Shumë familje në Kosovë ende mbajnë si relikt dokumente me vula të Shqipërisë, të para 74 vjetëve, kur u bashkuan për tri vjet Kosova dhe Shqipëria. Ata i kanë kujtim dokumentet me shqiponjë, ndërsa tre vjetët (1941-1944) i konsiderojnë “Tri ditë Shqipni”
Flamuri kombëtar është vendosur kudo, rrugët janë stërmbushur me njerëz, furrat dhe mishtoret janë hapur pa pagesë që qytetarët të shërbehen me bukë e mish, kurse kënga e vallja ka jehuar nga agimi në mbrëmje. Kështu kujtohet kremtimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntori, në vitin 1941, kur Kosova ishte e bashkuar me Shqipërinë dhe prishtinasit ishin vetëm banorë të një qyteti të Shqipërisë, ndërsa kryeqytet kishin Tiranën.
Banorët e Kosovës që janë gjallë sot, e në atë kohë ishin nxënës të Shqipërisë etnike, mbajnë mend edhe pikat kufitare të Shqipërisë që përfshinin tokat e çliruara me katër prefektura: Prizreni, Peja, Prishtina dhe Dibra. Por, meqë aq shpejt kishte kaluar kjo periudhë, nga pleqtë ishte konsideruar si “Tri ditë Shqipni”.
Ibrahim Stublla (1932), 83-vjeçari që jeton në Podujevë, ishte vetëm tetë vjeç e gjysmë kur mori pjesë në festimin për herë të parë të Ditës së Flamurit në këtë qytet, por që po kremtohej dhe në gjithë Kosovën në vitin 1941. Shqipëria, në këtë vit thotë se kishte 74 mijë kilometra dhe Podujeva qyteti ku ka lindur ai ishte një nga qytetet e Shqipërisë. Shtatëdhjetekatër vjet pas, ai rrëfen për “Zërin” sesi u shpërnda lajmi se më 28 Nëntor duhet të festohet Dita e Çlirimit.
Ndryshimi që shqiptarët e përjetuan për herë të parë
“Populli nuk mbahet mend të ketë pasur gëzim më të madh. Më 28 Nëntor 1941 ishte festa e parë që u bë në rrethin e Llapit, njerëzit u mblodhën në atë shesh që kishte qyteti në atë kohë, vinin nga të katër anët, zbrisnin me kuaj nga fshatrat, u bë si dasmë me një fjalë, thernin bagëti, hanin populli bukë e mish dhe ne fëmijët këndonim këngë me motive kombëtare. Të gjitha furrat e mishtoret kanë qenë të hapura që të marrë populli ushqim për kremtim”, kujton plaku Stublla, e që më vonë u bë një nga mësuesit e parë të kësaj komune. Ai tregon se në ballkonin e një ndërtese u shfaqen dy vajza që recituan vjersha për 28 Nëntorin dhe hoxhën e qytetit që bënte amin. “Edhe imamët (feja) në atë kohë ishte bashkë me elitën intelektuale. Falë inteligjencës shqiptare për herë të parë më 1941 populli shqiptar përjetoi një festë të madhe kombëtare”, thotë Stublla, duke folur për lirinë e plotë të shqiptarëve, që kishin xhandarmërinë e tyre, shkollat, administratën… kurse vulat mbanin emrin Shqipëri. Flamurin kombëtar për herë të parë, thotë se e ka parë si fëmijë tetë vjeç e gjysmë, që u vendos në shkollë nga një oficer gjerman, i shoqëruar nga dy banorë shqiptarë.
“Filloi zgjimi kombëtar, e pamë flamurin, këngë shqiptare me motive patriotike këndoheshin… Kemi përjetuar liri të plotë, gëzim, shkollim, djem e vajza bashkë shkonim, u bë një ndryshim që kurrë shqiptarët s’e kanë përjetuar gjatë historisë së mëparshme”, thotë ai.
Çlirimi solli dhe abetaren e parë shqipe në duar të nxënësve. Ndërsa suksesin thotë se e kanë marrë me vulë të Shqipërisë etnike, kurse mëngjes për mëngjes këndohej himni i flamurit kombëtar. “Në prill të vitit 1941 hynë gjermanët dhe në fund të 1944-ës Gjermania u tërhoq dhe kufiri me Shqipërinë etnike u hoq duke u vendosur kufij politikë. Kur hynë këta (ish-Jugosllavia) i sollën festat e veta dhe ne humbëm festat tona”. Kur gjermanët u tërhoqën dhe kufijtë etnikë u ndryshuan, ai thotë se “u përfshinë nga mjerimi”. “Flamuri u hoq dhe askund nuk guxonim ta vendosnim, kurse historia nacionale ishte rreptësisht e ndaluar”. Pastaj filluan persekutimet. “I merrnin inteligjencën më të shkolluar e i vrisnin pa iu bërë gjyq…”, thotë Stublla.
Liria e lëvizjes pa frikën e burgosjes
Hazir Matoshi (1917), i cili tash jeton në Hajvali, por që në vitet e sundimit shqiptar nga viti 1942-45 kishte jetuar në fshatin Gmicë të Komunës së Kamenicës, i kujton me nostalgji ato tri vjet. Ai thotë se përveç disa problemeve të vogla që kanë pasur me taksat, në përgjithësi kanë qenë tri vitet më të mira të asaj periudhe. Ai rrëfen për lirinë e lëvizjes pa frikën e burgosjes apo rrahjes, siç e kishin përjetuar nga regjimi serb, lirinë e fjalës e ndjenjën e vëllazërisë.
“Më kujtohet kur ka hyrë Shqipëria, ne në Kosovë filluam të ndihemi të lirë. Shkonim në qytet për pazare pa frikë se do të ndaloheshim nga regjimi, do të rriheshim apo do të na merrnin pazarin. Ky ishte lehtësim i madh për ne në atë kohë”, rrëfen Matoshi. Ai tregon se kudo që i takonin ushtarët shqiptarë iu thoshin “Po si jeni o vëllezër”.
Ai thotë se kjo ishte ndjenjë e mirë për banorët e këtyre trojeve. “Ndiheshim të sigurt dhe më në fund të lirë”, shton ai. Për 98-vjeçarin ato tri vjet të sundimit shqiptaro-italian në Gmicë krijuan ambientin që njerëzit të këndojnë lirisht, të bëjnë tregti lirisht dhe kjo ishte e mjaftueshme, siç shprehet ai “për të ndjerë frymën e lirisë”.
Por, meqë kjo periudhë kishte kaluar shpejt, shumë pleq të tjerë këtë e konsiderojnë metaforikisht si: “Tri ditë Shqipni”.
Historianët:“Ditët e Shqipnisë” më të mirat për popullin shqiptar
Historiani, hulumtues shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Haki Kasumi, thotë për gazetën se gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave në prill 1941, viset etnike shqiptare të cilat ishin pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi, në Luftën e Parë Ballkanike në vitin 1912, tani u pushtuan nga shtetet nazifashiste (Gjermania, Italia dhe Bullgaria). “Në muajin gusht të 1941-s viset etnike shqiptare u copëtuan nga pushtuesit e rinj.
Pjesa më e madhe e viseve shqiptare i takonin zonës së okupimit italian (pjesa dërmuese e Kosovës dhe e viseve etnike shqiptare në Maqedoni, (përjashto Shkupin) me këto qytete: Prizreni, Theranda, Ferizaj, Prishtina, Peja dhe Gjakova).
Mitrovica me rrethet e Vushtrrisë, Podujevës dhe të Pazarit të Ri bënin pjesë në zonën e okupimit gjerman dhe kishin statusin e Qarkut autonom në kuadër të Serbisë së Nediqit”.
Në zonën bullgare të pushtimit, ai thotë se mbeten Gjilani me rrethinë, Kaçaniku dhe Shkupi. Ndërsa, Kasumi thotë se viset tjera etnike shqiptare gëzonin të drejta dhe liri bukur të mëdha.
“E sidomos pjesa nën okupimin italian, e cila i ishte bashkëngjitur Mbretërisë Shqiptare dhe deri në nëntorin e vitit 1944 kjo sajesë në popull është e njohur si Shqipëria e Madhe. Për shqiptarët e dalë nga robëria gjakatare e Mbretërisë jugosllave konsiderohej çlirim dhe realizim i idesë nacionaliste të bashkimit kombëtar. Administrata në këto vise ishte në gjuhën amtare, shkollimi po ashtu si dhe kryeqendër administrative ishte Tirana”.
Kasumi thotë se vija ndarëse (kufiri) ndërmjet shqiptarëve deri në kapitullimin e Italisë fashiste, shtator 1943, ishte: rrethinë e Mitrovicës përgjatë lumit Sitnicë deri afër Obiliqit ndahej te fshati Babimos lidhej me rrethinën e largët të Prishtinës dhe dilte në rrethinën e Gjilanit dhe i afrohej Kaçanikut dhe dilte të rrethina e Shkupit prej nga lidhej me viset tjera të Maqedonisë dhe vazhdonte në drejtim të Bullgarisë.
Historiani Shpend Avdiu thotë se kjo periudhë kohore nga populli njihej si “Ditët e Shqipnisë”. “Popullsia e Kosovës i konsideronte ushtritë pushtuese italiane dhe gjermane si çliruese pasi që në periudhën mes dy luftërave gjatë sundimit në Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene e më vonë Jugosllavia i kishte shtypur dhe ua kishte mohuar të gjitha të drejtat kësaj shtrese të popullsisë. Ushtritë pushtuese, popullsisë së Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore ua kishin dhënë disa të drejta, si: udhëheqjen e administratës, të drejtën e shkollimit në gjuhë amtare si dhe flamurin kombëtar”, thotë ai për “Zërin”.