Kolelitiaza ose sëmundja e gurëve në tëmth përfaqëson një nga çrregullimet gastroenterologjike më të shpeshta dhe më të kushtueshme me prevalencë 10-20% në Evropë e Amerikë.
Pjesa më e madhe e kolelitiazave të cilat vijnë si pasojë e alterimeve në përbërjen fiziko-kimike të lëngut të tëmthit ngelen asimptomatike ndërsa simptomat e kolikës biliare dhe komplikacionet si kolecistiti, kolangiti dhe pankreatiti kërkojnë trajtim.
Prevalenca e gurëve në tëmth është në rritje në vendet e industrializuara të Evropës dhe në Amerikë si pasojë e ndryshimeve në stilin e jetesës dhe mjedisit.
Gurët në tëmth formohen kryesisht në kolecistë dhe duktusin biliar komun ndërsa gurët intrahepatikë ndodhin më rrallë.
Faktorët e riskut për gurët në tëmth janë:
Faktorët gjenetikë;
Faktorët e mjedisit;
Stili i jetesës.
Studimet gjenetike në vitin 2007 arritën të identifikonin një variant të një geni të zakonshëm që ishte përgjegjës për risk më të lartë për gurë në tëmth.
Nga analiza e 43141 çifte binjakësh në Suedi u pa që faktorët gjenetikë ishin përgjegjës për 25% të riskut për formimin e gurëve në tëmth.
Në stilin e jetës ndikojnë mënyra e ushqyerjes, mungesa e aktivitetit fizik, Obeziteti/Sindroma Metabolike, humbja e shpejtë në peshë dhe kirurgjia për obezitetin.
Ushqimi hiperkalorik, ushqimi i pasur me karbohidrate të përpunuara ose një ngarkesë e lartë glicemike si dhe marrja e pakët e fibrave ndikojnë në formimin e gurëve në tëmth. Defiçenca e Magneziumit rrit riskun për gurë në tëmth.
Marrja e rregullt e shtesave të vitaminës C ul prevalencën e gurëve në tëmth më shumë tek femrat sesa tek meshkujt. Vitamina B12 dhe acidi folik mund të influencojnë gjithashtu në formimin e gurëve.
Këto vitamina janë të nevojshme për rigjenerimin e rruazave të kuqe të gjakut, prandaj një defiçit në këto vitamina çon në eritropoezë jo efektive dhe mund të acarojë aneminë apo të rrisë mundësinë për gurë në tëmth.
Konsumimi i alkoolit në doza 20-60ml në ditë frenon formimin e gurëve ndërsa abuzimi me alkoolin rrit riskun për gurë në tëmth si rezultat i dëmtimit të mëlçisë dhe pakësimit të sintezës së kripërave biliare.
Cirroza alkoolike është një faktor risku i pavarur për gurë në tëmth.
Jeta sedentare është raportuar tashmë si një faktor risku për formimin e gurëve në tëmth ndërsa aktiviteti i rregullt fizik është një faktor mbrojtës. Në studimet që janë kryer te një numër i madh pacientësh është parë që aktiviteti i rregullt fizik për 5 vjet ul riskun për simptoma të gurëve në tëmth rreth 70%.
Obeziteti është përcaktuar tashmë si faktor risku për formimin e gurëve në tëmth gjë e cila është e lidhur pozitivisht me indeksin e masës trupore (BMI).
Studimet prospektive gjithashtu tregojnë një lidhje ndërmjet formimit të gurëve dhe adipozitetit central. Shpërndarja regjionale e adipozitetit mund të shtojë më tepër riskun për gurë në tëmth.
Në dy studime të kryera në SHBA u pa që adipoziteti abdominal u shoqërua me një risk të rritur të gurëve simptomatikë ose heqjes së tëmthit pavarësisht BMI.
Obeziteti shoqërohet shpesh me Sindromën Metabolike e cila përmbledh një numër çrregullimesh nga të cilat Dyslipidemia (veçanërisht Hypertrigliceridemia dhe HDL-C e ulët), diabeti dhe rezistenca e insulinës janë të pranishme shpesh në sëmundjen e gurëve në tëmth dhe konsiderohen faktorë risku per të. Prevalenca e gurëve në tëmth është 2-3 herë më e lartë në subjektet me diabet të tipit II.
Humbja në peshë në vetvete mund të pakësojë riskun për gurë në tëmth ndërsa rënia e shpejtë në peshë (> 1.5 kg/javë) dhe/ose më e madhe se 25% të peshës trupore rrisin mundësinë e formimit të gurëve në tëmth.
Dietat me shumë pak kalori dhe kirurgjia bariatrike janë dy nga situatat më të zakonshme për të humbur peshë.
Është gjetur një risk 25% më i lartë për gurë në tëmth te personat obezë që i nënshtrohen një diete me 500 kcal/ditë për 8 javë dhe është raportuar një risk 30% më i lartë te pacientët obezë pas kirurgjisë bariatrike.
Luhatjet e peshës (p.sh pesha që është humbur dhe rifitohet) rrisin rriskun për gurë në tëmth pavarësisht peshës trupore. Studimet e fundit raportojnë një risk 31% më të lartë te gratë të cilat kanë të paktën një luhatje në peshë me 4.5-8.5 kg. Ky risk rritet në 68% në ato që i nënshtrohen luhatjeve të mëdha në peshë me më shumë se 9 kg.
Është parë që përdorimi i acidit ursodeoxycholik të paktën 500mg në ditë në grupet e riskut gjatë periudhës së rënies së shpejtë në peshë të ketë efekt në pakësimin e riskut për gurë në tëmth. Ky mjekim vazhdohet deri në stabilizimin e peshës trupore.
Faktorët e mjedisit si trajtimet e ndryshme, ushqyerja parenterale totale e zgjatur, dëmtimet e kordës spinale (SCI) dhe përdorimi i disa medikamenteve (octreotidi një analog i somatostatinës, inhibitorët e calcineurinës), (ciclosporin dhe tacrolimus), fibratet, terapia me estrogjen (kontraceptivët oralë dhe terapia zëvendësuese hormonale postmenopauzës) mund të jenë faktorë risku për formimin e gurëve në tëmth.
Infeksionet
Infeksionet e kanaleve biliare nga parazitë si clonorchis sinensis, opisthorchis viverrini ose ascaris lumbricoides mund të çojnë në formimin e gurëve pigmentarë kafe.
Prania e infeksionit kronik nga virusi i hepatitit C rrit riskun për gurë në tëmth. Cirroza hepatike është vlerësuar si faktor risku, 25-30% e pacientëve cirrotike kanë gurë në tëmth.
Sëmundjet e gjakut si Anemia Hemolitike dhe Drepanocitoza janë faktorë risku për gurë pigmentarë të zinj. Procedurat kirurgjikale si Rezeksioni i Ileumit dhe Rezeksioni Total Gastrik janë gjithashtu faktorë risku për gurët në tëmth.
Konkluzione
Identifikimi i faktorëve të riskut mjedisorë dhe të stilit të jetesës së bashku me arritjet e fundit në lidhje me përfshirjen e faktorëve gjenetikë në sëmundjen e gurëve në tëmth krijojnë kushte të favorshme për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundje.
Individët e klasifikuar si pacientë me risk normal për gurë në tëmth mund të përfitojnë nga strategjitë e parandalimit të bazuara mbi modifikimin e kushteve të mjedisit dhe stilit të jetesës të tilla si rënia në peshë, aktiviteti fizik dhe dieta e pasur me fibra dhe me pak karbohidrate.