MENU
klinika

Elma Doresi: Mos punoni, do t'ju zërë Epidemia!

Teatri Kombëtar, spastrime si në kohën e komunizmit

05.09.2018 - 10:55

Nga Ilnisa Agolli/

Deklarata e regjisores Doresi në rrjetin e saj social facebook , shkaktoi jo pak reagime nga figura të artit dhe politikës në vend. “Mos punoni se do të mbeteni pa punë” shkruan ajo pasi i komunikohet ndërprerja e papritur e kontratës me Teatrin Kombëtar. Ky teatër tanimë pa skenë, në periudhën më të errët që po kalon kur diskutohet shëmbja e godinës, duhet të mbajë mbi vete edhe këtë çështje aktuale, problematika e së cilës rreh larg në thelb, duke prekur një fenomen jo të parëndësishëm.

Por nëse fati i Teatrit Kombëtar është në duart e shtetit, ai i punonjësve në duart e kujt është?

Regjisorja Doresi, puna e së cilës daton qysh prej vitit 2015-të me “Konkursi i Netëve të Leximit të Dramës Shqipe 2” (Lexim i veprave. Përzgjedhja e tyre. Kurimi i 7-të veprave nga 10-të të përzgjedhura), “100-të vjetori i Kol Jakovës”, 2016-2017 “Zbutja e Kryeneçes” (19-të netë salla plot), Konkursi i Netëve të Leximit të Dramës Shqipe 3, rikthimi i “Zbutja e Kryeneçes” (pas një viti e gjysëm shkëputje me 5 aktorë zëvendësues), pjesëmarrja në dy Festivale në Kinë dhe 2018 realizimi projektit “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti”; ka bërë publik motivacionin e heqjes nga puna.
Roli regjisorit është në qarkullim
⁃ Nuk jeni të përjetshëm
⁃ Nuk ke projekt

Të punosh apo të mos punosh, nuk është thjesht çështja, është Epidemia e re e degjenerimit këto kohë që po na rikthen diktaturën e një mentaliteti të shkuar e primitiv.

Unë mbeta pa projekt – thotë regjisorja- për arsye se u anullua konkursi i projekteve pikërisht nga Teatri Kombëtar. Edhe pse e kisha projektin dhe isha drejtuese artistike aty, m’u tha se ishte thjesht suplement ky konkurs. Andaj kriteret e rrogës nuk i plotësoja dot. Për ironi ky “suplement” ishte dhe kontrata e parë me atë institucion. M’u tha gjithashtu se postet nuk janë të përjetshme. Dua t’i them ish drejtuesit tim, Z.Çuli se asnjë post nuk është. Ne vetë jemi kalimtarë në jetë.”

Të shumta janë figurat e njohura në vend që nuk kanë hezituar të shprehin indinjatën e tyre rreth kësaj traume që po shpërthen masivisht duke sjellë tallaze absurde në shoqërinë tonë.

Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu i shkruan Elmës se: “Është një turp i madh! Një hakmarrje perverse në emër të një reforme nga njerëz që s’dinë të reformojnë as veten e tyre. Dhe kjo kundër kujt ? Kundër një vajze, kundër një femre, kundër një regjisoreje që me punën e saj ka treguar që është e talentuar. Por edhe pak e talentuar të jetë ku e keni respektin, ku e keni solidaritetin zotërinj shtetarë të kalbur? Ku jeni ju dhe kolegët e mi? Ngrijeni zërin e mos u fshihni vrimave duke fërkuar duart nga frika se mos një ditë ju vjen radha edhe juve. Pro regjisores vjen edhe reagimi i deputetes së Partisë Socialiste znj.Vasilika Hysi e cila si juriste beson ende tek drejtësia: “Elma e dashur! Më vjen shumë keq! Unë besoj shumë se falë aftësive të tua dhe përkushtimit do të rivendoset e drejta në vend!”

Një e drejtë që e shpresojmë të gjithë bashkë. Për ata që e shkarkuan, kujtojmë se Elma Doresi i takon një brezi të talentuar regjisorësh dhe falë punës së palodhur brenda mureve të atij Teatri Kombëtar ajo ka arritur deri në 10 mijë bileta të shitura për vetëm një shfaqje.

Një shifër mbresëlënëse edhe për vetë drejtorin Çuli!

Doemos lind pyetja: Pse ky institucion hesht dhe është kaq pasiv? Pse nuk reagon ndërsa jemi ballë një fakti publik që po konsiderohet shqetësues të cilin po e mbështesim të gjithë?

A është kjo Shqipëria që duam? Jo, kjo është Shqipëria që po na përzë për të marrë rrugët e emigrimit, e dhunshme në urdhëra dhe amorfe në veprime.

Konica.al e lë të hapur reagimin duke ftuar në komunikim ndërgjegjen e fjetur.