MENU
klinika

John F. Kennedy

“Të sigurojmë paqen jo për veten, por për gjeneratat!”

21.09.2018 - 16:00

21 shtator -Dita Ndërkombëtare e Paqes
Fjalimi i John F. Kennedy për paqen në botë, 10 qershor 1963

Përktheu: Arli Minga

Është krenari e madhe për mua që të marr pjesë në këtë ceremoni të Universitetit Amerikan, të mundësuar nga Kisha Metodiste, e themeluar nga Peshkopi John Fletcher Hurst dhe e hapur nga Presidenti Woodrow Wilson në vitin 1914. Ky është një universitet i ri dhe në rritje, por tashmë e ka përmbushur ëndrrën e Peshkopit Hurst për studimin e historisë dhe çështjeve publike në një qytet të përkushtuar për të bërë historinë dhe për të punuar për njerëzit e zakonshëm. Duke mundësuar këtë institucion të arsimit të lartë për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë, pavarësisht ngjyrës apo besimit të tyre, Metodistët e kësaj zone meritojnë falënderimet e kombit dhe gjithashtu, përgëzoj të gjithë ata që po diplomohen sot.

Profesor Woodrow Wilson dikur tha se çdo njeri që del nga një universitet duhet të jetë një njeri që do punojë për kombin dhe unë jam i bindur se djemtë dhe vajzat që kanë nderin e diplomimit nga ky institucion do të vazhdojnë të japin nga jeta e tyre, nga talenti i tyre, një kontribut të madh për vendin e tyre.

“Ka pak gjëra në tokë më të bukura se një universitet”, shkroi John Masefield në shkrimin e tij për universitetet angleze – dhe fjalët e tij janë njësoj të vërteta sot. Ai nuk i referohej ndërtesave ose kampuseve. Ai admironte bukurinë e mrekullueshme të një universiteti, sepse universiteti është: “një vend ku ata që e urrejnë injorancën mund të përpiqen të mësojnë dhe një vend, ku ata që e perceptojnë të vërtetën mund të përpiqen të bëjnë të tjerët ta shohin”.

Për këtë arsye kam zgjedhur pikërisht këtë vend për të diskutuar një temë mbi të cilën shumë shpesh injoranca pengon perceptimin e së vërtetës – dhe kjo është çështja më e rëndësishme në botë: paqja.

Ç’lloj paqeje, dua të them, çfarë lloj paqeje duhet të kërkojmë? Jo një paqe që vjen në botë në sajë të armëve amerikane të luftës. Jo paqja e varrezave apo paqja e burgjeve të skllevërve. Unë po flas për paqen e vërtetë – llojin e paqes që e bën jetën në tokë të vlefshme – llojin e paqes që i mundëson njerëzve dhe kombeve të rriten, të shpresojnë dhe të ndërtojnë një jetë më të mirë për fëmijët e tyre – jo thjesht paqe për amerikanët, por paqe për të gjithë gratë e burrat, vajzat e djemtë – jo thjesht paqe në kohët tona, por paqe të gjithkohshme.

Unë flas për paqen sepse qasja ndaj luftës ka ndryshuar. Lufta nuk ka kuptim në një epokë, ku fuqitë e mëdha mund të mbajnë armë bërthamore të rrezikshme e që refuzojnë të heqin dorë nga këto armë. Nuk ka kuptim në një epokë, ku një armë e vetme bërthamore përmban fuqi gati dhjetë herë më të madhe se gjithë bombat që hodhën forcat aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka kuptim në një epokë kur armët kimike do të përhapeshin nga era dhe uji, toka dhe bimët në çdo cep të globit, madje dhe aty ku jeta ende nuk ka lindur.

Sot, shpenzimi i miliarda dollarëve çdo vit për armët, medemek për të na siguruar se ne kurrë nuk do kemi nevojë për t’i përdorur, është thelbësor për ruajtjen e paqes. Por me siguri që shpenzimet në armë të cilat vetëm mund të shkatërrojnë dhe asnjëherë të ndërtojnë – nuk është mënyra më efikase për të siguruar paqen.

Unë flas për paqen, pra, si përfundimin racional të një njeriu të mençur. E kuptoj se sigurimi i paqes nuk është aq dramatike sa lufta – dhe shpesh fjalët për të siguruar paqen bien në vesh të shurdhër, por ne nuk kemi detyrë më urgjente se të sigurojmë paqen në botë.

Disa thonë se është e kotë të flitet për paqen dhe ligji i luftës apo çarmatimi botëror do të jenë të padobishme derisa udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik të kenë një qëndrim më të arsyeshëm. Shpresoj se do e kenë dhe besoj se ne mund t’i ndihmojmë ata ta kenë këtë qëndrim. Por gjithashtu besoj se duhet të rishikojmë qëndrimet tona – si individë dhe si një komb – sepse qëndrimi ynë është aq thelbësor sa edhe i tyre. Çdo i diplomuar i kësaj shkolle, çdo qytetar i zhytur në dëshpërim prej luftës dhe që dëshiron një orë e më parë paqen, duhet të fillojë të shohë brenda vetes – duke kristalizaur qëndrimin e tij ndaj paqes, ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj rrjedhës së Luftës së Ftohtë, ndaj lirisë dhe paqes, qoftë dhe në shtëpinë e tij.

Së pari: të shqyrtojmë qëndrimin tonë ndaj paqes. Shumë prej nesh mendojnë se është e pamundur. Shumë mendojnë se është joreale. Por ky është një besim i rrezikshëm, disfatist. Ky besim çon në përfundimin se lufta është e pashmangshme – se njerëzimi është i dënuar – se jemi të kapur nga forcat që nuk mund t’i kontrollojmë.

Nuk duhet ta pranojmë këtë pikëpamje. Problemet tona janë krijuar nga njeriu – prandaj, ato mund të zgjidhen nga njeriu. Dhe njeriu mund të jetë aq i madh sa dëshiron. Asnjë problem i fatit njerëzor nuk është përtej qenies njerëzore. Arsyeja dhe shpirti i njeriut shpesh kanë zgjidhur ato që janë dukur të pazgjidhshme – dhe ne besojmë se mund ta bëjmë përsëri.

Nuk po i referohem konceptit absolut, konceptit të pafund të paqes universale dhe vullnetit të mirë, të cilën e ëndërrojnë disa lunatikë. Unë nuk e mohoj vlerën e shpresave dhe ëndrrave, por ne thjesht do të dekurajohemi në qoftë se e mendojmë si qëllimin parësor këtë lloj paqeje.

Le të përqendrohemi në një paqe më praktike dhe më të arritshme, jo në një revolucion të papritur në natyrën njerëzore, por në një evolucion gradual në institucione – në një sërë veprimesh konkrete dhe marrëveshjesh efektive që janë në interes të të gjithëve. Nuk ka asnjë çelës të vetëm dhe të thjeshtë për këtë paqe – asnjë formulë magjike. Paqja e vërtetë duhet të jetë produkt i shumë kombeve, shumatorja e disa nismave. Ajo duhet të jetë dinamike, jo statike, duke ndryshuar për të përmbushur sfidën e çdo brezi të ri. Sepse paqja është një proces – një mënyrë për zgjidhjen e problemeve.

Me një paqe të tillë, do të ketë ende grindje dhe interesa konfliktuale, siç i kanë të gjitha familjet e mëdha dhe kombet vet. Paqja botërore, si paqja në bashkësi, nuk kërkon që secili njeri të dojë fqinjin e tij – kërkon vetëm që ata të jetojnë së bashku në tolerancën e ndërsjelltë, duke zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë të drejtë dhe paqësore. Dhe historia na mëson se armiqësitë midis kombeve, si ndërmjet individëve, nuk zgjasin përgjithmonë. Sidoqoftë, marrëveshjet apo mosmarrëveshjet, shpesh ndryshojnë në mënyë të habitshme dhe për pasojë edhe marrëdhëniet mes kombeve dhe fqinjëve.

Pra, le të ngulmojmë. Paqja nuk duhet të jetë e pazbatueshme dhe lufta nuk duhet të jetë e pashmangshme. Duke e definuar më qartë qëllimin tonë, duke e bërë atë më të menaxhueshëm dhe më pak të largët, ne mund t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit ta shohin atë, të gjejnë shpresë prej saj dhe të lëvizin në mënyrë të pandalshme drejt saj.

Dhe së dyti: Le të rishikojmë qëndrimin tonë ndaj Bashkimit Sovjetik. Është dekurajuese të mendosh që drejtuesit e tyre mund të besojnë në atë që shkruajnë propagandistët e tyre. Është dekurajuese të lexosh një tekst autoritar sovjetik të kohëve të fundit mbi Strategjinë Ushtarake dhe të gjesh, në faqe pas faqe, pretendime tërësisht të pabazuara dhe të pabesueshme – siç është pohimi se “qarqet imperialiste amerikane po përgatiten të lëshojnë lloje të ndryshme sulmesh. . . “; “Qëllimet e imperialistëve amerikanë janë të skllavërojnë ekonomikisht dhe politikisht vendet evropiane. . . [dhe] për të arritur dominimin botëror. . . me anë të luftës agresive “.

Vërtet, siç është shkruar shumë kohë më parë: “Të pabesët ikin kur askush nuk i ndjek.” Megjithatë, është e trishtueshme t’i lexosh këto pohime sovjetike – na bëjnë të kuptojmë shkallën e ndasisë midis nesh. Por është gjithashtu një paralajmërim – një paralajmërim për popullin amerikan që të mos bjerë në të njëjtin kurth si sovjetikët, të mos shohë vetëm një pikëpamje të shtrembëruar dhe nga ana tjetër, të mos e shohë konfliktin si të pashmangshëm, qetësinë si të pamundur dhe komunikimin si asgjë më shumë se një shkëmbim kërcënimesh.

Asnjë sistem qeveritar apo shoqëror nuk duhet që t’i konsiderojë si të mangët në vlera njerëzit e vet. Si amerikanë, ne e shohim komunizmin thellësisht të pështirë në mohimin e lirisë dhe dinjitetit personal. Por ne mund të vazhdojmë ta përshëndesim popullin rus për arritjet e tyre të shumta – në shkencë dhe hapësirë, në rritjen ekonomike dhe industriale, në kulturë.

Në mesin e tipareve të shumta që popujt e dy vendeve tona kanë të përbashkëta, asnjëra nuk është më e fortë se urrejtja reciproke ndaj luftës. Jemi të vetmit midis fuqive të mëdha botërore, që kurrë nuk kemi qenë në luftë me njëri-tjetrin. Dhe asnjë komb në historitë e luftrave nuk ka vuajtur më shumë se Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Të paktën 20 milionë humbën jetën. Miliona e miliona shtëpi u dogjën e shumë familje u shkatërruan. Një e treta e territorit të vendit, duke përfshirë dy të tretat e bazës së saj industriale, u shndërrua në një djerrinë.

Sot, nqs lufta do të shpërthejë përsëri – pa marrë parasysh se si – dy vendet tona do të jenë objektivi kryesor. Është një fakt ironik, por i saktë se dy fuqitë më të forta janë në rrezik më të madh se të gjithë për t’u shkatërruar. Të gjitha që kemi ndërtuar, të gjitha për të cilat kemi punuar, do të shkatërroheshin në 24 orët e para. Dhe madje edhe në Luftën e Ftohtë, e cila sjell barrën dhe rreziqet për shumë vende, duke përfshirë aleatët më të ngushtë të këtij kombi – dy vendet tona bartin barrën më të rëndë. Sepse të dy vendet kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për armët, para të cilat do të ishin më të dobishme për të luftuar injorancën, varfërinë dhe sëmundjet. Të dy vendet janë në një rreth vicioz dhe të rrezikshëm, me njërën palë që dyshon për tjetrën, dhe me armë të reja që janë kundërsulm për armën tjetër.

Shkurtimisht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e saj, kanë një interes të ndërsjelltë për një paqe të drejtë dhe të vërtetë dhe për ndalimin e armëve. Marrëveshjet për këtë qëllim janë në interes të Bashkimit Sovjetik, ashtu sic janë dhe për ne – dhe në qoftë se ne arrijmë një marërveshje, edhe vendet më agresive do të ndiheshin të imponuara për të pranuar këtë marrëveshje.

Pra, le të mos jemi të verbër ndaj dallimeve tona – por le të drejtojmë gjithashtu vëmendjen për interesat tona të përbashkëta dhe mjetet me të cilat mund të zgjidhen këto dallime. Dhe nëse nuk mund t’i japim fund ndasive tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt. Sepse, në analizën përfundimtare, lidhja jonë themelore është se ne të gjithë banojmë në të njëjtin planet. Ne të gjithë thithim të njëjtin ajër. Ne të gjithë e çmojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe të gjithë jemi të vdekshëm.

Së treti: Le të rishikojmë qëndrimin tonë ndaj Luftës së Ftohtë, Ne nuk jemi këtu për të shpërndarë fajin ose për të treguar me gisht. Ne duhet të merremi me botën për atë c’ka është, dhe jo c’ka qenë.

Ne duhet, pra, të ngulmojmë në kërkimin e paqes me shpresën se ndryshimet konstruktive brenda bllokut komunist mund të sjellin zgjidhjet që ne tani i shohim si të pamundura. Ne duhet të kryejmë detyrimet tona në një mënyrë të tillë që të bëhet në interes të qëllimit kryesor dhe komunistët të bien dakord me ne për paqen. Dhe mbi të gjitha, ndërkohë që mbrojmë interesat tona, duhet të shmangim patjetër një lufte bërthamore. Në qoftë se politikat për armët bërthamore do të vijojnë, ateherë politika jonë ka dështuar dhe është njësoj sikur ta kemi dënuar botën me vdekje.

Për të siguruar këto rezultate, armët amerikane nuk duhet të jenë provokative për të tjerët, të kontrollohen me kujdes. Forcat tona ushtarake duhet të jenë të angazhuara për paqe. Diplomatët tanë duhet të jenë të udhëzuar për të shmangur irritimet e panevojshme dhe armiqësitë retorike.

Sepse ne nuk mund të kërkojmë një qetësim të tensioneve pa e zbutur rolin tonë. Dhe, nga ana jonë, nuk kemi nevojë të përdorim kërcënime për të provuar se jemi të vendosur. Nuk kemi nevojë të imponojmë bindjet tona me anë të frikës, sepse besimi ynë do të gërryhej. Ne nuk duam të imponojmë sistemin tonë ndaj popujve që nuk janë të gatshëm për të – por ne jemi të gatshëm dhe të aftë për t’u angazhuar në konkurrencë paqësore me çdo popull në tokë.

Ndërkohë, ne kërkojmë të forcojmë Kombet e Bashkuara, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve financiare, për ta bërë atë një instrument më efektiv për paqen, për ta zhvilluar atë si një sistem sigurie të vërtetë botëror – një sistem i aftë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në bazë të ligjit duke siguruar sigurinë e të mëdhenjve dhe të vegjëlve, dhe duke krijuar kushte nën të cilat armët më në fund mund të zhduken.

Në të njëjtën kohë ne kërkojmë të mbajmë paqen brenda botës jo-komuniste, ku shumë kombe, edhe miqtë tanë, janë të ndarë mbi çështje që dobësojnë unitetin perëndimor, që ftojnë ndërhyrjen komuniste ose që mund të ndezin shkëndijën për të shpërthyer një tjetër luftë. Përpjekjet tona në Guinenë Perëndimore , në Kongo, në Lindjen e Mesme dhe në nënkontinentin indian, kanë qenë të vazhdueshme pavarësisht nga kritikat e palëve. Ne gjithashtu jemi përpjekur të japim një shembull për të tjerët – duke kërkuar të zhbëjmë ndasitë e vogla mes nesh si me Kanadanë, ashtu dhe me Meksikën.

Duke folur për kombe të tjera, dëshiroj të bëj dicka të qartë. Ne jemi të lidhur me shumë kombe me anë të aleancave. Këto aleanca ekzistojnë sepse interesat tona përkojnë. Angazhimi ynë për të mbrojtur Europën Perëndimore dhe Berlinin perëndimor, për shembull, qëndron i pandikuar për shkak të identitetit tonë. Shtetet e Bashkuara nuk do të merren me Bashkimin Sovjetik në kurriz të popujve të tjerë, por vetëm se të gjithë bashkë konvergojmë në një pikë, paqen.

Së pari: Presidenti Hrushov, Kryeministri Macmillan dhe unë kemi rënë dakord që diskutimet e nivelit të lartë të fillojnë së shpejti në Moskë duke parë drejt marrëveshjes për një traktat gjithëpërfshirës të ndalimit të testeve bërthamore. Shpresojmë që kjo marrëveshje të arrihet, jo vetëm për ineresat tona, por për të mirën e të gjtihë njerëzimit.

Së dyti: Për ta bërë të qartë synimin tonë të mirë dhe bindjen solemne mbi këtë çështje, tani deklaroj se Shtetet e Bashkuara nuk do të kryejnë teste bërthamore në hapësirë për aq kohë sa shtetet e tjera nuk e bëjnë këtë. Ne do të jemi të parët që do ta ndalim këtë gjë. Një deklaratë e tillë nuk zëvendëson një traktat formal të detyrueshëm, por shpresoj se kjo do të na ndihmojë të arrijmë një marrëveshje. As një traktat i tillë nuk do të ishte zëvendësim për çarmatimin, por shpresoj se kjo do të na ndihmojë të arrijmë atë.

Së fundmi, bashkëkohësit e mi amerikanë, le të shqyrtojmë qëndrimin tonë ndaj paqes dhe lirisë këtu në shtëpi. Cilësia dhe fryma e shoqërisë sonë duhet të justifikojë dhe mbështesë përpjekjet tona jashtë vendit. Ne duhet ta tregojmë atë në përkushtimin ndaj jetës sonë të përditshme.

Por kudo që të jemi, ne të gjithë, në jetën tonë të përditshme duhet të kemi besimin se paqja dhe liria ecin së bashku. Në shumë qytete tona sot, paqja nuk është e sigurt, sepse liria është e paplotë.

Është përgjegjësi e Degës së Ekzekutivit në të gjitha nivelet e qeverisjes – lokale, shtetërore dhe kombëtare – për të siguruar dhe mbrojtur lirinë për të gjithë qytetarët tanë. Është përgjegjësi e Degës Legjislative në të gjitha nivelet, kudo që autoriteti ligjor nuk është i duhuri, ta rregullojë atë. Dhe është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve në të gjithë vendin që të respektojnë të drejtat e të tjerëve dhe të respektojnë ligjin e vendit.

E gjithë kjo – E gjithë kjo nuk është e palidhur me paqen botërore. “Kur veprimet e dikujt i pëlqejnë Zotit, ai bën që armiqtë e tij të jenë në paqe me të.” Dhe paqja është një e drejtë themelore e njeriut- e drejta për të jetuar jetën pa frikën e shkatërrimit – e drejta për të marrë frymë – e drejta që siguron gjeneratat e ardhshme të jetojnë në një botë më të sigurt.

Ndërsa vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, le të mbrojmë interesat njerëzore. Dhe eliminimi i luftës dhe i armëve është në mënyrë të qartë në interes të të dyjave. Asnjë traktat, pavarësisht se mund të jetë në të mirë të të gjithëve, sado i ashpër mund të formulohet, nuk mund të ofrojë siguri absolute kundër rreziqeve të mashtrimit dhe evazionit. Por sigurisht do të ofronte më tepër siguri, pasi do të ndëshkonte këdo që do të vepronte në kundërshtim me të.

Shtetet e Bashkuara, siç bota i njeh, kurrë nuk do të fillojnë një luftë. Ne nuk duam një luftë. Ne nuk presim një luftë. Ky brez amerikanësh ka pasur mjaft – më shumë se sa duhet – luftë, urrejtje dhe shtypje. Por ne do të jemi të përgatitur nëse të tjerët e dëshirojnë. Ne do të jemi vigjilentë për ta ndaluar atë. Por ne gjithashtu do të bëjmë pjesën tonë për të ndërtuar një botë të paqtë ku të dobëtit janë të sigurt dhe të fortit janë të drejtë. Ne nuk jemi të pafuqishëm përpara kësaj detyre apo të pashpresë për ta realizuar këtë synim. Besimplotë dhe pa frikë, ne duhet të punojmë – jo drejt një strategjie asgjësuese, por drejt një strategjie paqësore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Një krijim mbi Historinë, Stilistin dhe Mjeshtërinë artizanale

“Ti, Xhubleta e Re!”

Së shpejti shfaqje të reja

Hapet Teatri i Kukullave