MENU
klinika

Albert Kamy

Vrasësit delikatë

22.09.2018 - 10:16

Marrë nga: Albert Kamy, “Njeriu i revoltuar”,1951

Përktheu Ilia Lëngu

Viti 1878 është viti i lindjes së terrorizmit rus. Një vajzë shumë e re, Vera Zassoulitch, të nesërmen e procesit të njëqind e nëntëdhjetë e tre populistëve, në 24 janar, vret gjeneralin Trepov, guvernator i Shën-Peterburgut. E falur nga anëtarët e gjyqit, ajo i shpëton pastaj policisë së carit. Kjo e shtënë revolveri do të jetë fillimi i një kaskade ndëshkimesh dhe atentatesh, që pasojnë njëri-tjetrin, dhe merret me mend tashmë se vetëm lodhja mund t’i japë fund.

Në të njëjtin vit, një anëtar i Vullnetit të Popullit, Kravatchinski, formulon parimet e terrorit në pamfletin e tij Vdekje për vdekje. Pasojat ndjekin parimet. Në Europë, perandori i Gjermanisë, mbreti i Italisë dhe mbreti i Spanjës, janë viktima atentatesh. Po në vitin 1878, Aleksandri II krijon, me Okhrana-n, armën më të efektshme të terrorizmit shtetëror. Nga ky çast, shekulli XIX kurorëzohet me vrasje, si në Rusi dhe në Perëndim. Në 1879, atentat tjetër kundër mbretit të Spanjës dhe atentat i dështuar kundër carit. Në vitin 1881, vrasja e carit nga terroristët e Vullnetit të Popullit. Sofia Perovskaia, Jeliabov dhe miqtë tyre varen në litar. Në vitin 1883, atentat kundër perandorit të Gjermanisë, vrasësi i të cilit ekzekutohet me sëpatë. Në vitin 1887, ekzekutimi i martirëve të Çikagos, dhe kongresi i Valencias i anarkistëve spanjollë që lëshojnë paralajmërimin terrorist : “Nëse shoqëria nuk heq dorë, duhet që e keqja dhe vesi të zhduken, qoftë dhe sikur të zhdukemi të gjithë bashkë.” Vitet ’90 shënojnë në Francë pikën kulmore të asaj që u quajt propaganda nëpërmjet fakteve. Bëmat e Ravasholit, Vajanit dhe të Henrit i paraprijnë vrasjes së Carnot-së.

Vetëm brenda vitit 1892, numërohen më shumë se një mijë atentate me dinamit në Europë dhe afro pesëqind në Amerikë. Në vitin 1898, vrasja e Elizabetës, perandore e Austrisë. Në vitin 1901, vrasja e Mac Kinley-it, president i SH.B.A.-ës. Në Rusi, ku atentatet kundër përfaqësuesve dytësorë të regjimit nuk kanë të ndalur, lind në vitin 1903 Organizata e Luftimit e partisë socialiste revolucionare, e cila grupon figurat më të jashtëzakonshme të terrorizmit rus. Vrasja e Plehve-s nga Sazanovi dhe ajo e Dukës së Madh Sergei nga Kaliayevi, në vitin 1905, shënojnë pikat kulmore të këtyre tridhjetë viteve predikimi të përgjakshëm dhe i japin fund, për fenë revolucionare, kohës së martirëve.

Nihilizmi, ngushtësisht i bashkuar me lëvizjen e një besimi të zhgënjyer, përfundon kështu në terrorizëm. Në gjithësinë e mohimit të plotë, me bombën apo revolverin në dorë, por dhe me trimërinë me të cilën shkonin drejt varjes, këta të rinj orvateshin të dilnin nga kontradikta dhe të krijonin vlerat që u mungonin. Deri tek ata, njerëzit vdisnin në emër të asaj që dinin ose të asaj që besonin se dinin. Duke filluar me ta, u bë zakon, çka ishte më e vështirë, që të flijoheshe për diçka për të cilën nuk dije asgjë, përveçse duhej të vdisje që ajo të ishte. Deri atëherë, ata që duhej të vdisnin e linin veten në dorë të Zotit kundër drejtësisë së njerëzve. Por kur lexon deklarimet e të dënuarëve të kësaj periudhe, habitesh kur sheh se të gjithë, pa përjashtim, e lënë veten, kundër gjykatësve të tyre, në dorë të drejtësisë të njerëzve të tjerë, që ende nuk kishin ardhur. Këta njerëz të ardhshëm, në mungesë të vlerave të epërme, mbeteshin mjeti i fundit i shpëtimit të tyre.

E ardhmja është transhendenca e vetme e njerëzve pa zot. Pa dyshim, terroristët fillimisht duan të shkatërrojnë dhe ta lëkundin absolutizmin me shpërthimet e bombave të tyre. Por me vdekjen e tyre, të paktën, ata synojnë të rikrijojnë një bashkësi drejtësie dhe dashurie, si dhe të rimarrin në dorë një mision që Kisha e kishte tradhtuar. Në të vërtetë, terroristët dëshirojnë të krijojnë një Kishë nga ku do të dalë një ditë zoti i ri. Por a është kjo gjithçka? Nëse futja e tyre e vullnetshme në fajësi dhe në gjirin e vdekjes nuk do të kishte nxjerrë në dritë asgjë tjetër përveç premtimit të një vlere që pritej të krijohej më vonë, historia e sotme do të na lejonte të pohonim, të paktën tani për tani, se ata vdiqën më kot dhe nuk reshtën së qeni nihilistë. Një vlerë që do të vijë më pas është sidoqoftë një kontradiktë në termat e përdorura, përderisa ajo nuk mund të ndriçojë një veprim dhe as të sjellë një parim zgjedhës për aq kohë sa ajo nuk merr formë. Por pikërisht njerëzit e 1905-ës, shpirtvrarë prej kontradiktave, nëpërmjet mohimit të tyre dhe vdekjes së tyre madje, i jepnin jetë një vlere tani e tutje të domosdoshme, që ata e vinin në rend të ditës, duke besuar se lajmëronin vetëm ardhjen e saj. Ata vinin dukshëm mbi xhelatët e tyre dhe mbi vetveten këtë vlerë të epërme dhe të dhembshme që ne e kemi gjetur tashmë në zanafillat e revoltës. Le të ndalemi të paktën te kjo vlerë, për të shqyrtuar, në çastin kur fryma e revoltës takon, për herë të fundit në historinë tonë, frymën e përdëllimit.

“A mund të flitet për veprimin terrorist pa marrë pjesë në të?”, thërret me zë të lartë studenti Kaliayev. Shokët e tij, të grupuar duke filluar nga viti 1903 në Organizatën e Luftimit të partisë socialiste revolucionare, të drejtuar nga Azef dhe pastaj nga Boris Savinkov, qëndrojnë të gjithë në lartësinë e këtyre fjalëve të mëdha. Ata janë njerëz me kërkesa të larta. Të fundit, në historinë e revoltës, ata nuk kundërshtuan asgjë nga gjendja e tyre dhe as nga drama e tyre. Nëse jetuan në frymën e terrorit, “nëse patën besim tek ai” (Pokolitov), ata nuk reshtën kurrë së qeni shpirtvrarë. Historia sjell pak shembuj fanatikësh që të kenë vuajtur nga vrasjet e ndërgjegjes deri në veprim e sipër. Të paktën, njerëzve të 1905-ës nuk u munguan asnjëherë dyshimet. Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë është të themi se ne, në vitin 1950, nuk do të ishim në gjendje t’u bëjmë atyre një pyetje të vetme të cilën ata të mos ia kenë bërë tashmë vetes dhe së cilës, në jetën e tyre, ose nëpërmjet vdekjes, ata të mos i jenë përgjigjur pjesërisht.

Megjithatë, ata kaluan shpejt në histori. Kur Kaliayevi, për shembull, vendos në vitin 1903 të marrë pjesë me Savinkovin në veprimin terrorist, është vetëm njëzet e gjashtë vjeç. Dy vjet më vonë, “Poeti”, siç e thërrisnin, ekzekutohet në litar. Është një karrierë e shkurtër. Por atij që e shqyrton me pak pasion historinë e kësaj periudhe, Kaliayevi, gjatë kalimit të tij marramendës, i shfaq fytyrën më domethënëse të terrorizmit. Sasonovi, Shvaiceri, Pokolitovi, Voinarovski dhe shumica e të tjerëve u shfaqën kështu në historinë e Rusisë dhe të botës, kryengritës për një çast, të paracaktuar që të shpërthenin, dëshmitarë të shpejtë dhe të paharrueshëm të një revolte përherë e më të brengosur.

Pothuajse të gjithë janë ateistë. “Më kujtohet, shkruan Boris Voinarovski, që vdiq duke hedhur bombën mbi admiralin Dubasov, se edhe para se të filloja liceun, i predikoja ateizmin një prej shokëve të mi të fëminisë. Vetëm një pyetje më mundonte. Po nga kishte ardhur gjithë kjo? Sepse nuk kisha as idenë më të vogël për përjetësinë.” Ndërsa Kaliayevi beson te Zoti. Disa minuta para një atentati që do të dështojë, Savinkovi e dallon në rrugë, të ngulur para një ikone, duke mbajtur në njërën dorë bombën dhe duke bërë kryq me tjetrën. Por ai e hedh poshtë fenë. Në qelinë e tij, para ekzekutimit, ai e kundërshton ndihmën.

Ilegaliteti i detyron të jetojnë në vetmi. Ata nuk njohin, përveçse në mënyrë abstrakte, harenë e fuqishme të çdo njeriu veprimtar në kontakt me një bashkësi të gjerë njerëzore. Por lidhja që i bashkon zëvendëson për ta të gjitha lidhjet. “Kalorësí!” shkruan Sasonovi që komenton kështu: “Kalorësia jonë ishte aq thellësisht e bindur nga një frymë e tillë sa që fjala “vëlla” nuk shpreh ende me një qartësi të mjaftueshme thelbin e marrëdhënieve tona të ndërsjella.” Në burgun e tij të përjetshëm, i njëjti Sasonov u shkruan miqve të tij: “Për sa më takon, kushti i domosdoshëm për të qenë i lumtur është që të ruaj përgjithmonë vetëdijen e solidaritetit të përkryer me ju.” Nga ana e tij, një gruaje që e dashuronte por e pengonte në veprimet e tij, Voinarovski pohon t’i ketë thënë frazën të cilën e pranon se është “paksa komike” por që, sipas tij, vërteton gjendjen e tij shpirtërore: “Do të mallkoja nëse do të mbërrija me vonesë te shokët.”

Ky grup i vogël burrash dhe grash, të humbur në gjirin e turmës ruse, të shtrënguar pas njëri-tjetrit, zgjedhin profesionin e ekzekutuesve për të cilin asgjë nuk i paracaktonte. Ata jetojnë mbi të njëjtin paradoks, duke bashkuar në veten e tyre respektin për jetën njerëzore në përgjithësi dhe një përbuzje për vetë jetën e tyre, që shkon deri në nostalgjinë për flijimin e epërm. Për Dora Brilliant-in, çështjet programore ishin pa rëndësi. Veprimi terrorist zbukurohej mbi të gjitha nga flijimi që bënte terroristi për të. “Por, thotë Savinkovi, terrori rëndonte mbi ta si një kryq.” Ndërsa Kaliayevi është i gatshëm për të flijuar jetën e tij në çdo çast. “Për më tepër, ai e dëshironte në mënyrë të apasionuar këtë flijim.” Gjatë përgatitjes së atentatit kundër Plehve-s, ai propozon të hidhet poshtë kuajve dhe të vdesë bashkë me ministrin. Te Voinarovski gjithashtu, shija e flijimit përkon me tërheqjen nga vdekja. Pas arrestimit të tij, ai u shkruan prindërve të vet: “Sa herë, gjatë adoleshencës sime, më kishte ardhur në mendje ideja për të vrarë veten…”

Në të njëjtën kohë, këta ekzekutorë, që vinin në rrezik jetën e tyre, dhe kaq tërësisht, nuk e preknin atë të tjetrit veçse me vetëdijen më të përpiktë. Atentati kundër Dukës së Madh Sergei dështon herën e parë nga që Kaliayevi, i miratuar nga të gjithë shokët e tij, nuk pranon të vrasë fëmijët që gjendeshin në karrocën e Dukës së Madh. Për Rashel Lurienë, një tjetër terroriste, Savinkovi shkruan : “Ajo kishte besim te veprimi terrorist, ajo e gjykonte si një nder dhe si një detyrë të merrte pjesë në të, por gjaku nuk e shqetësonte më pak nga sa shqetësonte dhe Doran.” I njëjti Savinkov është kundër një atentati kundër admiralit Dubasov, në trenin e shpejtë Shën-Peterburg-Moskë: “Në pakujdesinë më të vogël, shpërthimi mund të kishte ndodhur në vagon dhe të vriste njerëz të huaj.” Më vonë, Savinkovi, “në emër të vetëdijes terroriste”, do të mbrohet me indinjatë nga akuza se kish përfshirë një djalë gjashtëmbëdhjetëvjeçar në një atentat. Në çastin kur po arratisej nga një burg carist, ai vendos të qëllojë mbi oficerët që do ta pengonin arratisjen e tij, por dhe të vrasë më mirë veten sesa të drejtojë armën kundër ushtarëve. Po ashtu, Voinarovski, ky vrasës njerëzish që pohon se nuk ka shkuar asnjëherë për gjah, “duke e quajtur barbare këtë punë”, deklaron edhe ai: “Nëse Dubasovi është i shoqëruar nga gruaja e tij, nuk do ta hedh bombën.”

Një harrim kaq i madh i vetes, i bashkuar me një shqetësim kaq të thellë për jetën e të tjerëve, lejon të nënkuptosh se këta vrasës delikatë e përjetuan fatin e të revoltuarit në kontradiktën e tij më të skajshme. Mund të besohet gjithashtu se ata, gjithë duke pranuar natyrën e pashmangshme të dhunës, pohonin megjithatë se ajo ishte e pajustifikuar. E domosdoshme dhe e pajustifikueshme, e tillë u dukej atyre vrasja. Shpirtrat e rëndomtë, përballë këtij problemi të tmerrshëm, mund të gjejnë qetësi në harresën e njërit prej të dy termave. Ata do të mjaftohen, në emër të parimeve të rrepta, të gjykojnë të papranueshme çdo dhunë të atypëratyshme dhe do të lejojnë atëherë atë dhunë të shpërndarë që është shkalla e botës dhe e historisë. Ose do të ngushëllohen, në emër të historisë, për faktin që dhuna është e domosdoshme dhe vrasjet do t’i shtohen njëra-tjetrës, derisa ta bëjnë historinë vetëm një dhunim të gjatë të gjithçkaje që, te njeriu, proteston kundër padrejtësisë. Kjo përkufizon dy fytyrat e nihilizmit bashkëkohor, borgjez dhe revolucionar.

Por shpirtrat e skajshëm për të cilët po flasim nuk harronin asgjë. Për këtë arsye, të paaftë për të justifikuar çka e gjykonin megjithatë të domosdoshme, ata menduan të jepnin veten e tyre si justifikim dhe t’i përgjigjeshin me flijimin vetjak pyetjes që i mundonte. Për ta, si dhe për gjithë të revoltuarit deri tek ata, vrasja u njëjtësua me vetëvrasjen. Një jetë paguhet atëherë me një jetë tjetër dhe, prej këtyre holokausteve, shfaqet premtimi i një vlere. Kaliayevi, Voinarovski dhe të tjerët besojnë në barasvlerën e jetëve. Ata nuk vendosin pra asnjë ide më lart se jeta njerëzore, megjithëse vrasin për idenë. Saktësisht, ata jetojnë në lartësinë e idesë. Ata e justifikojnë atë, më në fund, duke e mishëruar atë deri në vdekje. Jemi ende përballë një konceptimi, në mos fetar, të paktën metafizik të revoltës. Të tjerë njerëz do të vijnë pas tyre të cilët, të frymëzuar nga i njëjti besim gllabërues, do t’i gjykojnë megjithatë metoda sentimentale dhe do të kundërshtojnë të pranojnë që çdo lloj jete të jetë e barasvlerëshme me çfardo jete tjetër. Ata do të vendosin atëherë përmbi jetën njerëzore një ide abstrakte, edhe pse e quajnë histori, së cilës, të nënshtruar vetë paraprakisht, ata do të vendosin, në arbitraritetin më të madh, t’i nënshtrojnë dhe të tjerët. Problemi i revoltës nuk do të zgjidhet më në fushën e aritmetikës, por nëpërmjet përllogaritjes së mundësive.

Përballë jetësimit të ardhshëm të një ideje, jeta njerëzore mund të jetë gjithçka ose asgjë. Sa më i madh besimi që përllogaritësi ka për këtë jetësim, aq më pak vlen jeta njerëzore. Në rastin më të skajshëm, ajo nuk vlen më asgjë.
Do të na duhet të shqyrojmë këtë rast të skajshëm, domethënë kohën e xhelatëve filozofë dhe të terrorizmit shtetëror. Por ndërkaq, të revoltuarit e 1905-ës, në kufirin ku përmbahen, na mësojnë, mes shpërthimeve të bombave, se revolta, pa reshtur së qeni revoltë, nuk mund të çojë te ngushëllimi dhe te rehatia dogmatike. E vetmja fitore e dukshme e tyre është të paktën ngadhnjimi mbi vetminë dhe mohimin. Në gjirin e një bote që ata e mohojnë dhe që i hedh poshtë, ata orvaten, si të gjithë shpirtrat e mëdhenj, të rindërtojnë, njeri pas njeriu, një vëllazëri. Dashuria e ndërsjellë për njëri-tjetrin, që i lumturon deri në shkretinë e burgimit të përjetshëm, që shtrihet në masën e pafund të vëllezërve të tyre të robëruar dhe të heshtur, jep masën e brengës dhe të shpresës së tyre. Për t’i shërbyer kësaj dashurie, atyre u duhet fillimisht të vrasin; për të sendërtuar mbretërinë e pafajësisë, duhet pranuar njëfarë fajësie.

Kjo kontradiktë nuk do të zgjidhet për ta veçse në çastin e fundit. Vetmia dhe kalorësia, braktisja dhe shpresa nuk do të kapërcehen veçse në pranimin e lirë të vdekjes. Jeliabovi tashmë, që organizoi në vitin 1881 atentatin kundër Aleksandrit II, i arrestuar dyzet e tetë orë para vrasjes, kishte kërkuar të ekzekutohej në të njëjtën kohë me autorin e vërtetë të atentatit. “Vetëm paburrëria e qeverisë, thotë ai në letrën e tij drejtuar autoriteteve, do të mund të shpjegonte që në vend të dy trekëmbshave të ngrihej vetëm një.” U ngritën pesë të tillë, nga të cilët njëri për gruan që ai dashuronte. Por Jeliabovi vdiq duke buzëqeshur, ndërsa Rysakovi, që e kishte lëshuar veten gjatë marrjes në pyetje, u tërhoq forcërisht deri te vendi i ekzekutimit, gjysmë i çmendur nga tmerri.

Kjo sepse kishte një lloj fajësie të cilën Jeliabovi nuk e dëshironte dhe që ai e dinte se do ta përjetonte, si Rysiakovi, nëse do të mbetej vetmitar pasi të kishte vrarë ose urdhëruar vrasjen. Poshtë trekëmbëshit të varjes, Sofia Perovskaia përqafoi njeriun që dashuronte dhe dy miqtë e tjerë, por i ktheu shpinën Rysiakovit që vdiq, vetmitar, si i mallkuar nga feja e re. Për Jeliabovin, vdekja mes vëllezërve të tij përkonte me justifikimin e tij. Ai që vret nuk është vajtor veçse nëse pranon të jetojë ende ose nëse, për të jetuar ende, tradhton vëllezërit e vet. Përkundrazi, të vdesësh anulon fajësinë dhe vetë krimin. Charlotte Corday i bërtet atëherë Fouquier-Tinville-it: “O përbindshi, ai kujton se jam një vrasëse!” Është zbulimi brengosës dhe fluturak i një vlere njerëzore që qëndron në mes të pafajësisë dhe fajësisë, të arsyes dhe marrëzisë, të historisë dhe përjetësisë. Në çastin e zbulimit, por vetëm atëherë, vjen për këta të dëshpëruar një paqe e çuditshme, ajo e fitoreve përfundimtare. Në qelinë e tij, Polivanovi thotë se për të do të kishte qenë “e lehtë dhe e ëmbël” të vdiste.Voinarovski shkruan se ai e ka mposhtur frikën nga vdekja. “Do të shkoj drejt vendit të ekzekutimit pa m’u dridhur asnjë muskul dhe pa thënë asnjë fjalë… Dhe nuk do të jetë një dhunë e ushtruar mbi mua, do të jetë rezultati krejt i natyrshëm i gjithçkaje që unë kam jetuar.” Shumë kohë më pas, togeri Schmidt do të shkruajë gjithashtu para se të ekzekutohet: “Vdekja ime do të përmbyllë gjithçka dhe, e kurorëzuar nga ekzekutimi, kauza ime do të jetë e paqortueshme dhe e përkryer.” Dhe Kaliayevi i dënuar me varje në litar, pasi ngrihet si akuzator para trupit gjykues, Kaliayevi që deklaron me vendosmëri : “E shoh vdekjen time si një protestë të epërme kundër një bote lotësh dhe gjaku”, Kaliayevi shkruan ende: “Prej çastit kur e gjeta veten pas hekurave, nuk kam pasur për asnjë çast dëshirë të mbetem në një mënyrë apo tjetër i gjallë.” Dëshira e tij do të plotësohet. Në 10 maj, në orën dy të mëngjezit, ai do të ecë drejt të vetmit justifikim që ai pranon. I veshur krejt në të zeza, pa pardesy, me një kapelë shajaku në kokë, ai ngjitet në podiumin e ekzekutimit. Atit Florinski, që i zgjat kryqin, i dënuari, duke i kthyer shpinën Krishtit, i përgjigjet vetëm: “Ju kam thënë tashmë se me jetën nuk kam më punë dhe se jam përgatitur për vdekjen.”

Po, vlera e vjetër rilind këtu, në skaj të nihilizmit, madje poshtë këmbëve të trekëmbëshit. Ajo është pasqyrimi, historik kësaj here, i “ne jemi” që ne kemi ndeshur në përfundim të analizës së frymës së revoltës. Ajo është në të njëjtën kohë mungesë dhe siguri e përndritur. Është pikërisht ajo që rrëzëllen me një shkëlqim vdekjeprurës mbi fytyrën e tronditur të Dora Brijantit me mendimin e atij që po vdes njëherazi për veten e tij dhe për miqësinë e pashtershme; ajo që shtyn Sazanovin të vetëvritet në burg për të protestuar dhe “për të detyruar autoritetet që të respektohen vëllezërit e tij”; është po ajo që fal deri dhe Neçayevin ditën kur, teksa një gjeneral i kërkon të kallzojë shokët e tij, ai e rrëzon përtokë vetëm me një pëllëmbë. Nëpërmjet kësaj vlere, këta terroristë, në të njëjtën kohë që pohojnë botën e njerëzve, e vendosin veten përmbi këtë botë, duke demonstruar, për herë të fundit në historinë tonë, se revolta e vërtetë është krijuese vlerash.

Falë tyre, 1905-a shënon majën më të lartë të vrullit revolucionar. Në këtë datë, ka filluar një rënie. Nuk janë martirët që i ngrenë Kishat: ata janë çimentua ose alibia e tyre. Pastaj vijnë priftërinjtë dhe besimtarët me zell të tepruar. Revolucionarët që do të pasojnë nuk do të kërkojnë këmbimin e jetëve. Ata do ta pranojnë rrezikun e vdekjes, por do të pranojnë gjithashtu të ruhen sa më shumë që të jetë e mundur për revolucionin dhe për t’i shërbyer atij. Ata do të pranojnë pra, për ata vetë, fajësinë e plotë. Pranimi i poshtërimit, i tillë është tipari i revolucionarëve të shekullit XX, që e vendosin revolucionin dhe Kishën e njerëzve përmbi ata vetë. Përkundrazi, Kaliayevi vërteton se revolucioni, mjet i domosdoshëm, nuk është një qëllim i mjaftueshëm. Me këtë, ai e lartëson njeriun në vend që ta poshtërojë. Është pikërisht Kaliayevi dhe vëllezërit e tij, rusë apo gjermanë, që në historinë e botës do t’i kundërvihen me të vërtetë Hegelit, meqenëse pranimi i përbotshëm për ta është fillimisht i domosdoshëm, por më pas i pamajaftueshëm. Kaliayevit nuk i mjaftonte të dukej. Edhe sikur mbarë bota ta kishte pranuar atë, tek ai do të vazhdonte të ekzistonte ende një dyshim: atij i duhej pëlqimi mirëfilli i vet, dhe tërësia e miratimeve nuk do të kishte mjaftuar për ta lënë në heshtje këtë dyshim që njëqind brohoritje entuziaste bëjnë tashmë të lindë te çdo njeri i vërtetë.

Kaliayevi dyshoi deri në fund dhe ky dyshim nuk e pengoi të veprojë; pikërisht për këtë ai është imazhi më i qashtër i revoltës. Ai që pranon të vdesë, të paguajë një jetë me një jetë, cilatdo qofshin mohimet e tij, pohon njëherazi një vlerë që e kapërcen atë vetë si individ historik. Kaliayevi i kushtohet historisë deri në vdekje dhe, në çastin e vdekjes, e vendos veten përmbi historinë. Në njëfarë mënyre është e vërtetë se ai parapëlqen më shumë veten se atë. Por çfarë parapëlqen ai, veten që e vret pa ngurruar, apo vlerën që ai mishëron dhe e bën të jetojë? Përgjigjja nuk është e dyshimtë. Kaliayevi dhe vëllezërit e tij ngadhnjenin mbi nihilizmin.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët