Mos mbani dietë!
Kërkesat e nënës për ushqim gjatë periudhës që ushqen foshnjën e saj me gji janë të ngjashme me ato të gruas gjatë shtatzënisë dhe për këtë rekomandohet që të vazhdojnë të ushqehen në mënyrë të ngjashme edhe pas lindjes.
Një nga favoret e qumështit të gjirit është dhe fakti që ai i plotëson nevojat e foshnjës edhe pse nëna mund të mos ushqehet siç duhet, por nëse ushqyerja e nënës përmban sasi të pakta kalorish ose është e njëanshme atëherë kjo do të ndikojë në sasinë dhe cilësinë e qumështit të gjirit.
Shumë nëna që janë duke ushqyer foshnjën me gji ndjehen ekstra të uritura dhe kjo ka kuptim pasi gjithë trupi punon si “një orë” për prodhimin e qumështit të gjirit, ndaj rekomandohet që të shtohen dhe vakte të vogla me ushqim të shëndetshëm midis vakteve kryesore dhe kjo është një mënyrë e mirë për të mbajtur urinën nën kontroll dhe nivelin e energjisë të lartë.
Nuk ka një përgjigje të vetme se për sa kalori shtesë ka nevojë një nënë që ushqen foshnjën e saj me gji pasi këtu ndikojnë shumë faktorë, por në përgjithësi shumica e grave që kanë foshnjat në gji kanë nevojë për rreth 500 kalori/ditë më shumë se nënat e tjera.
Por kjo nuk duhet t’i bëjë nënat që “të hanë sa për dy”.
Por të gjitha studimet kanë treguar se indikatori më i mirë nuk është matja e kalorive të marra gjatë ditës, por uria si një udhëzues i saktë që tregon se sa duhet ngrënë.
Nuk është e nevojshme për të ngrënë ndonjë ushqim të veçantë ose të ndryshëm, por të ndjekim një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar.
Të konsumuarit e një sasie të madhe uji, apo të qenit e etur është normale gjatë kësaj periudhe pasi çlirohet hormoni oksitocinë që shton ndjenjën e etjes, por kjo nuk ndikon në prodhimin e qumështit. Për këtë arsye është edhe shprehja: “Ha kur je e uritur dhe pi kur je e etur”.
A mundet dhe a duhet një nënë që ushqen foshnjën me gji të mbajë dietë për të humbur peshë?
Përgjigjja është JO.
Ushqimi i shëndetshëm, lëvizja dhe vetë ushqyerja me gji janë elementët e vetëm që do të sjellin rënien graduale në peshë.
Nuk ka asnjë ushqim që duhet të eliminohet gjatë ushqyerjes me gji, por rekomandohet që nënat të hanë çfarë ato pëlqejnë dhe shijojnë më shumë dhe në sasinë që ato dëshirojnë, por është e këshillueshme që ato të ulin sasinë e alkoolit dhe kafeinës që konsumojnë gjatë ditës, por nuk është e nevojshme që t’i eliminojnë ato.