Televizioni është konsideruar nga shumë studiues si një prej faktorëve dominues të shkatërrimit kulturor të shoqërive moderne.
Herbert Markuze e shikon teknologjinë në përgjithësi, e sidomos televizionin si instrumente të prodhimit të një kulture të re. Ai thotë se ai përdoret si mjet kontrolli për ndrydhur individualitetin dhe për të zbutur reagimin shoqëror, duke i bërë individët të humbasin aftësinë për të menduar në mënyrë kritike rreth shoqërisë. Sipas tij, televizioni nxit totalitarizmin, si një mjet efikas skllavërimi, për të dominuar njerëzit duke kufizuar dhe pushtuar lirinë e brendshme të aktorëve socialë.
Për një tjeter autor, Daglas Kellner, televizioni si pjesë e rëndësishme e një industrie që po kolonizon kulturën, gjë që përbën një kërcënim jo vetëm për të, por edhe për demokracinë, individualitetin dhe lirinë.
Trajtesa të tilla i hasim masivisht në shumë autorë. Magjia e televizionit dhe mjeteve të komunikimit masiv, është kthyer tashmë prej kohësh në një mallkim. Në shumë vende sugjerohet që njerëzit të shohin sa me pak televizor e mbi te gjitha, të mos i besojnë ato çfarë shohin, ndërsa në shtresa të larta shoqërore, pergjithësisht nuk e mbajnë fare në shtëpi. Megjithatë ai vazhdon të jete mjeti me impaktin më të madh të ndikimit social, ndonese mjaft i kritikuar.
Shqiptarët gjithsesi vazhdojnë të jenë ende te mrekulluar e të ndikuar në nivele të frikshme nga televizioni, si çdo popull i varfër e me zhvillim të vonë!