Nga Andreas Dushi
Një pasdite trokita në derën e shtëpisë ku kanë vdekur tre heronj që i kanë dhënë emrin njërës prej rrugicave më të njohura në Shkodër. Tre heronjtë e rënë në luftë i kanë lënë qytetit shijen e martires jo veç prej njerëzve të fesë, por edhe atdhetarëve të tjerë.
Ama unë trokita për arsye krejt tjetër, që të mësoja diçka rreth një heroi të heshtur e të rrallë që shkroi dhe përktheu në vetmi në hermetizmin e një sistemi që kulturën e shkatërroi për të krijuar, të ashtuquajturën kulturë e realizmit socialist.
Zef Zorba ishte një poet i rrallë, një njeri i kulturuar e me parime që binte ndesh me parimet e atij sistemi.
Prej më shumë se 25 vjetësh Zorba nuk rron më. Por shtëpia e tij nuk është bosh. Dy vajzat e Zorbës, me mirësi dhe mikpritje tipike shkodrane “e mbajnë deren çilë” për këdo që dëshiron të dijë diçka më shumë rreth babait të tyre.
Sado që të kesh lexuar për Zorbën dhe nga Zorba, kur je në shtëpinë e tij dhe para syve ke një kuti plot me dorëshkrime (ku bie në sy kaligrafia elegante) për pak çaste stepesh dhe kupton se sa pak dihet rreth një figure emblematike të rethit letrar shkodran.
Gjatë bisedës dy vajzat e Zorbës, Luçia dhe Elena me fotografi e letra ndër duar rrëfejnë plot emocion një jetë që ndonëse e pasur dhe e ngjeshur, kaloi në heshjte të plotë.
Me një album fotografik, Luçia rrëfen gjithë historinë e familjes qysh nga paraardhësit e hershëm të renditur kronologjikisht. Në krye të albumit është Motra Tone, motra e Kolë Idromeons dhe gjyshja e Zef Zorbës nga e ëma. E martuar me italianin Andrea Skanjeti, Tonja solli në jetë disa fëmijë mes të cilëve edhe nënën e Zefit.
Pastaj më tregon edhe për gjyshin, Jak Zorbën i cili, duke qenë tregtar kishte lënë Shkodrën dhe kish shkuar në Mal të Zi, atje ku ka lindi në 1920 Zefi. Me përfundimin e Luftës I Botërore, u kthye sërish në Shkodër dhe bleu shtëpinë ku edhe sot jetojnë pasardhëset e tij, Luçia me Elenën.
Zef Zorba studioi në Padova të Italisë si shumë të rinj me prejardhje nga familje të aristokracisë shkodrane, ku u diplomua për t’u kthyer sërish në atdhe.
Fisnikëria e familjes dhe pozita e saj në shoqëri ishte e tillë, sa ata i dhanë tokë Kishës Katolike.
Bashkë me të tjera familje, dhuruan ngastrat e vorreve katolike të Rrmajit, mounement kulture i mbrojtur nga Ministria dhe dëshmi e jetës dhe e vdekjes. Për këtë arsye aty ku dikur ka qenë kufiri, skaji i mbramë i vorrve, gjendet një pemë e madhe e quajtur Çinari i Zef Zorbës në kujtim të një prej pararendësve të Zefit për të cilin ne po flasim.
Ironia qëndron në faktin se aty, në tokën dhuruar prej Zorbave, mu para Çinarit që mban emrin e një prej tyre, pushteti komunist pushkatoi një të afërm të Zorbave, “Armikun e Popullit” Guljem Sumën.
Përpos familjes së origjinës, e njohur në Shkodër është edhe gruaja e Zef Zorbës, nëna e Luçies dhe Elenës, Terezina Pali Zorba. Mjaft të thuash emrin e saj Terezina Pali dhe vështirë të gjesh në Shkodër dikë që nuk e njeh dhe nuk e repsekton. Ajo rrjedh, njëlloj si i shoqi, nga një familje aristokrate e qytetit. Nëna e Tinka Kurtit dhe e ëma janë motra.
Për të, një dëshmi interesante gjejmë në librin “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë”, vëllimi II, fq. 161 – 162, ku ajo flet për takimin me të Lumin Atë Mati Prendushi të cilin komunizmi e torturoi në hetuesi e pastaj e dënoi me vdekje:
Ishim në burgun e Ulqinakut, thotë Terezina, katër ditë pas arrestimit, domethënë me datën 19 nëntor, në orën 10 të darkës, erdhën hetuesit e Sigurimit për ta marrë dhe me egërsi i thanë “Çohu e eja me ne!”. E ndihmova të vishej e të mbathte këpucët, sepse ishte i lidhur me pranga ditë e natë. Mendova se nuk do të kthehej më kurrë. Por u kthye pas një ore e gjysmë. Me humor më tha: “Çohu e zhvishe fratin!”. E pyeta “Pse të thirrën?”… Para të gjithëve më tregoi se e kishin çuar në kishën e Gjuhadolit bashkë me Atë Çipirjan Nikajn, Atë Pal Dodajn e Atë Donat Kurtin… dhe aty e fotugrafuan me mitraloz në krah… Kemi qenë bashkë pesë javë dhe pastaj nuk e kam parë më kurrë…
E dhashë këtë dëshmi për të përshkruar sado pak atmosferën desidente të jetës së Zorbës dhe familjes së tij si dhe për të treguar forcën e bashkëshortes së tij, një vajze 18 – 19 vjeçare e cila qe arrestuar në maturë për “Agjitacion e Propagandë”.
Një pamflet i kohës tregon se si me rastin e festës së 1 Majit të vitit 1944, Zef Zorba vuri në skenë dhe drejtoi dramën “Armiku i Popullit” me autor Henrik Ibsen, dramë me karakter të fortë desident. Në rolin e Katerina Stokman, rol kryesor qe mikja e tij e më pas e shoqja Terezina Pali.
Një nga ngjarjet që do të shënonte jetën e Zorbës qe vënia në skenë e dramës Juda Makabe të Atë Fishtës i cili akoma nuk qe ndaluar plotësisht. Menjëherë më pas, gjithçka u ndalua nga poeti i madh.
Kaq mjaftoi që për Zorbën dhe Palin, çiftin e dashuruar por akoma të pamartuar, të hartohej akuza “Agjitacion e Propagandë” dhe, në të njëjtin gjyq, të dënoheshin të dy me nga pesë vjet burg.
Për burgun e Zrobës, flet poezia e tij. Sipas disa teorive psiko – letrare, një njeri i mbyllur mund të bëjë ose një letërsi shumë të hapur si oponencë e realitetit ku jeton, ose shumë të mbyllur për të bashkëjetuar me realitetin. Zorba zgjodhi të dytën mënyrë.
Martesa e Zef Zorbës me Terezina Palin në Katedralen e Shkodrës, u celebrua nga Ipeshkvi i Shkodrës mons. Erenst Çoba.
Pas burgut ai që nga shkodranët njihej si Bepi, punoi si llogaritar, por falë “biografisë së keqe” u pushua disa herë deri sa, në fund, e doli në pension si një normist i thjeshtë. Gjithësesi nuk e harroi dashurinë e tij të madhe: Teatrin. Bëri disa përpjekje mes të cilave dallohen libretet për operat “Teuta” dhe “Rozafat”
Opera “Teuta” po punohej dhe thuajse do të vihej në skenë, kur në Komitetin Qëndror të Shkodrës arrin një letër – porosi nga Nexhmie Hoxha:
“Interesohuni menjëherë për operan “Teuta” me autor një burrë të dënuar për Agjitacion e Propagandë. Për çfarë flet kjo opera?”
Përgjigja e Komitetit nuk kishte si të ishte ndryshe përveç se “Opera nuk do të vihet në skenë!”
As “Rozafat”-i nuk u vendos në skenë, pavarësisht se sipas kompozitorëve ai libret ishte ideali që çdo kompozitor do të donte të punonte me të.
Zorba punonte në mënyrë skrupuloze, si me përkthimet, ashtu edhe me poezitë e tij. Pasi i punonte, “i linte pushim” për disa vjet e pastaj kthehej e i rishkruante, duke i korigjuar herë pas here deri sa në fund si rezultat jepte mrekulli të tilla.
Ai nuk ishte vetëm njeri i letrave, por njeri i artit. Sikurse shihet edhe në foton e mëposhtme, ai i punoi mikut të tij Prenkë Jakovës një reliev shumë të bukur.
Pas rënies së komunizmit, ndonëse jetoi pak, u ftua disa herë për të marrë pjesë në konferenca shkencore kryesisht rrethë At Gjergj Fishtës. Gjithashtu shkroi një artikull edhe për të Lumin Atë Gjon Shllaku, nxënës i të cilit ishte.
E bija Luçia thotë se ai punonte për të lënë gjithçka në rregull. Me një varg kënge shkodrane, e përshkruan si “Djalë që shekujt i ban nji mot”. Jeta e tij ishte nje jetë paqësore me baza të krishtera aq sa, në të mbramin çast të kësaj jete kishte te kryeti librin e Shën Tomë d’Akuinit, gjë që vinte nga formimi i marrë qysh fëmijë si pjesë e shoqërisë “Antoniane”.
Me ardhjen e lirisë politike, u ftua të bëhej pjesë e frupimeve e partive të reja, por, me një shprehje monumentale, u përgjigj:
“Ata e dinë kush jam unë, unë nuk e di kush janë ata!”
Zorba ndërroi jetë në janarin e vitit 1993, pa parë të botuar asgjë nga ç’kishte bërë, por duke lënë gati materialet për librin që u botua më vonë, plot frikë, sikurse shprehet në pasthënien e librit “Buzë të ngrira në gaz” prej poezive të tij.