MENU
klinika

Stop Copëtimit

Telegram Konferencës së Parisit

24.09.2018 - 10:11

Dihet që fillim shekulli i XX Shqipëria ishte e rrezikuar për t’u ndarë sipas planeve të shteteve fqinje në Ballkan dhe sipas interesave të Fuqive të mëdha. Në këto kushte në 1920, Shqipëria nuk rrinte duarkryq. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës ndërhyri në shumë mekanizma ndërkombëtarë për të kërkuar të drejtat e saj legjitime.  

Në një telegram të Konferencës e Paqes në Paris delegacionit shqiptar i drejtohet kryetarit të konferencës Llojd Xhorxh dhe kryetarit të tre shteteve aleate për të protestuar për copëtimin e kufijve të Shqipërisë. Përmbajtja e letrës ku i mëshohet fort problematikave të Shqipërisë së brishtë kundrejt zhvillimeve të konferences janë në letrën si më poshtë.

Paris, 11 shkurt 1920

Shkëlqesë, dërgata shqiptare u drejton edhe nji thirrje të mbrame kryeqeveritarëve të tri Pushteteve të Mëdha Besëlidhuna, tue u kërkue që të kenë mirësinë me i kursye Shqipnisë nji vendim që sjell me vete të shqymunit e mëvetësisë e të jetës kombëtare të saj.

Të ndamet e Shqipnisë ndërmjet italianësh, serbësh e grekësh, ose të nënshtruemit e saj, nëpër nji formë çfarëdo, nën rojën e këtyne shteteve që kanë pasë kurdoherë qëllime aneksuese mbi truellin shqiptar, kishte për të pasë rrjedhat ma të liga për fatin e kombit tonë.

Qeveritë Beslidhuna i dinë fort mirë rrënimet e bame prej grekëve më 1914 në Shqipninë e Jugut, ku ma se treqind katunde shqiptare qenë djegë prej tyne me qëllim që t’i shtynin banorët apo që t’i shtrëngonin me u dyndë së andejmi; ato nuk mund të mos dinë edhe që serbët kanë aneksue me përdhuni, më 1913, sa e sa krahina të gjana e pjellore, banorët e të cilave janë 90% thjesht shqiptarë, e që, për ma tepër, s’kanë lanë salvime as rrënime pa ba kundër mija e mija shqiptarësh; ato i njohin prapë mirë edhe qëllimet aneksuese të Italisë mbi qytetin e Vlorës me rrethe.

Tue qenë se nuk mund të bahet që të gjitha këto punë të mos kenë lanë nji helm në zemër të shqiptarëve e nji mosbesim ndërmjet këtij populli e fqinjëve të vet, na jepet me pyetë, si kryetarët e të tri qeverive Besëlidhuna, të cilët kanë marrë për barrë që të vendosin qetësinë në Shqipni e të sigurojnë përtardhmen (avenir) e këtij vendi, mund t’u ketë shkue në mend me e shtrue Shqipërinë nën sundimin e drejtë apo nën rojën të atyne vetë, të cilët, për arsyet e sipërpërmenduna, e kanë bjerrë moralisht të drejtën për me krye nji mision të tillë.

Po i drejtojmë, pra, për herën e mbrame, edhe nji thirrje të nxehtë urtisë e paanësisë së kryeqeveritarëve të tri kombeve të mëdha liridashëse të Europës, tue i lutë që në zgjidhjen e çashjtes shqiptare të mos pranojnë masa të tjera përveç atyne që përkojnë me drejtësinë e me vullnetin e popullit shqiptar e të cilat kishte për t’i pëlqye edhe vetëdija e përbotshme.

Për në qoftë pastaj se Qeveritë Besëlidhuna, kundër mendimit e dëshirës së popullit shqiptar që beson se asht i zoti me qeveritë vetveten, kanë për të gjykue se asht nevoja që t’i jepet nji ndihmë sa më e përkrahë në hapat e parë të jetës politike, na ju lutemi që kjo ndihmë të kufizohet vetëm me dërgimin në Shqipni të disa ekspertëve civila e ushtarakë të shenjuem prej Shoqënisë së Kombeve, po që të mos jenë prej shteteve të interesueme.

Dërgata shqitpare asht thjesht e bindum se, tue e zgjidhë këso dore çështjen e Shqipënisë, Besëlidhunit kishin për t’ia arritë fort lehtë qëllimit që ndjekin e që kërkon të forcumit e paqes në Ballkan e sigurimin e së mbarës e së mirës së të gjithëve popujve që rrojnë aty.

Kjo zgjidhje do t’ishte shumë e fitimshme se projektet e tjera që janë marrë parasysh, e do t’i kursente edhe vendit tonë kobin e nji coptimi.

I lutem Shkëlqesës suej me pritë sigurimin e nderimit tem fort të naltë.

Kryetari i dërgatës shqiptare, L. BUMÇI (nga ‘’Shqipëria përpara Konfernecës së Paqes’’ ble i dytë Shkodër 1921 f. 67-67

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN