Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, ku po mbahen punimet e Samitit të rradhës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk do të marrë pjesë. Në vend të tij, në delegacionin serb do të shkojë kryeministrja Ana Brnabiç. Këtë gjë e ka konfirmuar Marko Gjuriç, shefi i zyrës Serbe për Kosovën.
Mesa duket presidenti serb Vuçiç po tenton t’i shmanget Federica Mogherinit dhe presidentit të Kosvës Hashim Thaçit, për shkak të dialogut Prishtinë-Beograd, ku Mogherini është ndërmjetëse. Është hera e dyta që Vuçiç, i shmanget takimit, pasi edhe në fillim të këtij muaji në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ai nuk mori pjesë.
Marko Gjuriç arsyetoi mungesën e presidentit serb Vuçiç, duke thënë se ai nuk e ka bojkotuar takimin, por ka biseduar për çështjen e dialogut nëpërmjet Mogherinit.
Për mungesën e Vuçiçit në Asamblenë e OKB-së, ka reaguar edhe presidenti i Kosovë Hashim Thaçi, duke thënë sot se ky veprim i Vuçiçit nuk do ta pengojë atë në agjendën e paraqitjes së Kosovës në New York.
“Agjenda e shtetit të Kosovës nuk varet dhe as nuk është varur kurrë nga agjenda e Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Hashim Thaçi në një shkrim që publikoi gjatë javës tha se fati i Kosovës vuloset nëpërmjet një marrëveshjeje me Serbinë. Për këtë shkrim u kritikua nga zyrtarë të partive, madje edhe nga aleatët në koalicionin qeverisës.