MENU
klinika

Etapa 2

Turi Çiklistik, triumfojnë 3 të rinj të Vllaznisë

21.09.2018 - 18:49

Dominim absolut i çiklistëve të Vllaznisë edhe në etapën e dytë të Turit Çiklistik të Shqipërisë për të rinj. Nëse ditën e djeshme kanë qenë dy prej tyre në podium, sot tre shkodranë kanë zënë vendet e para.

Konkretisht, Astrit Kronaj është renditur i pari, Defrim Dholla i dyti dhe Bruno Kola i treti. Një paraqitje e shkëlqyer e çiklistëve kuqeblu, të cilët tregojnë edhe njëherë se janë më të përgatiturit në vendin tonë për këtë sport.

Etapa e sotme ka qenë ajo me itinerar Pogradec-Bilisht-Korçë, e gjatë rreth 80 kilometra. Gara është shoqëruar me një ritëm të lartë, ku nuk kanë munguar as shkëputjet e herëpashershme të çiklistëve të ndryshëm, megjithatë deri në kthim nga Bilisht, të gjithë ata kanë qenë sëbashku në grup.

kola bruno ciklizem
kola bruno ciklizem

Por më pas, një shkëputje e befasishme e treshes shkodrane Kola-Kronaj dhe Dholla, i ka gjetur të papërgatitur sportistët e tjerë dhe, për rrjedhojë, ata kanë arritur jo vetëm të thellojnë distancën, por edhe të mos arrihen më deri në finishin e Korçës.

Në përfundim të saj, i pari që ka prerë finishin ka qenë Astrit Kronaj, duke lënë në vend të dytë shokun e ekipit Defrim Dhollën dhe në të tretin, fituesin e etapës së djeshme, Bruno Kolën. Edhe në renditjen ekipore, Vllaznia është shpallur fituese e kësaj etape, duke e thelluar edhe më shumë diferecën në renditje me ekipet e tjera.

bruno kola ciklizem
bruno kola ciklizem

Në këtë mënyrë, pas dy etapash, ekipi shkodran kryeson renditjen e Turit Çiklistik me një diferencë prej gati 10 minutash me Skënderbeun e vendit të dytë. Ndërsa në renditjen individuale, udhëheqin tre çiklistët e Vllaznisë, Bruno Kola, Astrit Kronaj dhe Defrim Dholla.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN