunikimeve globale (Office of Global Communications), një strukturë e krijuar nga administrata e Bushit verën e vitit 2002 dhe e formëzuar janarin e 2003-shit, qëllimi i së cilës është të koordinojë komunikimin mes ministrive të ndryshme, të njëtrajtëzojë mesazhet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe të promovojë imazhin e Shteteve të Bashkuara nëpër botë. Një ide që nuk lindi nga hiçgjëja: gjatë konfliktit të Afganistanit, këshilltarët e Bushit, Karl Rov dhe Karen Hjuxh, e centralizuan menaxhimin e informacionit. Përvoja ishte aq pozitive sa Shtëpia e Bardhë vendosi ta institucionalizonte, duke krijuar zyrën e komunikimeve globale.

Struktura drejtohet nga Den Bartlet, një specialist i komunikimit, bashkëpunëtor dhe mik i Rovit, që i kufizon shfaqjet e tij në publik në minimumin e nevojshëm, e që preferon të punojë prapa kuintave deri në atë pikë sa emri i tij deri në fund të 2003-shit dhe fillimin e 2004-tës, nuk ishte as në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë; një regjizor më shumë sesa aktor. Roli i tij ishte vendimtar gjatë mandatit të parë të presidencës Bush, me rezultate tjetërsuese. Nga një këndështrim mediatik, ofensiva kundër regjimit taleban, qe një sukses: Bartleti u tregua shumë i zoti me kapitalizimim politik të emocionit që ngjallën nëpër botë sulmet e 11 shtatorit: ajo e Afganistanit ishte një luftë amerikane e zhvilluar me mbështetjen dhe pëlqimin e opinioni publik ndërkombëtar. Edhe pse disa objektiva, nuk u arritën, siç ishte kapja e Bin Ladenit dhe Mullah Omarit, verën e vitit 2002, simpatia që gëzonin Shtetet e Bashkuara ishte tepër e lartë. Por ajo trashëgimi e jashtëzakonshme besimi u shpërbë shpejt 12 muajt pasues, kur objektivi u spostua nga Kabuli në Bagdad (për mënyrën e shumë diskutueshme të menaxhimit të luftës së Irakut do të flasim pak më vonë).

Në çdo ministri, përgjegjësia e komunikimit i besohet një zëdhënësi, që shpesh ka dhe statusin e zv/ministrit dhe kryeson një strukturë të konsoliduar, operative 24 orëshe të ditës. Shtëpia e Bardhë, Departamenti i shtetit dhe Pentagoni për shembull, kanë të punësuar në total dhe vetëm në Uashington, 173 persona. Zyra e komunikimeve globale përbëhet nga 53 vetë, 13 nga të cilët punojnë në zyrën e shtypit, 13 janë speechwriters, 10 janë në zyrën për marrëdhëniet me median, 8 në zyrën e komunikimeve, 6 në zyrën e komunikimeve globale, 3 në zyrën e drejtorit. Në departamentin e shtetit punojnë 71 vetë, nga të cilët 21 në zyrën e shtypit, në Pentagon janë 49. Këtyre u shtohen edhe zëdhënësit dhe këshilltarët për mediat në ambasada e përfaqësi konsullore, dhe mbi të gjitha, një “ushtri” specialistësh e bashkëpunëtorësh brenda ministrive të cilëve u merret mendimi për raste të veçanta. Në total, janë me qindra nëpunës që merren me komunikimin, qoftë në kohë të plotë, qoftë part-time.

Shpesh kanë një vizion të negativ për shtypin, të cilin e gjykojnë si të lodhshëm e armiqësor. I druhen opozitës, nuk ia kanë besën opinionit publik, synojnë influencimin e zgjedhësve. E mbi të gjitha, zënë pjesën më të madhe të pozicioneve kyçe. Në krye të komunkimit në Shtëpinë e Bardhë, Pentagon e Departamentin e shtetit zakonisht nuk janë funksionarët e karrierës, por ekspertët e zgjedhur nga presidenti. Janë ata që vendosin mesazhin e ditës dhe u japin direktivat funksionarëve të niveleve më të ulëta hierarkike. Shpeshherë, funksionarët “shtetërorë” nuk i njohin teknikat e spin doctor-ëve, ndaj edhe nuk janë në gjendje të deshifrojnë objektivat e paqarta. Sa vetë ishin në dijeni, për shembull të ekzistencës së Ganonit, gazetarit të rremë të akredituar në Shtëpinë e Bardhë? Kush është në gjendje të bëjë dallimin mes lajmit manipulues dhe atij të besueshëm? Spin doktorët kanë prirjen të abuzojnë me një sistem të mbështetur tek besimi, duke tkurrur hapësirat dhe autonominë e komunikuesve tradicionalë, që e ndajnë me rreptësi informacionin politik (përçarës për nga vetë natyra e tij) nga ai institucional (që synon të jetë më objektiv). Këto hapësira, që të jemi të qartë, vazhdojnë të ekzistojnë sipas traditës së shkëlqyer anglosaksone të public affairs. Por mungesa e paragjykimeve të spin doktorëve shkakton konfuzion me pushtimet e vazhdueshme të hapësirës, që në periudhën afatgjatë përfundojnë duke e dëmtuar emrin e mirë dhe interesat e një vendi të kalibrit dhe rëndësinë politike e morale të Shteteve të Bashkuara. Një prirje që veç të tjerash u forcua në mesin e viteve 90`, pasi u hoq dorë nga një ent qeveritar që për 40 vjet kishte zhvilluar një punë shembullore për mbrojtjen e imazhit të Shteteve të Bashkuara nëpër botë: United States Information Service (USIS), misioni i të cilit ishte përhapja e kulturës dhe vlerave amerikane në mbarë globin, pa presione të tepruara. Mbyllja e USIS-it u votua nga Kongresi gjatë presidencës Klinton në një epokë shtrëngimesh financiare. Në realitet, kursimi ishte thjesht një iluzion, sepse koinçidoi me rritjen progresive të pagës së konsulentëve të marrëdhënieve publike, apo më saktë, me fillimin e një ere të re, dhe shqetësuese: atë të spinëve me komision.

Flet “ikona” e lajmeve në RTSH

Si u pushtua televizioni pas vrasjes së Azemit!

Promovim i trashëgimisë kulturore të Elbasanit

Kolonia e piktorëve “Skampis 2024”

Kush është autori më i mirë i vitit

Panairi i Librit 2024 shpall fituesit