MENU
klinika

Kryevepra e Georges Bizet

TKOB rikthen Operën “Carmen”

19.09.2018 - 11:10

E shumëpritur nga publiku shqiptar, opera “Carmen” u ngjit premierë mbrëmjen e 30 janarit në skenën e Pallatit të Kongreseve, duke mos zhgënjyer as këtë herë kureshtjen e spektatorëve që mbushën sallën, por “Carmen” do të rikthehet në këtë fund shtatori për t’i dhënë mundësinë të gjithë atyre që e humbën mundësinë për ta ndjekur në muajin janar.

Opera “Carmen” do të të rihapë dyert për publikun në datat 27,28,29 dhe 30 shtator e do të rikthejë në skenë sopranon e dashur për publikun shqiptar, Vikena Kamenica. Këtë herë në dirigjim do të jetë serbi Dejan Savic me regji të të mirënjohurit Gëzim Myshketa.

Këtë herë artistëve të TKOB i bashkohen në role kryesore artistët më në zë serb, për të konkretizuar Protokollin e Bashkëpunimit me Teatrin Nacional të Operas së Beogradit.

Për të sjellë në skenë në versionin më të mirë të Operës “Carmen” do të angazhohen plot 170 artistë mes tyre jo vetëm tenorë e soprano, por edhe balerinë të shquar e aktorë të mirënjohur ku vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e veçantë e Tinka Kurtit në një rol të shkruar enkas për të.

Në rolin kryesor, atë të Carmenit, rikthehet mezzo-sopranoja Vikena Kamenica. Ajo e ka interpretuar edhe më herët këtë rol, por tashmë vjen më e pjekur artistikisht. Pas një karriere të konsoliduar, si një nga këngëtaret më të rëndësishme të TKOB-së, ajo do të sjellë një Carmen më të plotësuar, më të thelluar, më të ndjerë.

Në fakt, Kamenica hyn në elitën e mezzo-sopranove që kanë interpretuar Carmen në vite. Këtu mund të përmendim Zehava Gal, Dencye Graves, Rinat Shaham të cilët janë bërë të njohura pikërisht nga ky rol si aktore dhe këngëtare të shkëlqyera. Gjithashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur se Carmen është regjistruar dhe nga zëri qiellor i Maria Callas. Ndërsa Elina Garanca, mezzo-soprano nga Letonia, është shënuar në librat e Operas botërore si zëri më i mirë që ka interpretuar rolin e Carmen në Operën e famshme të Georges Bizet.

Në Pallatin e Kongreseve, Opera “Carmen” do të mirëpresë publikun 4 netë rresht në një nga projektet më të mëdha të realizuar ndonjëherë nga TKOB. 170 artistë, 270 kostume, mbi 3 orë e gjysmë shfaqje do të plotësojnë tablon e mrekullueshme që mund ta sjellë vetëm Opera “Carmen”. Një luftë për dashurinë e lirinë, ku vdekja tragjike e personazhit kryesor në skenë shënjoi një epokë të re në Operan franceze që fillimisht u konsiderua kontroversale.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit