Ka startuar sot Turi Çiklistik i Shqipërisë për të rinj dhe ekipi i Vllaznisë i ka bërë një nisje të mrekullueshme, duke fituar etapën e parë në individë dhe si ekip. Kjo etapë ka patur itinerar Elbasan-Pogradec, 85 kilometra e gjatë.
Pas 35 kilometrash pedalim në grup, dy çiklistët e Vllaznisë, Bruno Kola dhe Astrit Kronaj, janë shkëputur nga të tjerët dhe për 50 kilometra kanë ecur të vetëm dhe duke ndarë vendin e parë dhe të dytë në finishin e Pogradecit.
Në vend të tretë është renditur çiklisti i Skënderbeut, Ilia Çota, me një diferencë prej 3 minutash e gjysmë nga dy shkodranët. Edhe si ekip Vllaznia është renditur e para, me një diferencë prej gati 7 minutash me Skënderbeun e vendit të dytë.
Pas përfundimit të garës së sotme, fituesi i saj, Bruno Kola, është shprehur i kënaqur për suksesin e arritur. Nesër zhvillohet etapa e dytë e Turit Çiklistik të Shqipërisë për të rinj, ajo me itinerar Pogradec-Korçë, ku çiklistët e Vllaznisë do të tentojnë sërish suksesin.