MENU
klinika

OKB thotë se keqtrajtojnë emigrantët

Të zhgënjyer nga Italia e Austria

11.09.2018 - 12:47

OKB ka bërë plane të dërgojë ekipe në Itali dhe Austri për të parë trajtimin e migrantëve pas një “përshkallëzimi alarmues të sulmeve kundër azilkërkuesve”.

Në paraqitjen e saj të parë si komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë, Michelle Bachelet tha se ishte alarmuar nga dhuna e fundit kundër migrantëve në Gjermani dhe synon të dërgojë zyrtarë në Austri dhe Itali për të shqyrtuar mbrojtjen e emigrantëve në ato vende.

Zonja Bachelet tha se zyra e saj do të vlerësojë zhvillimet e fundit në Austri dhe gjithashtu do të shkojë në Itali për të vlerësuar rritjen e theksuar të akteve të dhunës dhe racizmit kundër migrantëve, personave me origjinë afrikane dhe romëve.

Të dyja qeveritë kanë ndërmarrë politika të ashpra lidhur me migracionin.

Zonja Bachelet ishte kritike ndaj politikave të Bashkimit Europian në tërësi mbi emigrantët si një e tërë, por ajo veçoi Italinë.

Ajo përmendi vendimin e saj për të mbyllur portet e saj detare, duke mohuar hyrjen në anijet e shpëtimit.

Ajo tha se kjo kishte patur pasoja serioze ndaj më të rrezikuarve. “Edhe pse ne po shohim një rënie të madhe në numrat që vijnë nga Libia gjatë 12 muajve të fundit, numri i atyre që kanë vdekur është më i lartë në gjashtë muajt e parë të vitit 2018 sesa ka qenë.”

Vërejtjet e saj sollën një reagim të ashpër nga ministri i brendshëm italian Matteo Salvini, i cili ia ktheu në një post në Facebook duke thënë se ajo po mbante anën e njërës palë dhe sipas tij ishte “e keqinformuar”.

“Para kryerjes së kontrolleve mbi Italinë, OKB duhet të shikojë shtetet e veta anëtare që injorojnë të drejtat themelore siç janë liria dhe barazia midis burrave dhe grave” shkroi ai.

“Italia në vitet e fundit ka pranuar 700,000 emigrantë, shumë prej të cilëve janë klandestine dhe kurrë nuk kemi patur bashkëpunim me vendet e tjera evropiane” shtoi ai.

“Prandaj ne nuk pranojmë mësime nga askush, e jo më nga nga OKB” përfundonte Salvini në postimin e tij.

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se ai e mirëpriti njoftimin e znj. Bachelet duke ofruar një “mundësi për të zhdukur paragjykimet e rreme për Austrinë”.

Z. Kurz tha në një deklaratë se kushtet e jetesës për emigrantët në Austri janë ndër më të mirat në botë.

Zonja Bachelet gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian të nisë një operacion kërkimi dhe shpëtimi për njerëzit që kalojnë Mesdhe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN