MENU
klinika

A ka “rilindur” tregu?

Të shesësh një pronë është më e vështirë

14.09.2018 - 18:36

Tregu i pasurive të paluajtshme është bërë objekt i një debati ekonomik, por edhe politik. Pas disa vitesh stanjacioni, perceptohet një farë gjallërimi dhe rritje e numrit të transaksioneve. Sipas disa burimeve, kjo solli edhe një rritje të çmimeve, megjithatë kjo ngelet një çështje ende e diskutueshme, edhe në mungesë të studimeve gjithëpërfshirëse për ecurinë e tregut. Ndër të paktat studime periodike të tregut të pasurive të paluajtshme bëhet nga Banka e Shqipërisë, në kuadrin e raporteve tremujore të politikës monetare. Tregu i banesave është barometër i rëndësishëm i shëndetit të ekonomisë, por, edhe një faktor i lidhur me stabilitetin financiar, duke pasur parasysh se banesat janë edhe lloji më i zakonshëm i kolateralit që bankat mbajnë për dhënien e kredive bankare. Po t’i referohemi Bankës së Shqipërisë, vështirë se mund të flitet për një boom në tregun e banesave.

Indeksi i çmimit të banesave ra për katër tremujorë radhazi, përgjatë gjithë vitit 2017. Sidoqoftë, në dy tremujorët e fundit rënia ishtë më e përmbajtur, mesatarisht me 2.1%, krahasuar me rënien mesatare prej 8.7% në gjysmën e parë të vitit.

Studimi i BSH ka disa kufizime metodologjike, duke qenë se mbështetet vetëm në çmimet e ofruara në gazetën “Çelësi” për banesat në kryeqytet. Gjithashtu, indeksi ndërtohet në lekë, ndërkohë që çmimet e pronave në Shqipëri kuotohen në euro. Zhvlerësimi i monedhës europiane ka ndikuar, rrjedhimisht, në ecurinë e indeksit, ndaj edhe kursi i këmbimit është një faktor që duhet mbajtur parasysh. Megjithatë, shifrat e Bankës së Shqipërisë sigurisht që nuk mbështesin perceptimin se çmimet e banesave kanë nisur një cikël të rritjes spektakolare. Një mendim të ngjashëm ndajnë edhe agjentët e pasurive të paluajtshme.

Lefter Sila, agjent i pasurive të paluajtshme, mendon që konkluzioni se tregu i pronave është gjallëruar nuk është plotësisht i saktë. Numri i transaksioneve ngelet i pakët, krahasuar me periudhën para se tregu të prekej nga kriza.

Rritja e pjesshme e transaksioneve është e përqendruar më shumë në zonat periferike, ku çmimet janë më të përballueshme. Ndërkohë, në përgjithësi tregu ka ende ofertë dhe z.Sila shprehet se pothuajse kudo ku ndërtohet ka prona të pashitura.

“Interesi për investim në prona ka rënë. Dikur, pronat mund të shiteshin në një kohë të shkurtër dhe çmimet ishin në rritje. Sot, të shesësh një pronë është më e vështirë. Koncepti i gjallërimit të tregut është relativisht i pasaktë. Nga të dhënat që disponojmë, transaksionet nuk janë ende në nivelet e disa viteve më parë. Për sa i takon çmimeve, ato janë rritur vetëm për ndërtimet që kanë filluar pas vitit 2015 e në vazhdim. Çmimet e tyre janë 30%-40% më të shtrenjta se pronat e tjera në të njëtën zonë,” thotë z.Sila.

Sipas ekspertëve, kjo rritje e çmimeve lidhet sidomos me faktorë të krahut të ofertës. Mes ndërtuesve ka konkurrencë të lartë për të siguruar truall ndërtimi, çka bën që pjesa e pronarit të tokës të jetë shumë e lartë, deri në 40%. Nga ana tjetër, rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë e ka rritur ndjeshëm koston e ndërtimit për pallatet e reja.

“Kjo shpjegohet me disa faktorë. E para, pronarët e tokës tani marrin deri në 50% të pallatit. Një pjesë tjetër të pallatit ndërtuesi e jep me klering te kontraktorët. Taksat e ndikimit në infrastrukturë është rritur, ndërsa sipërfaqja e shfrytëzueshme është ulur. Ndërtuesit i ngelet për të shitur 20%-30% të pronës. Me një pjesë të tillë të ngelur, natyrshëm ndërtuesi duhet të rrisë çmimet për të fituar nga investimi që kryen. Por, duhet të themi edhe këtë: nëse më parë pallatet shiteshin maksimalisht në karabina, tani ka pallate të përfunduara me apartamente të pashitura. Ky stok po krijohet në çdo zonë ku ndërtohet,” shton ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN