Nga Andreas Dushi
Nëse studiojmë pemën gjeneaologjike të Pal Engjëllit, autorit të të parit dokument në gjuhën shqipe, do të shohim se në një degëzim del edhe familja Kamsi. Kjo pemë gjendet në bibliotekën “Atë Zef Valentini” në Shkodër, përgjegjës i së cilës dikur ishte një burrë në moshë të thyer, gjithnjë i veshur me kostum dhe kravatë i cili quhej Willi Kamsi.
Po të pyesje Willin për familjen e tij, ai thoshte: “Familja Kamsi, vërtetë e ka origjinën nga Engjëllorët e Durrësit, të njëjtë me atë të Pal Engjëllit. Pinjollët e saj më të denjë janë im atë Gjon Kamsi dhe im ungj Kolë Kamsi. Im atë, Gjon Kamsi e zhvilloi aktivitetin e tij në Bari të Italisë ku edhe unë linda. Ishte bashkëpunëtor i shtypit kombëtar brenda dhe jashtë vendit dhe anëtar i gazetarëve të huaj në Itali. Ka botuar në revistat e njohura të asaj kohe ‘Posta e Shqypnisë’ dhe ‘Bashkimi i Kombit’. Gjithashtu ka bashkëpunuar edhe me shumë gazeta e revista të tjera, ku ndër to veçohet ‘Hylli i Dritës’.”
Pastaj fliste për të ungjin, më i njohur se i ati në Shkodër: “Xhaxhai im, Kolë Kamsi, studioi njëlloj si babai në fillim në Shkodër e pastaj në Itali. Ishte atdhetar i flaktë dhe shkrimtar e studiues i njohur. Bashkëpunoi me sa e sa revista e gazeta kombëtare brenda dhe jashtë vendit. Tani, në demokraci, ka marrë edhe titullin “Mësues i Popullit’”
Ndërsa për vete Willi nuk fliste. Ishte modest dhe gjithnjë ka lënë punën të flasë për të.
Willi Kamsi lindi në dhjetorin e vitit 1926 në Bari të Italisë. Pasi përfundoi arsimin fillor dhe të mesëm në qytetin e lindjes pranë “Institutit Di cagno Abbrescia”, bashkë me familjen u kthye në Shqipëri në vitin 1943.
Ishte akoma student, kur në vitin 1944, nën drejtimin e profesorit të tij Filip Fishta, filloi një punë të përkohshme në Bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë.
Me kërkesë të familjes që të arsimohej edhe në gjuhën shqipe, në vitin 1948 përfundoi për herë të dytë në jetën e tij, por për herë të parë në gjuhën shqipe, gjimnazin.
Me konsolidimin e pushtetit komunist, në vitin 1953 edhe familja Kamsi u dëbua nga Tirana dhe u vendos në Shkodër, njëlloj si pjesa më e madhe e familjeve shkodrane me banim në kryeqytet.
Ishte një i ri i gjallë, me pasion aq të madh për librat, sa u kushtoi jetën.
Kur erdhi në Shkdodër, Willi Kamsi filloi të kalonte ditët në bibliotekë. Duke mos gjetur një vend pune, fillimisht punoi si vullnetar pranë bibliotekës së qytetit. Por rregjimi kishte vendosur të vinte në provë durimin dhe pasionin e tij për bibliotekat, kështu nuk e lejoi të vazhdonte punën vullnetare, por e caktoi si punonjës në Zyrën Teknike të Komitetit Qëndror të Shkodrës, punë të cilën e kreu deri në vitin 1963.
Në këtë kohë, kur vazhdonte që pas pune të qëndronte me orë të tëra ndër biblioteka, Willi Kamsi emërohet si përgjegjës i Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Këtë detyrë e mbajti për plot 27 vite, duke bërë një punë të palodhshme dhe të paharrueshme në atë institucion.
Kur u emërua përgjegjës, fondi i bibliotekës kishte vetëm 10000 libra, ndërsa kur Willi u largua, la pas 120000 volume dhe bashkë me to, edhe fondin albano-ballkanologjik, i cili sot është më i pasuri në Shqipëri pas atij të Bibliotekës Kombëtare.
Pasi rregjimi ra, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha lëshoi një dekret me anë të të cilit Willi Kamsi u emërua “Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Vatikan” duke u bërë i pari ambasador i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, e cila deri para atij momenti nuk kishte pasur asnjëherë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.
Që në krye të herës, Kamsi u mor me studime të karakterit albanologjik. Në vitet 1960-1961 ishte drejtues i grupit të restaurimit të Kalasë Mesjetare të Shkodrës. Mori pjesë aktive në kërkimet arkeologjike dhe në studimet e monumenteve dhe përpiloi studime të hollësishme, të cilat, pasi u paraqitën në simpoziume e konferenca dhe u botuan edhe në revista e gazeta të ndryshme të Shkodrës e të Tiranës.
Bashkë me të punoi dhe jetoi edhe e motra, Miriam Kamsi. Ata nuk u martuan kurrë, por të dy sëbashku i’a kushtuan jetën studimit të albanologjisë.
Ishte përkthyes i zoti nga italishtja, frëngjishtja dhe anglishtja. Këtë aftësi e vuri në dispozicion të njohjes së shqiptarëve me albanologjinë, së cilës i dha në shqip “Gjurmime mbi tesktet e vjetra shqipe” të M. Roques dhe “Fjalori i Frang Bardhit”. Nga Ernesto Cozzi përktheu tre studime në lidhje me fiset shqiptare, gjakmarrjen dhe gruan shqiptare, ndërsa prej Gorrit T. A. Goslinga, “Holandezët në Shqipëri”.
Kur doli në pension, ngriti pranë Institutit Teologjik dhe Filozofik bibliotekën “Atë Zef Valentini” si pasardhëse të denjë të Bibliotekës së Jezuitëve që shkëlqente në kurorën e kulturës shkodrane para se të grabitej e dhunohej nga komunistët.
Ndërroi jetë mëngjesin e datës 24 janar të vitit 2017 në moshën 91 vjeçare duke lënë pas jo vetëm një pasuri në fushën e studimit të albanologjisë, por edhe një sërë dorëshkrimesh me studime të jashtëzakonshme që presin të botohen.