MENU
klinika

E pabesueshme!

Zemra shërohet edhe me lazer?

27.09.2018 - 17:37

Kur rezultati i kërkuar nuk arrin të merret me teknikat intervenuese me kateter, mjekët vendosin që pacienti duhet të kryejë bypasin aorto-koronar.

Megjithatë, ekzistojnë raste kur pacientët kanë një sëmundje tepër difuze të arterieve koronare dhe në raste të tilla arteriet koronare janë aq të dëmtuara sa nuk mund të gjendet një vend i përshtatshëm për të vendosur bypasin.

Po atëherë si i bëhet?

Për këta pacientë mund të merret në konsideratë një procedurë e re e rivendosjes së vaskularizimit të muskulit të zemrës ose miokardit me lazer.

Gjatë këtij operacioni, një burim lazeri i cili mund të përshtatet në një kateter ose nëpërmjet kirurgjisë direkte, përdoret për të hapur vrima të vogla në muskulin e zemrës, duke shpresuar që këto kanale të krijuara në mënyrë artificiale, me kohë mund të transformohen në enë gjaku duke krijuar një sistem qarkullimi të ri.

Historiku i kësaj metode trajtimi

Në Shtator të vitit 1999, Dr.O.Howard Frazier nga ‘Texas Heart Institute’ raportoi në një revistë internacione të quajtur ‘The New England Journal of Medicine’ një studim ku përfshiheshin disa spitale në të cilin 92 pacientë ishin përzgjedhur për t’iu nënshtruar rivendosjes së vaskularizimit të muskulit të zemrës ose miokardit me lazer dhe 100 pacientë të tjerë ishin zgjedhur për t’iu nënshtruar terapive kardiologjike.

Pas 12 muajsh, pacientët që i ishin nënshtruar rivendosjes së vaskularizimit të muskulit të zemrës ose miokardit me lazer kishin një mundësi shumë më të ulët të anginës sesa pacientët që i ishin nënshtruar vetëm terapisë mjekësore.

72% e pacientëve që i ishin nënshtruar rivaskularizimit transmiokardial me lazer ishin përmirësuar kundrejt vetëm 13% në grupin e pacientëve që i ishin nënshtruar vetëm terapive mjekësore.

Edhe cilësia e jetës dhe aktiviteti fizik ishin shumë më të mirë në grupin e pacientëve të trajtuar me lazer. Në grupin që i ishte nënshtruar terapisë me lazer, 3% vdiqën në spital pas kirurgjisë.

Dymbëdhjetë muaj pas interventit, 85 % e pacientëve që i ishin nënshtruar terapisë me lazer ishin gjallë kundrejt 79% të pacientëve që i ishin nënshtruar terapisë konvencionale kardiologjike.

Ky studim i Frazierit, tregon që të paktën deri në 12 muaj pas interventit pacientët që i nënshtrohen terapisë me lazer kanë rezultate më të mira sesa terapitë mjekësore kardiologjike.

Lazeri në mjekësi

Në mjekësi lazeri është përdorur që prej njëzet vjetësh. Trajtimi primar i tij në mjekësi ka qenë kurimi i disa sëmundjeve.

Shumë probleme të syve trajtohen me shumë sukses me terapinë me lazer, po ashtu lazeri është përdorur për të shkrirë gurët në veshka ose në fshikëzën e tëmthit. Këto janë disa nga shumë përdorime të lazerit në mjekësi.

Në këto vitet e fundit një trajtim i ri i quajtur rivaskularizimi transmiokardial me lazer është futur në praktikën kirurgjikale për trajtimin e sëmundjes së arterieve koronare në ato raste kur kjo është aq e avancuar sa trajtimi me kateter me ballon, stentetet apo edhe bypasi aorto-koronar nuk janë efektiv.

Në këtë trajtim të ri mjekët përdorin një burim të fuqishëm lazeri për të krijuar vrima në sipërfaqen e zemrës deri afër kavitetit të ventrikulit të majtë.

Jo shumë kohë më parë një tip lazeri (dioksidi i karbonit) është aprovuar për t’u përdorur në këto grupe pacientësh në SHBA. Tipe të tjera lazeri janë akoma në faza të ndryshme studimore. Trajtimi në qendrën tonë ka qenë nga të parët trajtime origjinale amerikane që përdorte dioksidin e karbonit.

Rezultatet e rivaskularizimit transmiokardial me lazer

Shansi për të mbijetuar pas kësaj procedure është më i madh se 95% deri në 30 ditët pas interventit.

Rreziku ka qenë më i lartë në fillimet e kësaj procedure, por u përmirësua ndjeshëm për një trajtim intensiv më të përshtatshëm pas interventit. Mbijetesa pas 1-2 vjetësh është më e mirë, por jo në mënyrë domethënëse kur krahasohet me pacientët që nuk i janë nënshtruar kësaj procedure.

Megjithatë rezultati më kryesor i rivaskularizimit transmiokardial me lazer është zhdukja e anginës, më pak shtrime në spital si dhe përmirësimi në mënyrë të ndjeshme i cilësisë së jetës në këta pacientë.

Afërsisht tre në katër prej këtyre pacientëve kanë përfitime nga rivaskularizimi transmiokardial me lazer. Nevoja për shtrime të reja në spital për shkak të anginës jo të qëndrueshme është e reduktuar në mënyrë të konsiderueshme.

Për më tepër kjo procedurë nuk shkakton dëmtime në muskulin e zemrës të cilët do të rezultonin në shfaqjen e simptomave të insuficiensës kardiake.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN